Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me 7 qershor
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin do të mbahen më 7 qershor.

Vendimi u bë i ditur pas një takimi konsultativ me përfaqësues të partive politike, ku, sipas saj, ishin ftuar 17 subjekte, ndërsa 15 prej tyre morën pjesë.
Partitë pajtohen, Haxhiu: Zgjedhjet mbahen më 7 qershor
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka deklaruar se pas konsultimeve me partitë politike ka vendosur që data e zgjedhjeve të jetë 7 qershori.
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së, dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendit e Republikës së Kosovës të mbahen me 7 qershor”, deklaroi Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentes tha se kjo nuk është çfarë ajo qytetarët kanë dashur, sepse, sipas saj, qytetarët kanë pritur bashkim kur bëhet fjalë për interesat e vendit e institucione stabile.
“Po vonohemi në shumë reforma pa asnjë nevojë. Shumë punë kemi para vetës dhe nuk e kemi komoditetin që të humbim kohë. Për muaj me radhë janë bërë përpjekje që vendi të ketë institucione funksionale e proceset kushtetuese të përmbyllen brenda Kuvendit. Megjithatë, në demokraci kur rruga institucionale bllokohet, fjala i kthehet qytetarëve. Tani përgjegjësia është e të gjithëve, e institucioneve që të organizojnë një proces të rregullt e transparent, por edhe të besueshëm, e subjekteve politike që të garojnë me përgjegjësi e respekt për qytetarët, edhe qytetarëve që me votën e tyre të lirë të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit”, tha Haxhiu.
Ajo tha se Kosova ka ditur të organizojë procese zgjedhore të lira, demokratike dhe të besueshme.
Ushtruesja e detyrës së presidentes ka folur rreth emërimit edhe të një anëtari të KQZ-së, për çka tha se fuqia politike, proporcionaliteti, përfaqësimi janë parime që nuk duhet t’i mohojë askush.
“Përbërja e KQZ-së është prej 11 anëtarëve, për momentin janë 10 anëtarë, sepse edhe një nuk është emëruar ende. Unë jam interesuar nëse kjo përbën problem për KQZ-në, dje dëgjova që thanë se do të kontestohet procesi zgjedhor e kështu me radhë. Por, unë u kam njoftuar që i kam dy kërkesa atë të PDK-së e LVV-së, për t’i emëruar anëtarët e tyre. Unë për këtë çështje kam pasur mendim edhe më herët. Fuqia politike, proporcionaliteti, përfaqësimi, janë parime që nuk duhet t’i mohojë askush. Duke qenë se kanë kaluar tashmë të gjitha afatet, sepse një proces kushtetues i nisur nga presidentja Osmani, është dashur të përmbyllej nga vetë ajo, por kjo nuk ka ndodhur, tash gjitha afatet kanë kaluar. Jam në trajtim të kësaj çështje dhe do të veproj në përputhje me përgjegjësitë, por të jeni të sigurt që me 10 anëtarë në KQZ, asgjë nuk rrezikohet, as certifikimi i partive, as i rezultatit të zgjedhjeve. Do të veprojë atëherë kur konsideroj që duhet të veprojë”, tha Haxhiu.

Average Rating