Krerët e shtetit të Kosovës nënshkruajnë aplikimin për anëtarësim në BE

Read Time:6 Minute, 36 Second

Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar ditë historike nënshkrimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo ka thënë se ky akt është një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.

“Sot është një ditë historike, ky është një moment historik. 14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës sonë, në historinë e Republikës sonë. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian e në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e ushtrisë sonë, të dyja këto akte që shkojnë në drejtim të realizimit të vizionit tonë euroatlantik”, ka theksuar presidentja Osmani.

Ajo tutje ka thënë se sot, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj po e marrin një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës kolektive e ambicies së patjetërsueshme.

“Ne jemi sot së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian, duke kontribuuar kështu që edhe BE-ja të afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë, të lirë e në paqe. Për Kosovën e  qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër. Por, ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet dhe ambiciet bëhen të prekshme vetëm kur punohet”, ka shtuar Osmani.

E para e shtetit ka thënë se ky akt i dedikohet ‘gjithë qytetarëve tanë, evropianëve të devotshëm e mbrojtësve dhe promovuesve të vlerave evropiane, në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë’.

“Por mbi të gjitha ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri  të Kosovës që sakrifikuan jetën, duke mbrojtur idealet për liri, pavarësi e demokraci, derisa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid. Kosova, sot është mishërim i vlerave mbi të cilat është  ndërtuar Bashkimi Evropian dhe frymon me shpirtin evropian. Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër, promovues dhe garantues i të drejtave demokratike, vend i pluralizmit politik dhe i mediave të lira, garantues i të drejtave të njeriut, lirive fetare e të drejtave të komuniteteve jo shumicë”, ka nënvizuar Osmani.

Ajo ka thënë se ‘Kosova e ekonomisë së tregut të lirë dhe kontribuuesja e paepur për paqe e siguri e meriton të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian’.

“Rruga jonë përpara është e qartë, procesi i anëtarësimit nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses. Ne, do ta bëjmë pjesën e punës sonë në mënyrë që BE-ja ta ketë sa më të lehtë ta bëjë pjesën e punës së vetë. Në këtë rrugëtim, ne, do të jemi përherë një partner i besueshëm. Andaj, ne, sot po bëjmë në hap historik në mënyrë që Bashkimi Evropian të lëvizë sa më shpejt drejt vendimit historik”, është shprehur presidentja pas ceremonisë së nënshkrimit.

Konjufca: E meritojmë të bëhemi vend kandidat i BE-së

Bashkimi Evropian është me të vërtetë i plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane janë pjesë e këtij bashkimi. Kështu ka deklaruar kryeparlamentari, Glauk Konjufca pas ceremonisë së nënshkrimit të aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Sot është ditë me të vërtetë e rëndësishme për Republikën e Kosovës, meqë jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim që ta nënshkruajmë letrën në emër të Republikës së Kosovës për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Më lejoni të përmend këtu njërin prej vizionarëve të BE-së, Jean Moonet që pati thënë se nuk ka të ardhme për neve njerëzit e Evropës, veçse përmes bashkimit tonë. Për këtë arsye, sot, e nënshkruam kërkesën zyrtare që do ta nisë procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Konjufca.

Ai ka thënë se anëtarësimi në BE, për Kosovën dhe gjithë rajonin është i rëndësisë së veçantë sepse “ajo ofron stabilitet, demokraci siguri, prosperitet zhvillimor e ku respektimi i të drejtave të njeriut, barazia, konkurrenca e ndershme dhe lëvizja e lirë e njerëzve, punëtorëve , e mallrave e shërbimeve dhe kapitalit janë në thelbin e saj”.

“Një union që me të vërtetë e stimulon rritjen ekonomike të popujve dhe mirëqenien e tyre, ndihmon në krijimin e më shumë vendeve të punës dhe e mbështetë rritjen ekonomike në një treg prej 450 milionë konsumatorëve. Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt BE-së, një rrugë që ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian nga i cili presim që t’ia rekomandojë Bashkimit Evropian t’ia jap Kosovës statusin e merituar. Por, vendimi  i takon megjithatë qeverive të vendeve anëtare të BE-së, të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht dhe për ta dhënë miratimin e tyre”, ka shtuar kryeparlamentari.

Sipas tij, Republika e Kosovës e ka kushtetutën dhe legjislacionin e saj të hartuar në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe kjo është pjesë vitale e kontributit afatgjatë të institucioneve të Kosovës për të përafruar procesin e integrimit të Kosovës në BE.

“Ne e meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, një fazë që synojmë të arrijmë në një kohë sa më të shpejtë të mundshme”, ka thënë ai.

Marrja e statusit kandidat, sipas Konjufcës, ka një peshë të konsiderueshme dhe ‘me të drejtë konsiderohet si vula e parë e miratimit të perspektivës evropiane’.

“Për këtë arsye e ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtete anëtare të BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, por edhe gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës dhe në këtë mënyrë që të na inkurajojnë të gjithëve që të ndërmarrim reformat e nevojshme për përparimin e Kosovës, reforma që e kanë kuptimin e interesit për qytetarët e Kosovës dhe jo thjesht për politikanët e zyrtarët publik”, ka nënvizuar Konjufca.

Kurti: Progresi drejt BE-së varet nga përkushtimi ynë

Nënshkrimin e aplikimit për anëtarësim në BE, kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar si hapin më të rëndësishëm drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

“Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi, orientimin tonë të qartë evropian e euroatlantik, besimin në vlerat fundamentale të Bashkimit Evropian, konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian, sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes – Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti, pas ceremonisë së nënshkrimit.

Ai ka bërë të ditur se aplikimin e nënshkruar sot nga tre krerët e institucioneve të Republikës do t’ia dorëzojnë presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian në Pragë.

“Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë. Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese, të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se shpejtësia e ecjes drejt këtij objektivi do të varet nga vet Kosova.

“Prandaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm, e përkushtimi i secilit i domosdoshëm. Ne, do të ecim përpara me meritën tonë, pra me aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapitull të ri. Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror. Së bashku në këto dy vite kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmë çdo gjë është e mundur dhe nuk ka pengesë që nuk e kalojmë”, ka theksuar Kurti.

Krerët e shtetit nënshkruajnë aplikimin për anëtarësim në BE

Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti e kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Krerët e shtetit e kanë vlerësuar këtë si ditë historike dhe si një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut me asambleistë e kryesues të ri
Next post Lajçaku pas takimit me Vuçiqin: E kuptoj seriozitetin e situatës