Prekazi rikthehet në drejtësi: 35 të pandehur për krimet e marsit 1998
28 vjet pas ngjarjeve të përgjakshme në Prekaz, Prokuroria Speciale e Kosovës ka hedhur një hap të ri në zbardhjen e përgjegjësisë për vrasjen e civilëve.
35 persona janë përfshirë në aktakuzën e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me sulmet e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 në lagjen e Jasharëve.
Aktakuza për krimet në Prekaz rikthen edhe një herë në vëmendje çështjen e drejtësisë për krimet e luftës.
Tri ditë që lanë gjurmë në historinë e luftës në Kosovë. 5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998. Në Prekaz, forcat serbe ndërmorën një operacion të gjerë kundër familjes Jashari dhe banorëve të lagjes, duke vrarë 56 anëtarë të familjes Jashari dhe banorë të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Por, sipas Prokurorisë Speciale, hetimi nuk është ndalur vetëm te viktimat dhe pasojat e sulmit. Për vite me radhë janë mbledhur dëshmi, dokumente dhe prova për t’i identifikuar strukturat, njësitë dhe personat që, sipas aktakuzës, kanë pasur përgjegjësi komanduese. Sot, kjo punë është konkretizuar me një aktakuzë kundër 35 personave.
“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzë të parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz”, ka thënë Blerim Isufaj kryeprokuror i PSRK-së.
Sipas hetimeve, janë identifikuar njësitë që kanë marrë pjesë në operacion, pozicionet nga të cilat kanë sulmuar, armatimi i përdorur dhe roli i secilit prej të pandehurve. Por, shifra që rëndon më së shumti në këtë aktakuzë janë viktimat. 26 civilë, sipas Prokurorisë, u vranë gjatë sulmit. Në mesin e tyre kishte fëmijë, gra dhe të moshuar. Më i vogli ishte vetëm pesë vjeç.
“Provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë”, ka thënë Valdet Gashi prokuror i rastit.
Por, sipas Prokurorisë, dhuna nuk përfundoi me vrasjet. Banorë të lagjes Jashari, sipas aktakuzës, ishin marrë peng nga shtëpitë e tyre dhe ishin keqtrajtuar. Dhe pikërisht identifikimi i njësive përgjegjëse ishte një nga sfidat më të mëdha të hetimit.
Në mesin e strukturave të përmendura nga Prokuroria është edhe Njësia për Operacione Speciale e Serbisë. Një emër i njohur nga historia e strukturave speciale serbe del në këtë aktakuzë, Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”.
Emri i Ulemekut nuk është i panjohur për drejtësinë. Në Serbi, ai është dënuar me 40 vjet burg për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq dhe për raste të tjera të rënda të vrasjeve dhe atentateve politike. Ndërsa tash, emri i tij është pjesë edhe e një aktakuze në Kosovë për ngjarjet në Prekaz.
Por 35 të pandehurit nuk janë paraqitur para Prokurorisë. Aktakuza është ngritur në mungesë, pasi, sipas Prokurorisë Speciale, janë shterur të gjitha mundësitë për sigurimin e tyre në procedure penale.
Prokurori Gashi ka thënë se, bazuar në informacionet që posedon aktualisht Prokuroria, të gjithë të pandehurit janë gjallë. Tani, fjala i takon Gjykatës, e cila do të vlerësojë aktakuzën, provat dhe pretendimet e Prokurorisë.
Prekazi mbetet një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë. Por pas 28 vitesh, drejtësia po tenton të rikthehet te emrat, njësitë dhe zinxhiri komandues që, sipas Prokurorisë, qëndronte pas operacionit, 35 emra në një aktakuzë dhe 26 civilë të vrarë.
https://www.facebook.com/plugins/video.php?

Average Rating