Derek Chollet: Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe Asociacionin
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Kështu tha ai gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë.
“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duke të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”.
Chollet tha se SHBA-ja beson se dialogu është mjeti më është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike.
Para takimit me gazetarë, Chollet takoi liderët institucional dhe të partive politike opzitare në Kosovë.
Procesi i dialogut, plani evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Cholletit.
Kështu u tha në njoftimin për media të 11 janarit të Zyrës së Kryeministrit.
“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.
Para Kurtit, Chollet, i cili më 11 janar nisi vizitën në Kosovë, takoi presidenten Vjosa Osmani.
Në takim, presidentja Osmani, sipas një njoftimi për media, tha se angazhimi i shtuar i SHBA-së në dialogun me Serbinë është “vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”.
Ajo përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Osmani.
Chollet dhe Osmani, sipas Presidencës kosovare, biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe botë dhe ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, “Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”.
Zyrtari amerikan takoi edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Në rrjetin social në Facebook, nënkryetar i kësaj partie, Dalibor Jevtiq, tha se në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë.
Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Këshilltari i DASH-it, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradi.
Para nisjes së vizitës në Kosovë, DASH tha se ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se vizita e zyrtarit të lartë amerikan është e rëndësishme, sa i përket dinamizimit të procesit të dialogut.
“Është e qartë se kërkesa kryesore e Chollet do të jetë angazhimi më i madh, më energjik, më i mirëfilltë, më kualitativ i Qeverisë së Kosovës në dialog sepse edhe investimet madhore amerikane në Ballkan janë të drejtuar në arritjen e marrëveshjes finale dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një etape të re historike”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Sa i përket Serbisë, Muhaxhiri thotë se ky shtet ka presione të mëdha, si nga SHBA-ja, po ashtu edhe nga BE-ja, mirëpo sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton që fokusin ta vendosë te “mospajtimet dhe refuzimet e Kosovës ndaj kërkesave amerikane”.
“Por, është absolutisht e qartë që edhe Serbia do të duhet të bëjë kompromise shumë të mëdha nëse dëshiron që të mos stigmatizohet si bllokuese e procesit dhe nëse dëshiron që të ketë të ardhme normale evropiane”, thotë ai.
Average Rating