PDK akuzon Qeverinë Kurti për afera korruptive
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se Qeveria Kurti është karakterizuar me afera dhe skandale të shumta korruptive.
Deliu-Kodra gjatë një konference për media ka thënë se rasti i fundit i arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) në Gjakovë, njeriu i Lëvizjes Vetëvendosje, Hasan Krasniqi, është vetëm njëri nga vargu i gjatë i zyrtarëve të partisë në pushtet që është përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Fillimisht, zgjedhja e tij si Kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi që i njejti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit. Ndërsa, tani, ai është edhe i dyshuar për vepra të tjera penale”, ka thënë Deliu-Kodra.
Më pas, deputetja Deliu-Kodra ka përmendur disa nga zyrtarët e Vetëvendosjes të cilët kanë zënë ballinat mediale me skandale dhe afera.
“Besnik Mujeci: asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, i arrestuar në Shqipëri me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Nagip Krasniqi: Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, tani Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës, i arrestuar nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesi. Nënshkrim i kontratave të dyshimta në vlerë prej miliona eurove. Faruk Mujka: Ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilin, mediat kanë raportuar se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri Ridvan Muharremi: Mik dhe bashkëpunëtor i Vetëvendosjes, i cili është i përfshirë në skandalin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se i është shkaktuar buxhetit të shtetit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Në fund të kësaj liste, deputetja Deliu-Kodra ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili, sipas saj, është kupola e gjithë këtyre keqpërdorimeve.
Ajo ka thënë se sikur qeverisja e dobët dhe dëmshme të mos mjaftonte, Kryeministri dhe Qeveria jonë po përkujdesen që edhe raportet e ndërtuara me mund me aleatët tanë të prishen.
Sipas saj, sot, Kosova është peng i një qeverisje korruptive, të paaftë, që po dëmton buxhetin e shtetit të Kosovës, mirëqenien e qytetarëve tanë, të ardhmen evropiane të shtetit tonë dhe aleancat tona historike.
Për këto arsye, Deliu-Kodra ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, tashmë ka kohë që kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja të parakohshme sa më parë.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të madh të gjitha aferat në të cilat është përfshirë kjo Qeveri dhe zyrtarët e saj.
Average Rating