Antony Blinken rikthehet në Izrael dhe Jordani

Read Time:3 Minute, 23 Second

Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë sërish drejt Lindjes së Mesme të premten, ndërsa lufta mes Izraelit dhe Hamasit vazhdon. Ekspertët nga ana tjetër, po përpiqen të kuptojnë nëse itinerari i sekretarit Blinken, do të përfshijë edhe një ndalesë në Turqi.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë sërish drejt Lindjes së Mesme të premten, ndërsa lufta mes Izraelit dhe Hamasit vazhdon. Ekspertët nga ana tjetër, po përpiqen të kuptojnë nëse itinerari i sekretarit Blinken, do të përfshijë edhe një ndalesë në Turqi.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka dënuar Izraelin dhe e ka cilësuar Hamasin një “grup çlirimtar”, një pozicion që bie ndesh me pikëpamjet e Uashingtonit, njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine.

Ndërsa lufta mes Izraelit dhe grupit militant Hamas vazhdon, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do të niset të premten drejt Izraelit, pas dy ndalesash në këtë vend, vetëm disa ditë pas sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit, të ndërmarrë nga Hamasi, ndaj civilëve izraelitë.

Të mërkurën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u pyet mbi objektivat kryesore të udhëtimit të Blinkenit.

“Sekretari Blinken do të udhëtojë për në Izrael dhe Jordani të premten. Ai do të takohet me Kryeministrin Netanyahu dhe udhëheqës të tjerë të qeverisë izraelite, për t’u përditësuar me objektivat e tyre ushtarake dhe planet që kanë për përmbushjen e tyre. Blinkeni do të përsërisë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare si dhe do të diskutojë mbi nevojën për të marrë të gjitha masat paraprake, për të minimizuar numrin e viktimave civile, si dhe për të ofruar ndihmë humanitare”.

I pyetur nëse pjesë e axhendës së Sekretarit Blinken do të ishte dhe një ndalesë në Turqi, Miller tha se dy ndalesat e vetme të konfirmuara, ishin Izraeli dhe Jordania.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, u është bashkuar vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, që kanë dënuar Izraelin lidhur me sulmet e tij në Rripin e Gazës.

Gjatë një proteste masive pro-palestineze të shtunën në Stamboll, Erdogan tha se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është terrorist dhe jo grupi militant i Hamasit.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera perëndimore e kanë cilësuar Hamasin një grup terrorist. Koloneli në pension i ushtrisë amerikane, Rich Outzen, tha për Zërin e Amerikës se administrata Biden ka qenë e kujdesshme të mos provokojë aleatin strategjik të saj në NATO, por gjithashtu nuk ka qenë e etur të përqafojë qëndrimet e presidentit Erdogan.

“Ekziston një lloj hezitimi për të krijuar një lidhje mes administratës amerikane me Erdoganin dhe ekipin e tij. Çështje si fotot e takimeve të nivelit të lartë mes dy presidentëve, apo vizita në nivel sekretarësh, nëse Sekretari Blinken shkon atje, apo dhe telefonata mes presidentëve, të gjitha këto janë gjëra që administrata Biden i ka trajtuar me shumë kujdes”, tha Rich Outzen, i Këshillit të Atlantikut.

Shqetësimet ndërkombëtare janë në rritje lidhur me viktimat civile palestineze.  Outzen tha se sekretari Blinken do të bëjë atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë historikisht në situata të ngjashme në të kaluarën, të mbështesë Izraelin, por njëkohësisht ta nxisë atë që të përfundojë operacionet e sigurisë në Gazë, sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllimin për të minimizuar vdekjet në radhët e civilëve.

“Mendoj se qëllimi kryesor i kësaj vizite në rajon të zotit Blinken do të jetë të sigurojë, që të gjithë që të jenë të gatshëm të ushtrojnë masa parandaluese diplomatike dhe nëse do të jetë e nevojshme edhe ushtarake, për të mbajtur Hezbollahun libanez, sirianët, apo ndonjë aktor tjetër, si iranianët, të cilët mbështesin forcat Huthi në Jemen, për të mos e përshkallëzuar situatën në një konflikt rajonal”, tha Outzen.

Ministri i Jashtëm i Iranit u takua të mërkurën në Turqi me homologun e tij turk. Dy diplomatët e lartë ndanë shqetësimin mbi mundësinë e përhapjes së luftës Izrael-Hamas në Siri, si dhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme. Turqia ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, kërkesë që Izraeli e ka refuzuar.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Rusia tërhiqet nga Traktati i Ndalimit të Testeve Bërthamore
Next post YIHR: Serbia i fshin nga listat e votimit 3.370 shqiptarë në Luginë