Gjykata Kushtetuese e Serbisë refuzon të ja rikthejë adresën e pasivizuar qytetarit nga Medvegja
Safet DEMIRIT, nga Medvegja i mohohet e drejta për të kthyer adresën edhe nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë.
Spastrimin etnik-diskriminimin në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc përmes pasivizimit të adresave po e ndihmon edhe Gjykata Kushtetuese e Serbisë.
Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, Safet Demirit i mbetet që drejtësinë ta kërkojë në Gjykatën Ndërkombëtare në Strazbur.
Në lidhje me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese kanë reaguar udhëheqësit politik në Luginë të Preshevës
Reagimi i deputetit popullorë dhe kryetarit të PVD-së, Shaip Kamberi
Safet Demirit i mohohet e drejta për të kthyer adresën, Gjykata Kushtetuese e Serbisë po iu bashkohet legjitimimit të spastrimit etnik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Sadik Demiri, qytetar shqiptar i Medvegjës, duke vendosur të mos heq dorë nga adresa dhe vendbanimi i tij në Medvegjë, pas ndjekjes së procedurave ligjore, iu kishte drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Sërbisë, për të kërkuar drejtësi e për ta kthyer adresën e pasivizuar padrejtësisht.
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e tij, duke e vlerësuar si të pabazë dhe duke e mbyllur si çështje.
Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese po e dëshmon se është e kapur nga sistemi dhe e kontrolluar nga partia shtet.
Pas legjitimimit të gjuhës së urrejtjes dhe lejimit të përdorimit të termeve fyese karshi shqiptarëve, kjo gjykatë tanimë ka legjitimuar edhe spastrimin sistematik etnik të cilin ndaj shqiptarëve të Luginës në përgjithësi e ndaj Medvegjasve në veçanti, po aplikon shteti ndër vite.
Ky vendim i Gjykatës kushtetuese, përveç që dëshmonë diskriminimin ndaj shqiptarëve, në të njejtën kohë pasqyron më së miri mungesën e demokracisë dhe funksionimin autokratik të këtij shteti.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nuk duhet dhe nuk guxon të zbrapsë betejën tonë të përbashkët për barazi, prandaj ftoj të gjithë qytetarët e pasivizuar të nisin procedura gjyqësore për kthimin e adresave dhe inkurajoj që rastet si të Safet Demirit të përfundojnë në instancat më të larta ndërkombëtare të drejtësisë.
Strazburi adresa e radhës për ta vazhduar betejën!
Reagimi i kryetares së komunës së Preshevës, Ardita Sinani
Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës, Organi më i lartë i drejtësisë në Serbi po legjitimon spastrimin etnik dhe pasivizimin diskrimues të shqiptarëve të Luginës.
Përveç legjitimimit të diskriminimit të skajshëm rreth pasivizimit, Gjykata Kushtetuese, me një vendim antikushtetues si ky, po punon në dekurajimin e shqiptarëve të Luginës në betejën e tyre për drejtësi e barazi.
Sadik Demiri është shembulli më i mirë i diskriminimit që po ua bënë shqiptarëve Serbia, e në të njejtën kohë edhe shembull se si nuk duhet të dorëzohemi.
Andaj, kur Serbia, nëpërmjet organit të saj më të lartë të drejtësisë po vazhdon avazin e vjetër, shqiptarëve të Luginës u mbetet që drejtësinë ta kërkojnë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.
Nga atje do ta mundim diskriminimin e Serbisë dhe po atje do të vendosim drejtësinë.
Reagimi i kryetarit të KKSH-së, Nevzad Lutfiu
Edhe Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës, që do të thotë edhe institucioni më i lartë i Drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave.
Safetit i është hapur rruga për në Strasburg dhe ai do ta ndjekë atë.
Ky spastrim etnik duhet të ketë verdikt ndërkombëtar, prandaj i ofroj mbështetjen time të plotë Safet Demirit.
Reagimi i Ragmi Mustafit, kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc
Drejtësi selektive apo diskriminim sistematik?
Rasti i Safet Demirit
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për Safet Demirin e shndërron në normë një praktikë diskriminuese dhe sistematike si pasivizimi i adresave, që ka në shënjestër shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ky vendim është një shuplakë për të drejtat themelore të njeriut dhe një dëshmi e fortë pse shqiptarët nuk kanë as besim, as arsye për t’i besuar drejtësisë së Serbisë.
Pas viteve të punës së palodhshme në Austri, Safet Demiri vendosi të investojë në vendlindjen e tij, në Banjën e Sijarinës, duke ndërtuar një kompleks hotelerie. Gjë që rigjeneronte ekonomikisht këtë venbanim e do të krijonte mundësi të shumta pune për komunitetet në Medvegjë. Por ëndrra e tij u shkatërrua kur adresa e tij u pasivizua, duke ndaluar projektin dhe ekspozuar barrierat sistematike që përballen shqiptarët në Luginë.
“Adresesën që dorëzuesi ka denoncuar nuk është qendra e aktiviteteve jetësore” (Адреса коју подносилац пријављује није центар његових животних активности), deklaruan autoritetet. Dhe Gjykata Kushtetuese, pa iu dridhur dora, e mbështeti këtë vendim duke deklaruar se “kufizimi i lirisë së vendbanimit ishte i justifikuar dhe proporcional për qëllim legjitim që dëshirohet të arrihet në një shoqëri demokratike”. Por pyetja mbetet: Cila shoqëri demokratike pasivizon adresat? Cila shoqëri demokratike diskriminon? Dhe në cilën shoqëri demokratike krijojnë pengesa për qytetarët që duan të kontribuojnë për vendin e tyre? Kjo nuk është asgjë tjetër, përveç një mekanizëm i padrejtë që dëmton zhvillimin dhe thellon diskriminimin sistematik.
Më shumë se 6,000 shqiptarë u janë pasivizuar adresat, sipas raporteve të OJQ-ve. Çdo rast përfaqëson një përpjekje për t’i privuar shqiptarët nga identiteti dhe ekzistenca juridike. “Lëvizja e lirë nuk është apsolute”, argumentojnë gjykatat, por kur kjo justifikon përjashtimin dhe jo barazinë, si metodë perfide e shtypjes për të mohur.
Historia e Safet Demirit është rikujtim se aparteidi ndaj shqiptarëve të Luginës është i përligjur, se “spastrimi etnik me mjete administrative” është metodë, se Serbia shqiptarët nuk i do as edhe kur investojnë për zhvillim, se qëllimi është i qartë – vatra pa shqiptarët nuk është vend i tyne, se liria – barazi e drejtësia janë të pa arritshme për Safetin e mbi 6 mijë safeta tjerë në heshtje. Por, njëkohësisht është edhe thirrje për ndërgjegjësimin ndërkombëtar. Serbia po i largon shqiptarët nga trojet e tyre jo vetëm me forcë, por me politika të paramenduara e të fshehta. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është represion.
Average Rating