Hovenier: ShBA e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, tha se Qeveria e SHBA-ve është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës që, sipas tij kanë efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.
“Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ato përfshijnë operacionet e kryera nga Policia e Kosovës në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javës së kaluar në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, si në OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë”, thuhet në deklaratën e diplomatit amerikan.
Ambasadori tha se janë të shqetësuar edhe nga veprimet e Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për të shpërndarë pagesat sociale nga Serbia.
“Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë. Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të promovojë vizionin e përcaktuar në themelimin e saj dhe të sanksionuar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e saj, një nga një demokraci plotësisht multietnike që i përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratën e tij.
Duke shtuar se çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre’, thuhet në deklaratën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, të publikuar në rrjetet sociale.
https://www.facebook.com/kosovo.usembassy/
Average Rating