Libra të rinj: Rrugëtim jete

Read Time:8 Minute, 0 Second

Hajrie Hysen Kruja

E lexova me shumë dëshirë këtë libër të shkruar nga bashkëmoshatarja dhe bashkëstudentja ime, zonjusha Hajrie. E takova para një jave për një kafe për të ma dhënë këtë libër të botuar në qershor 2026 dhe një vëllim poetik me temë të njëjtë, botuar në 2011.
Biseduam bukur gjatë për jetën e kaluar ku mësova për momentet kryesore që përshkruhen në libër. Natyrisht në afro 330 faqe mëson plot hollësira dhe përjetime të shoqëruar mjeshtërisht me thënie të bukura popullore dhe filozofike. Është një jetë e tërë e kaluar në regjimin komunist dhe në atë paskomunist, një rrugëtim i një gruaje të përndjekur në komunizëm dhe të suksesëshme më pas. Figurat kryesore janë babai, Hysen, nëna Sadete dhe vëtë Hajria.
Hyseni ishte një sipërmarrës në Peqin, më prejardhje nga Kruja që arriti brenda disa vitesh të ngrinte një industri të lehtë (fabrikë vaji, fabrikë sapuni, mulli drithi etj) duke punësuar dhe zhvilluar ekonominë e qytetit dhe më gjerë.
Por vendosja e pushtetit komunist e ndërpreu këtë veprimtari, në kuadër të “luftës ndaj borgjezëve”. Vetë Hyseni u burgos, prona iu muar, familja (bashkëshortja dhe gjashtë fëmijë) mbeti në rrugë. Ndërsa Hyseni kalonte kalvarin e burgut, e shoqja Sadetja rropatej të mbante gjallë fëmijët dhe veten. E trajtuar si armike nuk i jepnin punë për shumë kohë, dmth nuk merrta as triska për të marrë bukë dhe ushqime në shitoret e shtetit. Kur i dhanë punë larg shtëpisë matanë Shkumbinit dhe më vonë në Gosë të Kavajës, sërish shumë larg, ajo nuk u përkul por qendroi e paepur duke dëmtuar shëndetin dita ditës. Ndërkohë i helmohet djali i vetëm me një gotë qumësht që shpërndante shteti nga ndihmat e UNRRA-s ku një person cmirzi, i urdhëruar, kishte shtirë helm. Përse? Që Hyseni mos të kishte trashëgimtar!
Katër vajzat e para ndoqën shkollën fillore, pastaj atë shtatëvjeҫare dhe pastaj punonin për familjen, ndërsa Hajria, që dëshironte të ndiqte një shkollë profesionale pati vetëm mundësinë e gjimnazit. Studioi me zell, arriti rezultare të shkëlqyera, por gjithnjë e përbuzuar nga njerëzit e pushtetit. Ndër të tjera nuk e pranonin në organizatën e rinisë, gjë që do t’I pamundësonte vazhdimin e shkollës së lartë. Një rastësi e ndihmoi, kishte mungesë mësuesish për matematikë, prandaj pedagogë të universitetit u urdhëruan të gjenin nxënës të talentuar në gjimnazet e vendit. Profesor Osman Kraja u bë engjëll mbrojtës i Hajries që siguroi të drejtën e studimit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Por jo bursë! Megjithatë Hajria vazhdoi të studiojë me zell. Ndërkohë i jati ishte liruar nga burgu dhe bëri ҫmos ta ndihmonte.
E emëruan në Rrethin e Elbasanit (Peqini, dikur rreth, i ishte bashkangjitë Elbasanit, si “hakmarrje” pasi aty kishte jetuar Mustafa Gjinishi). Gjimnazi i Peqinit nuk kish mësues universitar për matematikën, por aty nuk mund ta caktonin Hajrien. Nisi një odise e gjatë punë në fshatra të largëta, disa orë larg në këmbë.
Vetëm pas 1991, Hajria u emërua në Peqin. Në atë kohë pluralizmi ajo madje u zgjodh deputete!

Kaq si hyrje. Si zakonisht, por jap fragmente nga libri.
f.59
Në burg Hysenin e torturuan ҫnjerëzisht. Vetë Petrit Hakani, hetues.
Në mes të dimrit e fusnin në fuҫi me ujë të akullt, ku ҫaheshin copat e akullit me rroba veshur dhe pasi ngrohej uji nga temperature e trupit, shkarkohej me rubinetin poshtë dhe fillohej nga e para…
E torturonin edhe psikologjikish, Imitonin zëra fëmijësh dhe i thonin se janë vajzat e tua. Fëmijët qanin , ulërisnin, ata i goditnin me forcë dhe përmendnin emrat e vajzave.

f.62
Përse e burgosën Hysenin?
Sepse ishte tregtar, kishte ngritur një biznes të ndershëm dhe kishte punësuar shumë bashkëqytetarë të tij, sepse dërgonte ndihma me kamionë të ngarkuar me miell, vaj, sapun dhe të holla për ҫetën e Pezës. Sepse ishte antikomunist, sidomos pas Marrëveshjes së Mukjes, ishte demokrat e atdhetar.
f.80
Mbas disa ditësh (që e helmuan vëllain) njëri nga të afërmit e familjes M.K., para se ta zhduknin edhe atë përgjithmonë, vjen e takon nënën time dhe i jep informacionin se cilët ishin ata që e kryen këtë krim ( kush ia dha djalit ta pinte gotën e qumshtit dhe me urdhër të kujt).

f. 88
Kur Sadetja hyn me forcë në zyrën e kryetarit të Komitetit për të kërkuar punë, ky i shqetësuar thërret:
⦁ Kush të futi brenda

Roja që po e ndiqte te dera tha hyri vetë.

  • Hyra vetë-shiheni rojen që më ndoqi.
  • Jashtë!-urdhëroi kryetari.
    Por Sadetes s’I bënin sytë më dritë, bëri dy hapa para dhe i thotë
    ⦁ Jam këtu, dërgo një person në shtëpinë time të shohin fëmijtë e mij që po vdesin nga uria. Po më vdesin fëmijtë për bukë, babain e burgosët, mua s’më jepni punë, me ҫfarë do ushqehen ata?
    ⦁ Roje, thirr policinë!
    Sadetja, një zonjë fisnike, një grua e hekurt, e papërkulur menjëherë i përgjigjet se nuk më nxjerr dot mua me polic dhe përsërit me zë të fortë se kish ardhë të kërkojë punë, se po i vdisnin fëmijët për bukë dhe largohet.

f.107
Duke shkuar të takonin burrat në burgun e Burrelit

Kishin hipur në karrocerinë e një kamioni pasi shoferit i kish ardhë keq tek i shihte të prisnin në rrugë në të ftohtë.
I ndalojnë dy burra të patrullës
⦁ Ku shkon, e pyesin shoferin
⦁ Në Burrel, këto gra kanë të afërmit e tyre
⦁ Në burg?!
⦁ Po!
⦁ Zbrisni poshtë!

⦁ Vazhduan rrugën në këmbë. Ra nata. Gjetën një banesë të papëbrfunduar. U futën renda tërë frikë, në katin përdhes, se mos u vinte ndonjë kafshë e egër..
f.113
Takimi në largësi me babain
Ishte një trup i gjatë me shpatulla të gjera, i veshur me xhup dhe pantallona të vjetra të dalë boje, me nallane prej druri në këmbë. Ishte shumë i bardhë, me flokë të bardhë. Sapo arriti na buzëqeshi Zemra po më dilte nga vendi. Doja ta përqafoja (Hajria kish lindë pasi babai ishte burgosur)
⦁ Si jeni?
Për herë të parë dëgjova zërin e babit tim. Kishte një zë të ëmbël, të plotë. Doja të qaja por mami më kish porositur të mos qaja kur ta shihja Tatën, se ai mërzitej. Përshëndeti dhe ledhatoi motrën më të madhe, Dianën.
⦁ Po kjo kush është, tha për mua.
Desha të thërrisja fort:
⦁ Jam Hajria, Tatë, nuk më njeh?
Unë dridhesha e tëra nga gëzimi.
Ҫ’është kjo padrejtësi Të shkosh për ta takuar, të ecësh në këmbë natën e ditën, të flesh rrugëve, të jesh aq afër dhe hekura, lloze, dryna të mëdhenj që të ndalojnë ta përqafosh babain tënd, që tani e ke aq pranë…

f.152
Kur babai doli nga burgu.
E pritëm te stacioni i trenit. Ishin momente magjike. Hera e parë që prekja babain tim. Po, po,…hera e parë! Ishte e vërtetë apo ëndërr?
⦁ Po ti qënke thinjë më shumë se unë, moj Sadet, i tha babai nënës dhe ia hedh dorën në qafë. (babai ishte tërësisht me flokë të bardhë)

Gruaja e xhaxha Shabanit, Fatimja, i tha:

⦁ Të ka pritur me yll në ballë, me nder dhe itibar.
f.179
Pse më doli e drejta e studimit
Në konferencën e zhvilluar me intelektualët në Tiranë, Enver Hoxha ka qenë shumë kritik me pedagogët se po mbyllej dega e matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, nuk kishte studentë. Për këtë arsye pedagogët e fakultetit, pas provimit të matematikës (në matura) shpërndahen në shkollat e mesme në gjithë Shqipërinë dhe marrin emrat e nxënësve që kishin dalë me rezultarin më të lartë në këtë provim. Me gjithë kundërshtimin e shumë mësuesve, për arsye të biografisë sime, i deleguari kishte këmbëngulur shumë, prof. Osman Kraja) dhe e regjistroi emrin tim. Kështu që më doli e drejta e studimit. Me gjithëse i plotësoja kriteret ekonomike për bursë, nuk më dhanë bursë.
f.207
Nga vështirësitë e punës në fshat
Nuk kishin të mbaruar hallet.
Pas tre orësh në shi dhe në furtunë, arrij me shoqen time në shkollë. Asnjë nxënës. Vendosim të kthehemi në shtëpi. Moti shumë i keq, shi me rrebesh. Gjatë ecjes vazhdimisht ktheja kokën për të parë a po vinte pas meje shoqja. Në një moment nuk e vura re. Mos ka rrëshqitur diku, mendova. E shqetësuar pa masë nisa ta thërrisja me emër. Po ajo ishte strukur me ҫadër të mbyllur te një shkurre, ndërsa rrebeshi dhe vetëtimat vazhdonin.
⦁ Po ti, këtu?
Ajo më hidhet në qafë, më shtrëngon fort, ashtu sikurse ishim të lagura të dyja. Lotët na rridhnin nëpër faqe, të përziera me rrëketë e shiut nga flojët, trupi që vetëm dridhej flisnin shumë. Një pamje të tillë, kaq origjinale, kurrë nuk do realizohej edhe sikur të punonim gjatë për një skenar filmi..

f.223
Deputete
⦁ Do befasoj sallën, thotë njëri nga paria e Partisë Socialdemokrate, D. Ҫeka (në koalicion me Partinë Demokratike në Peqin), do propozoj mjë femër, kandidaturën e Hajrie Krujës. Kjo merr mbështetjen e të pranishmëve në sallë për t’I përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë. i deleguari nga Elbasani A. Paralloi, thotë:
⦁ Kur kam shkuar për kontroll në shkollën e Rrasës shoh se mësuesja e matematikë- fizikës në këtë shkollë jepte mësim 47 orë në jave kur norma ishte 26! Por Hajria e bënte punën me përsosmëri të arrirë.
f.225
Kam qenë një zë i fuqishëm dhe rezultativ në parlament për formimin e rrethit të Peqinit, një e drejtë e merituar, e shumëpritur, e cila ishte mohur prej shumë kohësh. U krijuan në Peqin të gjitha institucionet, po ashtu gjykata, prokuroria. Peqini u bë qendër e kategorisë së parë.
f.232
Bashkë me Pjetër Arbnorin i kërkuam Qeverisë ҫfarë ka bërë për shtresën e të përndjekurve politikë. Rezultati ishte një përmirësim i dukshëm në anën ekonomike, arsimore, strehim dhe punësim.

Konspektoi Bardhyl Selimi, 2 gusht 2026

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Skrapari dhe Kosova