Jo për gjithçka i duhet referuar Ibrahim Rugovës
Nga Skënder Sadri KAPITI
Rugova padyshim ka rëndesinë e vet historike për ato vite kur ai veproi në krye të lëvizjes paqesore gjithkombëtare shqiptare për Pavarësinë dhe Shtetësinë e Kosovës.
Por jo gjithcka i duhet dedikuar atij deri në mitizim, pasi histori dhe heronj e personalitete të mëdhenj ka pasur gjithmonë Kosova, gjatë gjithë historisë së saj. Dhe kryesori në historinë kombëtare shqiptare është populli heroik, luftarak , qëndrestar dhe i pamposhtur, është populli i Kosovës.
Nuk ka personalitete dhe shtetarë të mëdhenj nëse ata nuk i mbështet populli, ashtu sic edhe e kanë mbështetur në atë kohë Rugovën, dhe më pas edhe luftën e lavdishme të UÇK-së dhe siç po e mbështesin edhe politikën qeverisëse sot të Albin Kurtit në mbrojtje të legjitimitetit dhe të sovranitetit shtetëror të Kosovës kur pothuajse e gjithë politika tjetër si në Kosovë dhe në Shqipëri është kundër tij.
Kush është me të drejtën dhe me interesin e kombit , është me të edhe mëncuria dhe vullneti i popullit që i beson dhe e mbështet atë, dhe prej popullit merr lavdinë edhe personazhi apo burri i shtetit për kohën kur ai vepron.
Vërehet që jo pak individë në cdo gjë i referohen Rugovës, duke i atribuar atij personazhin e nje miti, si i pagabueshëm ,sikur ai ka sjellë lirinë e pavarësinë e Kosovës. Këtë gjë e bëjnë politikanët të cilët duan të marrin shkëlqim dhe mbështetje politike duke përdorur figurën e Rugovës; këtë gjë e bëjnë edhe dështakët politikë që kanë inate e xhelozi për politikanë të LDK-së që kanë pasur sukses në politikë, dhe duke “urryer” suksesin e të tjerevë këta egoistë e nihilistë i kritikojnë ata duke i akuzuar sikur me demek janë larguar nga Rugova.
Identifikimi i cdo gjejë më njëshin e partisë ashtu sic kanë vepruar në shtetet diktatoriake e komuniste ku gjithcka politike e shtetërore identifikohen me udhëheqësit dhe liderët e partive komuniste si me Stalinin, Mao Ce Dunin, Titon, Enverin etj.Dhe kjo më pastaj, pas largimit të tyre dihet se si përfunduan edhe partitë e tyre të depersonalizuara nga fryma autoritariste e njëshit, e kryetarit “hisrorik”.
Kjo gjë e cila i ndodhi edhe LDK-së pas Rugovës,e cila nuk mundi të pasojë më pas një lider në LDK që të ketë sukses, dhe ja ku e kemi sot LDK-në. Pra duket sikur pas kryetarit ka shkuar edhe LDK-ja, apo sic po i ndodh edhe Partisë Demokratike të Shqipërisë që duke u dentifikuar me Sali Berishën ja se në cfarë gjëndje ka mbërritur.
Kosova nuk e fitoi shtetin në tavolinë me bisedime paqësore dhe as prej politikës paqësore të Rugovës,por u desh edhe lufta heroike clirimtare e UÇK-së, u deshën sakrificat mbinjerëzore të popullit të Kosovës kundër genocidit serb si dhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve që sot kemi Shtetin e Kosovës.
Shikoni edhe sot pas 25 vitesh të clirimit të Kosovës,shikoni se cfarë agresioni politik, diplomatik e “paqësor” e shumë djallëzor bën Serbia kundër Kosovës për t’u rikthyer në Kosovë apo për të marrë territore të saj, edhe pse në Kosovë është NATO. Dhe jo vetëm kaq por Serbia po përdor edhe presionet dhe kërcënimin me luftë për t’ia arritur qëllimet e veta.
Dhe vetëm me rrugë e bisedime paqësore kurrë nuk do kishte ardhur liria dhe as pavarësia e Kosovës.Pa sakrificat e popullit shqiptar, pa gjakun e dëshmorëve, pa luftën e e UÇK-së dhe pa ndërhyrjen e NATO-s Kosova sot do ishte nën Serbi. Këtë e dinë mirë edhe Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe ndërkombëtarët.
Average Rating