Bislimi e Nagavci, qëndruan për herë të parë si përfaqësues të Qeverisë së Kosovës në Luginë të Preshevës
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, qëndruan për herë të parë si përfaqësues të Kosovës në Luginë të Preshevës.
Qeveritarët e Kosovës u premtuan shqiptarëve në Luginë të Preshevës qasje serioze të Republikës së Kosovës për të ndihmuar ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve në këtë zonë.
Bislimi e Nagavci vizitën e filluan në Këshillin Kombëtar Shqiptar, takuan deputetin popullor Shaip Kamberi, kryetarin e Komunës në Bujanoc Nagip Arifin dhe vizituan dy shkolla fillore në Bujanoc e Preshevë.
Dyshen qeveritare të Republikës së Kosovës nikoqirët e njohën me gjendjen reale të shqiptarëve, mungesën e të drejtave themelore, pasivizimin e adresave dhe ikjen e të rinjve nga ky rajon.
Mysafirët i falënderoi për vizitën, kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, Ragmi Mustafi.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka folur edhe për letrën e kancelarit Scholz që ditë më parë i kishte ardhur kryeministrit Kurti.
Bislimi e Nagavci kanë takuar edhe përfaqësuesit e partive politike që i tubojnë shqiptarët e Luginës dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare të cilat zhvillojnë aktivitete në këtë rajon.
Në deklarimin para gazetarëve ai tha se fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë
“Vizituam dy shkolla, u dhamë libra falas. 4 mijë e 10 nxënës kanë përfituar tekstet falas për gjitha klasat e fillores. Po aq sa jemi të gëzuar që kemi pasur mundësinë të mbulojmë këtë kosto, po aq jemi të shqetësuar se kemi ndarë libra vetëm për 4 mijë e 10 nxënës duke ditur që para pak vitesh në shkollat e Luginës kanë vijuar mësimet mbi 13 mijë nxënës shqiptarë. Është pak e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia me politikat e saj ka arritur të shpopullojë këtë regjion. Tani ka ardhur momenti t’i tregojmë Evropës se si fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë meqë nuk ka asnjë regjion në Evropë ku popullata ende në vitin 2022 lufton për tekste mësimore, për të drejta bazike e përfaqësim qoftë minimal në institucione shtetërore”, ka thënë Bislimi.
Deputeti, Shaip Kamberi kërkon më shumë prani të Kosovës në Luginë
Edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka zhvilluar takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci gjatë qëndrimit të tyre në Luginë.
Ai ka treguar se në këtë takim ka theksuar nevojën për një prani më të madhe të Kosovës në Luginën e Preshevës.
“Biseduam për rrjedhat e përgjithshme politike në Luginë të Preshevës e rajon, nevojën e prezencës më të madhe të Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës me projekte konkrete, nevojat e qytetarëve të Luginës në Kosovë e sidomos për angazhim më të madh të përfshirjes të të drejtave të shqiptarëve në dialog me Serbinë duke aplikuar parimin e reciprocitetit”, ka shkruar Kamberi.
/RTK/
Average Rating