
Marrëveshje historike Izrael–Hamas, çfarë dihet për hapat e ardhshëm pas marrëveshjes
Një marrëveshje historike për fazën e parë të planit të paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është arritur mes Izraelit dhe Hamasit, duke ndaluar përkohësisht luftime në Gaza dhe duke parashikuar lirimin e pengjeve dhe të burgosurve.
Presidenti Trump e quajti marrëveshjen “historike” dhe tha se lirimi i 20 pengjeve izraelite mund të ndodhë të hënën ose të martën, ndërsa Izraeli do të liron qindra palestinezë. Një pjesë e forcave izraelite do të tërhiqet nga zonat e banuara, ndërsa qindra kamionë me ndihma do të hyjnë në Gaza për të mbështetur civilët e prekur nga lufta.
Hapat e ardhshëm
Tërheqja e trupave: Pas miratimit të marrëveshjes nga Kabineti i Izraelit, forcat izraelite do të tërhiqen pjesërisht nga zonat e banuara. Megjithatë, Izraeli mund të ruajë kontrolle në disa zona strategjike, duke përfshirë Korridorin Filadelfi dhe disa pika buffer, derisa të sigurohet çarmatosja e Hamasit.
Çarmatosja e Hamasit: Izraeli kërkon që Hamas të dorëzojë armët e tij ofensive dhe rrjetin e tuneleve, ndërsa Hamasi mund të pranojë një “dekomisionim” nën mbikëqyrje të një komiteti palestinez-egjiptian.
Qeveria e re e Gazës: Hamas ka rënë dakord të largohet nga sundimi i Gazës dhe të dorëzojë administrimin tek një trup i teknokratëve palestinezë. Plani i Trump parashikon që një organ ndërkombëtar, i njohur si Këshilli i Paqes ose Bordi i Paqes, të mbikëqyrë qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës, ndërkohë që teknokratët menaxhojnë punët e përditshme.
Rindërtimi dhe ndihmat: Qindra kamionë me ndihma do të hyjnë në Gaza menjëherë pas nisjes së fazës së parë të marrëveshjes, dhe pritet të rritet gradualisht mbështetja për qytetarët.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Izraeli kërkon siguri dhe kontroll mbi pjesë të Gazës derisa të sigurohet çarmatosja e Hamasit, ndërsa palestinezët janë të shqetësuar për të ardhmen e qeverisjes dhe rindërtimin e qyteteve të shkatërruara. Nëse negociatat për fazat e ardhshme dështojnë, Gaza mund të mbetet në një situatë të paqëndrueshme, me rrezikun e rifillimit të konfliktit, shkruan AP.
Izraelitët kanë festuar lirimin e pengjeve, ndërsa palestinezët shprehin kujdes dhe skepticizëm për vijimësinë e paqes dhe për rikthimin në normalitet. Presioni ndërkombëtar, sidomos nga SHBA, Egjipti, Katari dhe Turqia, do të luajë një rol kyç në zbatimin e marrëveshjes dhe sigurimin e një ndalimi të qëndrueshëm të luftimeve.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sot ka njoftuar se Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për fazën e parë të planit të tij të paqes në Gazë, pas disa muajsh tensioni dhe negociatash të ndërlikuara.
Marrëveshja e fazës së parë pritet të shënojë fillimin e një procesi të ri paqeje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, ku përfshihen lirimi i pengjeve izraelite dhe i të burgosurve palestinezë, tërheqja graduale e forcave izraelite nga pjesë të Gazës dhe lehtësimi i hyrjes së ndihmave humanitare në këtë territor.
Qeveria e Izraelit do të mblidhet sot dhe, nëse e miraton zyrtarisht marrëveshjen, pritet që armëpushimi të hyjë në fuqi menjëherë pas këtij vendimi. Sipas Shtëpisë së Bardhë, të gjithë pengjet izraelite që mbeten nën kontrollin e Hamasit do të lirohen deri të hënën, ndërsa më pas do të shqyrtohen hapat e mëtejshëm të procesit.
Hamasi ka konfirmuar gjithashtu arritjen e marrëveshjes, megjithatë, sipas një burimi palestinez, grupi ende nuk e ka marrë listën përfundimtare të të burgosurve që Izraeli planifikon t’i lirojë në kuadër të saj.
Në Gazë dhe në Izrael janë regjistruar skena festimi nga të dyja palët – palestinezët për përparimin drejt paqes, ndërsa familjarët e pengjeve izraelite për lajmin e lirimit të afërm të të dashurve të tyre. Negociatat u zhvilluan në Sharm el-Sheikh të Egjiptit dhe janë vlerësuar si më të rëndësishmet në muajt e fundit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e ka quajtur marrëveshjen “një ditë të madhe për vendin e tij”, ndërsa kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se ky është “një moment lehtësimi që do të ndihet në mbarë globin”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka përgëzuar përpjekjet diplomatike të SHBA-së, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë për ndërmjetësimin e kësaj marrëveshjeje.
Dje drejt Egjiptit kishin udhëtuar edhe emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, si dhe kryeministri i Katarit e shefi i inteligjencës turke, për të dhënë shtytje finale arritjes së saj.
Në zhvillime të tjera, Franca do të mbajë të enjten në Paris një takim me vendet arabe dhe evropiane për të diskutuar planet e “një dite më pas” për Gazën, në rast se armëpushimi do të zgjasë.
Në takim do të marrin pjesë ministrat nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania, Spanja, Turqia dhe Bashkimi Evropian – por jo Izraeli.
Average Rating