Greg Delawie: Tensionet në veri nuk janë për shkak të targave
Ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie konsideron se thelbi i tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është tek çështja e targave, por te refuzimi i autoriteteve të Serbisë për të pranuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Një deklaratë të tillë diplomati në pension amerikan e dha në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
Ish-ambasadori ka thënë se është në interes të qytetarëve të komunitetit serb që përfaqësuesit e tyre të kthehen në institucionet e Kosovës.
“Zyrtarët e pakicës serbe kontrollohen nga Qeveria e Serbisë, ashtu sikurse edhe pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës – për të kundërshtuar qeverinë e Kosovës”, ka thënë Delawie.
Delawie, i cili shërbeu në Kosovë nga mesi i vitit 2015 deri në mesin e vitit 2018, ka theksuar se i takon liderëve të dy vendeve për të ulur tensionet.
“Tensionet nuk i kontribuojnë përparimit në dialog. Pushtimi i pajustifikuar i Rusisë në Ukrainë ngriti tensionet në të gjithë Evropën. I takon qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të punojnë në uljen, e jo rritjen e tensioneve. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor, në Kosovë dhe Serbi, meritojnë një të ardhme evropiane. Ata mund ta arrijnë atë vetëm nëse liderët e të dy vendeve si synim e vendosin paqen dhe zhvillimin politik e ekonomik”, ka theksuar Delawie.
Ish-ambasadori amerikan ka folur edhe për planin franko-gjerman, teksa ka theksuar se megjithëse nuk ka njohuri për detajet e këtij plani, ka besim tek iniciatorët e tij.
“Besoj në aftësinë dhe motivimin e qeverive franceze dhe gjermane për të dalë me një nismë kreative për zgjidhjen e njërës prej pengesave më të rëndësishme që qëndrojnë në rrugën e paqes së vërtetë në Evropën Juglindore”, ka nënvizuar Delawie.
Average Rating