
John Duncan: S’ka pasur dëshmi për Shtab të Përgjithshëm në kuptimin ushtarak
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar për sot dëshmia e John Duncan, ish-këshilltar i Wesley Clark, i cili është dëshmitar i mbrojtjes. Ai nesër do të rikthehet për të vazhduar dëshminë e tij para trupit gjykues.
Duncan theksoi se gjatë kohës sa ka shërbyer në Kosovë nuk ka pasur asnjë dëshmi për ekzistencën e një Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së sipas kuptimit ushtarak, duke shtuar se një gjë e tillë e ka dëgjuar vetëm në deklarata politike.
“Në kohën që kam qenë atje nuk kam pasur asnjë dëshmi që të ekzistojë një Shtab i Përgjithshëm sipas kuptimësisë nga pikëpamja ushtarake. Gjatë kohës time unë kam dëgjuar që të përmendet Shtabi i Përgjithshëm, por këtë në deklarata politike kryesisht”, tha Duncan.
Ai tutje tha se përveç kësaj, nga aktakuza e ka kuptuar që një organ i tillë pretendohet se ka ekzistuar që nga vitet e ’90-ta.
“Nga aktakuza kam kuptuar që është krijuar në mes të viteve ’90-të, kur UÇK-ja ishte një organizatë tejet e ndryshme dhe shumë e vogël dhe po dëshironin që t’i jepnin tituj të mëdhenj”, shtoi ai.
I pyetur nga prokuroria për ish-figurat e UÇK-së Azem Syla dhe Sokol Bashota dhe nëse i njeh ata, ai tha se për të parin është emër që e ka dëgjuar, derisa për të dytin që nuk është mirë me kujtesën e emrave.
Kur prokurori Matt Halling i tha se çka nëse i thuhet se Azem Syla ka qenë ish-komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe Sokol Bashota ish-zëvendëskomandant, dëshmitari Duncan tha se emrat i ka të dëgjuar, por tha se nuk i mban mend as emrat e Zonave Operative siç janë ndarë në UÇK.
Sa i përket komunikatave të UÇK-së, dëshmitari tha se ka parë shumë prej tyre, por mohoi të ketë parë ndonjë që përmendte ekzekutime apo likuidime ndaj kolaboracionistëve.
Duncan: Nuk kishte dhunë të orkestruar nga UÇK-ja pasluftës
(E plotësuar, 16:00) Ish-këshilltari i NATO-s, John Stewart Duncan, që është dëshmitari i tretë i mbrojtjes, gjatë dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, tha se pasluftës nuk kishte dhunë të orkestruar nga UÇK-ja.
Sipas tij, Hashim Thaçi kishte bërë thirrje për qetësi, kjo erdhi si përgjigje pas pyetjes që iu bë nëse Thaçi do të mund ta ndalonte dhunën.
“Jo, në mënyrë të pavarur jo, për shkak se me sa kuptonim ne nuk ishte dhunë e orkestruar. Ajo që do donim ne të bënte ai që të lëshonte thirrje kosovarëve që të mos bënin një gjë të tillë, të përmbaheshin, megjithatë siç e përshkrova bëhej fjalë për sulme të hakmarrjes, oportunistë-kriminelë. Pra, si çdo politikan ai mund të lëshonte thirrje për qetësi por nuk ishte në zgjedhje që ta zbatonte një gjë të tillë, por për shkak se kjo nuk ishte e organizuar nga UÇK-ja, mesa kuptonim ne nga informacionet që merrnim dhe nga burimet e zakonshme, dhe kjo ishte më e mira që mund t’i kërkonim të bënte. Dhe ai e bëri këtë”.
Duncan: Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonal
(E plotësuar, ora 13:30) Ish-këshilltari i NATO-s, John Stewart Duncan, po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai u pyet edhe si u bë që Hashim Thaçi të nënshkruhej në marrëveshjen e demilitarizimit të UÇK-së si kryekomandant, dhe nga kush erdhi propozimi.
Ish-diplomati britanik, tha se nuk i kujtohet kush propozoi që të ishte Hashim Thaçi ai që do të nënshkruante marrëveshjen dhe se propozimi ishte UÇK-ja.
Dëshmitari i thirrur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së tha se nuk e kishte problem që dokumenti të nënshkruhej nga Thaçi, sipas tij, e rëndësishme për të ishte që të siguronte angazhimin ose përfshirjen e plotë të palës kosovarë ne veçanti të krahut ushtarak.
Ai tha se titulli i Thaçit ishte titull i zmadhuar. “Nuk e di kush e ka dhënë këtë si propozim e për rrjedhojë nuk mund të iu jap dot një përgjigje të plotë, mund të iu jap gjithsesi përshtypjen time çfarë kam menduar unë në atë kohë. Sipas mendimit tim, bëhej fjalë për një titull grandioz, të zmadhuar, të madh. Dhe nga përvoja ime personale më kujtohet që në lëvizjet revolucionare afrikane që kanë ndodhur në një vend ku unë jam rritur, për shembull guerilëve iu dhanë emra të tilla si për shembull gjeneral. Edhe në Francë madje ku kam jetuar për disa vite liderët e rezistencës pra mund të thonin se ky është batalioni X, Y, por në fakt nuk bëhej fjalë për një batalion, bëhej fjalë për 300 veta pak a shumë, ekzistonte tendenca për zmadhimin, ekzagjerimin e titujve, kështu që kjo ishte diçka që nuk e mora fare seriozisht dhe nuk më befasoi fare. Nuk e di nëse ka ardhur nga modeli amerikan që presidenti ka titullin komandant kryesor, por sigurisht që situata ishte tërësisht e ndryshme, ishte thjesht një ekzagjerim, një zmadhim, një titull grandioz me emër të madh që i jepej dikujt që nuk përkonte me realitetin”, tha ai.
UÇK na ofroi darkë në një tendë, në mes të pyllit
I pyetur nëse Hashim Thaçi në realitet ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së?. “Jo, nuk kam parë asnjë dëshmi, asnjë provë të kësaj gjëje”, tha ai.
Aty tutje u publikua edhe një tjetër video. Dëshmitari tha se ishte një darkë që UÇK-ja e shtroi në mes të pyllit.
“UÇK na ofroi darkë në një tendë, në mes të pyllit, vërtetë në mes të pyllit nuk po e ekzagjeroj, dhe aty u ulëm të gjithë bashkë dhe aty përfunduam negociatat, ndamë bukën me njëri tjetrin dhe aty e kuptuam që vërtetë kishin hyrë në negociata dhe deshëm t’i siguronim që ne ishim të besueshëm, që NATO-ja nuk do t’i hiqte qafe, pikërisht NATO-ja ishte aleat i tyre, do t’i ndihmonte të çarmatoheshin me nderë dhe me shpresë të gjenin një zgjidhje në të ardhmen”, tha ai.
Dëshmitari foli edhe rreth një takimi që kishte pasur më 17 qershor 1999 me komandantët e zonave në Kosovë. “Është një video që tregon diskutimet e 17 qershorit 1999 në Kosovë”, tha ai. “Më kujtohet era, vinte era luftë, më ka bërë shumë përshtypje, era barut, era tym. Është një nga gjërat që më ka lënë mbresa, moment shumë mbresëlënës për mua”, tha ai.
I pyetur se cilat ishin pikat kryesore të këtij takimi, tha se nga komandantët e zonave kishte shumë pyetje të hollësishme.
“Nuk ishte e papritur që ata bënë shumë pyetje të hollësishme, ranë dakord për pika të përgjithshme, nga pikëpamja ushtarake ka qenë shumë frytdhënës si takim. Krahu politik, ishin shumë të vështirë, përpiqeshin të kërkonin formulime që e bënin të qartë që të njihej Qeveria e Përkohshme, dhe u përpoqëm të mos e pranonim këtë. Takimi pati një sukses të pjesshëm , teksti mbeti pak a shumë siç e kisha hartuar unë. Hezitonin shumë, sepse ata thonin se ne kemi fituar luftën e duam të çarmatosemi me nder. Nëse do të çarmatosemi, atëherë ta bëjmë siç duhet, kishte një ndenjtë të fortë prej tyre, kjo do të ishte e vështirë. Edhe ata e konsideronin vetën luftëtarë të suksesshëm dhe deshën të mbronin nderin e tyre përpara syve të popullit të tyre”.
Ai u pyet edhe për Haradinajn. “Haradinaj është karakter i veçantë, ishte si në filmat e Rambos, mbaj në mend që kishte një emblemë në krah, të binte në sy si personazh, fliste goxha, i dëgjohej zëri shpesh”.
Au tha se fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonal. “Problemi tjetër i madh ishte që udhëheqësia e UÇK-së, që personifikohej nga Hashim Thaçi, mund të mos ishin në gjendje të bindnin ushtarët e UCK-së. Ne nuk kishim besim që Hashim Thaçi do të ishte në gjendje t’i bindte ushtarakët, apo ushtarët. Nuk ishte realiste që Thaçi të njihej si udhëheqësi politik i Kosovës, kishte forca të tjera politike që ekzistonin atje si LDK, Rugova e të tjerë. Ato mund të kishin zgjedhur si udhëheqës të delegacionit të Rambujesë, por ai nuk kishte atë që quhet legjitimiteti politik në një shoqëri demokratike. Nuk ishte zgjedhur nga populli, ai kishte deklaruar një qeveri të përkohshme, por ne kishim arritur në pikën që ne në fakt apo NATO-ja ta njihte si një kryeministër të Kosovës, nuk ishte një gjë realiste, nuk përfaqësonte realitetin dhe nuk ishte një fakt i qëndrueshëm nga pikëpamja politike”.
“Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonal dhe kjo na u konfirmua kur takuam gjeneral Agim Çekun në fillim të negocimit të marrëveshjes. Ai na tha se unë nuk e bëj këtë pa praninë e komandantëve të zonave. Unë i besova, ishte shumë ngulmues për këtë çështje. E para tha se Thaçi nuk ishte i disponueshëm, dhe për ta bërë një gjë të tillë, ai pra Thaçi, duhej të konsultohej, dhe më pas ai shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë nëse në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”.
Ai tregoi se këtë bisedë me Çekun e kishte bërë më 14 qershor në Tiranë. Tha se kuptoi që komandantët e zonave kishin një fuqi të madhe. “Kuptova që kishin të paktën një lloj pavarësie, ishin komandantë me fuqi të mëdha, nga pikëpamja ushtarake ishte paksa e pazakontë. Forcat tona ushtarake nuk kërkojnë që komandantët rajonal të jenë të pranishëm në negociata nëse ke një komandant të nivelit në lartë në negociata”, deklaroi ai.
Ish-diplomati britanik flet për tiparet e shqiptarëve
(E plotësuar, ora 10:40) Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja, dëshmoi para trupit gjykues se shqiptarët e Kosovës ishin pjesë e një sistemi aparteidi gjatë kohës së Millosheviçit dhe kjo solli spastrimin etnik.
“Ata kanë qenë të përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisje, në shërbime publike, dhe kjo solli spastrimin etnik që e kemi parë të gjithë,” tha ai.
Ai tha para trupit gjykues se këshillat që ai i jepte gjeneralit amerikan Clark, burimet i kishte të larmishme. “Informoja gjeneralin Clark në mëngjes. Zgjohesha, kam hyrë në internet për të parë zhvillimet e fundit se çfarë po ndodhte në Kosovë, dëgjoja lajmet e 24 orëve të fundit, në veturë dëgjoja edhe BBC-në, lexoja të gjitha shërbimet. Përmes videolidhjeve informonim komandantët në terren”, thotë ai për punën që bënte gjatë kohës së luftës në Kosovë. Duncan thotë se përpiqej të krijonte një panoramë se çfarë kishte ndodhur çdo 24 orë në Kosovë.
Ai theksoi se kultura shqiptare e ka ndihmuar ta kuptonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duncan ndër të tjera tha se familja e Jasharajve kishte ndikim të madh gjatë vitit 1998.
Ai gjatë dëshmisë së tij, ka folur për përvojën e tij me shqiptarët, për çka veçon tri tipare të tyre, që sipas tij janë shumë burimorë, shumë kreativë dhe të pavarur.
“Sipas përvojës sime me shqiptarët, janë shumë burimorë, shumë kreativë dhe të pavarur. Ndërkohë që komuniteti ndërkombëtarë nuk e kuptonte këtë sipërmarrje apo këtë karakter dallues të marrjes së vetes në duar të veta nga shqiptarët. Shqiptarët ishin shumë kreativë dhe nëse ata janë kriminelë efektiv në vetvete nuk është çuditëse sepse ka të bëj me një nga tiparet kryesore, pra gjetjes së mënyrës për të shprehur në mënyrën më efektive. Kjo është diçka të cilën ne e kemi parë ndër vite, që shqiptarët bëhen biznesmen shumë të mirë, persona me emër në fushën e tyre.”, ka thënë Duncan.
Ai gjithashtu ka shpjeguar se komuniteti ndërkombëtar e kishte të vështirë të kuptonte këto tipare. “Kishin një vlerësim shumë larg nga e vërteta e shqiptarëve. Kjo mund të ndihmon shumë në çoftë se të duhet të trajtosh personat të cilët thjeshtë mundoheshin të mbronin veten”, ka thënë ai.
Ai u pyet edhe nëse po flet për shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë, për çka tha se po fliste për tiparet kryesore të shqiptarëve etnik.
“Unë po përshkruaja tiparet kryesore të shqiptarëve etnik, nuk është e nevojshme këtu të bëj dallimin ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë apo atyre të Kosovës”, ka shtuar ai.
Në Speciale, nis dëshminë ish-diplomati britanik | LIVE
(E plotësuar, ora 09:50) Sot në sallën e gjyqit në Gjykatën Speciale në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ka nisur dëshminë, dëshmitari i tretë me radhë, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja.
Duncan ka qenë për tre vjet këshilltar i Komandantit të Forcave të NATO-s, Wesley Clark, gjatë viteve 1998–2001. Ka shërbyer gjithashtu në misione të tjera diplomatike, si në Sudan dhe Francë. Ai vjen në Hagë pas dëshmisë së ish-ndihmësit të Sekretarit të Shtetit dhe zëdhënësit të Madeleine Albright, James Rubin, si dhe Paul Williams, ish-këshilltar i Kosovës në Rambuje.
Në Speciale dëshmon sot dëshmitari i tretë i mbrojtjes
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (Specialja) në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku do vazhdojë paraqitja e provave të mbrojtjes me thirrjen e dëshmitarëve në këtë rast të gjykimit.
Seancat në gjykim janë caktuar për të hënën, martën dhe të mërkurën.
Ndryshe javën e kaluar mbrojtja e Hashim Thaçit filloi paraqitjen e provave të saj me thirrjen e dëshmitarëve në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Të hënën, më 15 shtator, filloi dhënien e dëshmisë Xhejms Rubin, dëshmitari i parë i thirrur nga Mbrojtja. Z. Rubin vazhdoi dëshminë të martën dhe të mërkurën, kur iu bënë pyetje nga Mbrojta dhe nga Prokuroria. Gjykatësit e Trupit Gjykues gjithashtu i bënë pyetje dëshmitarit.
Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000. Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.
Po ashtu javën e kalur edhe, dëshmitari i dytë, Pawl Uilliams dëshmoi para trupit gjykues. Williams, i prezantuar nga Mbrojtja si këshilltar ligjor pro bono për delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë në shkurt dhe mars 1999.
Average Rating