Veriu i Kosovës, Ana Bërnabiq: Interesi i Serbisë dhe i popullit serb është paqja dhe stabiliteti
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, pas arritjes së saj në Veriun e Kosovës është shprehur para mediave se dëshiron të përcjell mesazhe të paqes, stabilitetit dhe tolerancës.
“Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interesi i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti”, deklaroi ajo.
Ajo u shpreh se është e lumtur që ndodhet në Kosovë pasi sipas saj serbët në Mitrovicën e Veriut janë “në një moment kaq të vështirë”.
Ndërkaq theksoi se aktualisht është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tha se një gjë të tillë do ta përsërisë kudo që të shkojë nga Mitrovica në Bruksel e Pekin.
“Në këtë do të vazhdojmë të këmbëngulim çdo ditë”, potencoi Bërnabiq.
Një “reciprocitet” vizitash po ndodhë këtë të hënë, kur kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq viziton Kosovën dhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, shkuan në Luginë të Preshevës.
Kryeministrja e Serbisë ka ardhur me agjendë të ngjeshur në Kosovë.
“Gjatë vizitës, Brnabiq po viziton Mitrovicën, Zveçanin dhe Leposaviqin”, thuhet në njoftimin e qeverisë serbe.
Bashkë me të, do jenë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq dhe drejtori i Zyrës për IT dhe e Qeverisje Mihailo Jovanoviq.
Ky i fundit vjen, pasi Brnabiq do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës dhe të ashtuquajtur Akademinë në Mitrovicë, pas së cilës është planifikuar një vizitë në manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit.
Më pas, në komunën e Leposaviqit, kryeministrja serbe do të vizitojë familje serbe që qeveria serbe u ka ndërtuar shtëpi.
Kjo është vizita e parë e Brnabiç qysh nga viti 2017, kur kishte vizituar Kosovën në cilësinë e njëjtë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilin Brnabiq nuk e njeh për homolog, e ka komentuar vizitën e saj, por vetëm për të thënë se pret që ajo “të mos bëjë deklarata përçarëse, si i ashtuquajturi drejtor për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq”.
Average Rating