Jakup Krasniqi: Gjenocidi serb në Kosovë, më ka shtyrë të luftoj kundër Serbisë
Krasniqi: Asnjëherë s’kam kryer krim, jam krenar me veprimtarinë time
Po mbahet dita e tretë e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, në rastin gjyqësor, ku përfshihen katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Jakup Krasniqi ka kërkuar nga trupi gjykues që të mos merren për bazë si prova kundër tij librat e tij, komunikatat që kishin qëllim të propagandonin për të motivuar njerëzit t’i bashkoheshin UÇK, dhe të mos keqpërdoreshin nga ZKP materialet, përfshirë letrat e tij nga burgu. Ai ka përshkruar torturat që ka përjetuar nga regjimi serb dhe pastaj ka shtuar se përmbajtja e aktakuzës së ZKS-së e kanë lënduar më shumë sesa torturat serbe, raporton RTKlive. Gjatë fjalimit të tij ai ka përmendur angazhimin e tij në LDK dhe e ka quajtur absurde akuzën që ai mund të ketë qenë kundër LDK-së. Krasniqi ka ripërsëritur pafajësinë e tij duke thënë se asnjëherë s’ka kryer asnjë krim dhe është krenarë me gjithë veprimtarinë e tij.
“I nderuar kryetar i gjyqit, i kam edhe tri lutje për trupin tuaj gjykues: Lutja e parë: Mos lejoni që të keqpërdoren mendimet e opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës. Kërkesa e dytë: Mos lejoni që shënimet e mia për shkrimet e librave të mia shkencore dhe publicistike të përdoren si dëshmi për vepër penale siç pretendon ZPS-ja. Dhe, e treta për komunikatat: Unë po lexoj atë që është thënë në aktgjykimin për lirimin e Fatmir Limajt në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Komunikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UÇK-në dhe aktivitetet e saj, me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin’. E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për z. Ramush Haradinaj. Ju lus që materialet të mos keqpërdoren sepse unë mendoj që shënimet e mia për të shkruar libër, Prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht”, tha Krasniqi.
Seanca në këtë rast gjyqësor do të vazhdojë të martën më 11 prill 2023, duke filluar nga ora 09:00.
Average Rating