Rexhep Selimi: Do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së se jemi të pafajshëm
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, mbrojtjen e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e ka nisur me një fjalim.
Derisa një ditë më parë por edhe sot, ai është vetëdeklaruar si i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ai mbajti një fjalim, i cili nisi që nga koha e para dy vjetëve.
Ai tha se ka pothuajse dy vjet e gjysmë, kur ishte njoftuar fillimisht se ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Gjykata Speciale.
“Nuk e prisja”, tha Selimi, duke lexuar fjalimin e tij. “Sido që rrodhën ngjarjet jemi këtu përballë një aktakuze që me të drejtë e konsiderojmë të pabazuar në fakte e argumente”, tha më tej Selimi, dikur edhe Shef i Grupit parlamentar të LVV-së.
“Përballë kësaj aktakuze deklarohem se nuk kam të bëjë asgjë me krimet e pretenduara në aktakuzë”.
Fjalimi i tij vazhdoi me vitet e e rënda që kaluan shqiptarët e Kosovës në vitet e 90-ta, kohë kur përkonte me të qenit të Selimit si student.
“Në fillim të viteve të 90-ta isha student në Filologji, dega Gjuha e Letërsi Shqipe. Si kudo në Kosovë edhe në Universitetin e Prishtinës u përshkallëzua dhuna”, rikujtoi ai, para trupit gjykues.
“Më kujtohen kur na dëbuan nga konviktet. Më 16 mars 1990 rreth Qendrës së Studentëve në Prishtinë, shihje autoblinda duke nxjerrë studentë jashtë”.
Selimi tha se nuk mund të hyje në fakultete as bibilotekë. “Shqiptarët u larguan nga puna, nuk kishte më policë shqiptarë, as mjekë shqiptarë, as nënpunës në administratë”.
Ai tha se të rinjtë shqiptarë nuk mund të luanin as futboll në stadiume, u mbyll televizioni i vetëm në gjuhën shqipe, dhe u mbyllën gazetat.
“Dhuna përshkallëzohej. Të rinjtë dërgoheshin me dhunë në ushtrinë jugosllave”, risolli në vëmendje Selimi, atë kohë të rëndë për të rinjtë shqiptarë. “Jo për të shërbyer, por për të na vrarë”.
Madje, ai tha se si sot i kujtohet kur bashkëmoshatarin e tij, Jetullah Deskun e dërguan në ushtri, e më pas e kthyen në arkivol. “Duke thënë se e ka vrarë veten”.
Selimi më tej përmendi edhe helmimet në shkolla, duke thënë se i ka parë moshatarët e tij teksa nxirrnin shkumë nga goja.
Ai deklaroi në atë vit, filluan t’i helmonin nxënësit shqiptarë edhe të shkollës së tij. “Edhe sot i gjeni ato imazhe kundër nxënësve shqiptarë në shkolla tona”, tha ai.
“Ky gjah ndaj të rinjëve shqiptarë vazhdonte pa ndalur si një presion sistematik për t’i bërë ata ta lëshojnë Kosovën”
Selimi tha se në fillim të viteve 90-ta, shumë bashkëmoshatarë të tij u detyruan ta braktisin Kosovën që aq shumë e donin.
Më tej, Rexhep Selimi tha se personalisht, kishte pasur opsione, të qëndronte në Kosovë, të helmohej, të arrestohej apo të vritej, ose të shkonte jashtë vendit.
“Në atë kohë unë kisha dy opsione”, tha Selimi. “Të qëndroja në Kosovë e të prisja që një ditë mund të helmohesha, të arrestohesha, vritesha, apo për t’iu shmangur kësaj ta lëshoja Kosovën. Të shkoja në Gjermani apo në Holandë këtu, ku kisha gjysmën e familjes time të kërkoja azil”.
Megjithatë, ai tha se kishte zgjedhur një rrugë të tretë.
“Në vend që t’i bashkohesha familjarëve të mi iu bashkova një familje akoma më të madhe. Ju bashkova familjes Jashari në Prekaz”.
Selimi tha se la ëndrrat e rinisë, la studimet e letërsisë, dhe u bë pjesë e UÇK-së. “UÇK-ja në atë kohë e kishte emrin ushtri, por nuk numëronte ushtri. Emrin dhe vullnetin e kishim të madh, por armë e njerëz shumë pak”.
Tutje, Selimi ka thënë se u bë pjesë e një aktakuze nga Serbia, dhe se aty ishte edhe Adem Jashari.
“Unë u bëra pjesë e një aktakuze nga Serbia dhe aty ishte edhe Adem Jashari. Unë nuk mund të qëndroja në shtëpinë time. U detyrova me dajën tim Mujë Krasniqin në tetor 1996 të largoheshim nga shtëpitë tona”, rikujtoi ai në fjalën e tij para trupit gjykues.
“Prej asaj kohe kryesisht qëndroja me familjen Jashari dhe jo vetëm”. Selimi u shpreh se aty qëndronte me Ademin, Shabanin, Hamzën, me fëmijët e asaj familje, Fitim, Besimin.
“Të gjithë këta fëmijë më pas u vranë. Më 5 mars 1998 filloi sulmi mbi familjen Jashari në Prekaz”. Ai tha se në ditën e sulmit nuk ndodhej aty, prandaj sot është gjallë.
“Përndryshe do ta kisha fatin e atyre që ranë atë ditë,në tri ditë që njihen si tri ditët e Epopesë së UÇK-së.”
Sidoqoftë, ai tha se dallimet politike në momente të ndryshme historike, nuk mund dhe nuk duhet të përdoren si fakte ndaj askujt.
Selimi tha se nëse flitet për krime, atëherë le të flitet për ato krime që më të vërtetë kanë ndodhur.
“Lë të flasim për të gjitha masakrat, për atë të Mejës, Reçakut, Abrisë, Radoniqit, Izbicës, Krushës, Rrezallës, Poklekut, Qyshkut, Makocit apo qindra masakrave të tjera ku janë vrarë fëmijët edhe në gjirin e nënës së tyre”.
“Lë të flasim edhe për Dubravën, ku Serbia ekzekutoi mbi 100 të burgosur shqiptarë. Le të flasim për të zhdukurit me dhunë, ku edhe sot s’janë gjendur akoma”, tha Selimi.
“Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi të gjithë”.
“Unë besoj që në fund do të vërtetohet pafajësia ime. Të gjithë së bashku që jemi këtu, pavarësisht dallimeve politike që mund t’i kemi pasur, do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së, se jemi të pafajshëm”, tha Selimi.
Ai u shpreh se tani kur në kohën që flet, e që po i shohin bashkëqytetarët e Kosovës, beson se me bashkëluftëtarët do të kthehën në Kosovë, të lirë. “Për të cilin punuam e luftuam gjatë gjithë jetës sonë”.
Average Rating