Populli rus prehet në gjumin e skllavërisë

Read Time:13 Minute, 21 Second

Nga Eshref Ymeri

Revoltat e fuqishme që shpërthyen në Kiev më 21 nëntor 2013 për shkak të mosnënshkrimit nga ana e presidentit Janukoviç të marrëveshjes për asocimin e Ukrainës me Bashkimin Evropian, vazhduan pa ndërpreje, deri në largimin e tij fshehurazi nga vendi më 24 shkurt 2014. Janukoviçi, si agjent i regjur i bandës së Kremlinit, nuk mund ta nënshkruante atë marrëveshje, sepse nuk e lejonte Putini.

Duke e ndier rrezikun që i vinte pushtetit të tij nga liritë dhe të drejtat kushtetuese që gëzonte populli fqinj ukrainas, në mars të vitit 2014, kryefashisti Putin pushtoi Krimenë, më 07 prill aneksoi Donjeckun, kurse më 27 prill – Lluganskun, të cilët më pas i shpalli të ashtuquajtura republika popullore në përbërje të Rusisë. Megjithatë, banda kriminale e Putinit nuk u kënaq me zaptimin e këtyre territoreve ukrainase, sepse ishte i bindur që fqinjësia me Ukrainën, infeksioni politik që vinte prej saj, ishte përherë kërcënues për kolltukun e tij. Prandaj edhe filloi përgatitjet për pushtimin e plotë të saj.

Populli trim dhe liridashës ukrainas e përzuri me dajak presidentin Janukoviç, i cili u arratis për në Rusi, ndërsa populli rus nuk ka qenë kurrë i aftë t’i rrëzojë diktatorët e vet nga pushteti, sepse, sipas psikologjisë së tij prej skllavi, diktatorëve ai u ka ndenjur tradicionalisht lepe-peqe, i ka himnizuar, ua ka ngritur lart kultin e tyre, pavarësisht se ata kanë qenë njërëz pa kurrfarë vlere.

Viktor Kaspruk është politolog, analist, gazetar për problemet ndërkombëtare dhe publicist i mirënjohur ukrainas. Ja çfarë pati deklaruar ai para dhjetë vjetësh, kur Rusia fashiste pushtoi Krimenë:

“Gjithë vitet e qeverisjes së Putinit, janë vitet e turpit të popullit, janë vitet e heshtjes së turpshme, janë turpi i inteligjencies, e cila, në shumicën e vet dërrmuese, është tërhequr zvarrë para këtij njeriu pa kurrfarë vlere” (Citohet sipas: “Rusinë e mundon kompleksi i inferioritetit”. Faqja e internetit “argumentua.com”. 07 mars 2014).

Ky intelektual i shquar ukrainas ka nxjerrë në pah atë tipar shumëshekullor të popullit rus, të cilin e kanë theksuar edhe intelektualë rusë më shumë se një shekull më parë, një tipar ky, që mishërohet më së miri në ndjenjat e tij prej skllavi. Njëri nga ata intelektualë, ka qenë Nikollaj Çernjishevski (1828-1889), i njohur si kritik letrar, filozof-materialist dhe shkrimtar, i cili ja se si është shprehur për delemiletin rus:

“Një komb i mjerë, një komb  skllevërish, që poshtë deri lart të gjithë janë vetëm skllevër”(Faqja e internetit “Adskije novosti”. 17 shkurt 2015).

Populli rus, gjatë shekujve, ka jetuar në kushtet e shtypjes dhe të shfrytëzimit. Gjatë 240 vjetëve (1240-1480) ka qenë nën sundimin e tataromongolëve, deri në vitin 1861 – nën pushtetin e egër të së drejtës së bujkrobërisë. Pas Rvolucionit të Tetorit 2017, kur populli u gjend nën diktaturën komuniste sovjetike gjatë një periudhe 74-vjeçare, ai nuk gëzonte më as kurrfarë të drejtash, as lirinë qytetare, as lirinë e ndërgjegjes. Pra, gjatë periudhave qindrvjeare, popullit i është futur në gjak ndjenja e skllavit dhe himnizimi i kultit të diktatorëve, të cilët, në ndërgjegjen e tij prej skllavi, janë figura të shenjta, janë zëdhënësit e Zotit në Tokë, domethënë, vullneti i tyre është vullneti i Zotit. Për pasojë, populli rus nuk e ka pasur kurrë mundësinë historike të kaliste brenda vetes ndërgjegjen shoqërore, përveç ndërgjegjes së skllavit.

Pikërisht ndërgjegjja prej skllavi e bën popullin rus të mbështetë krimet e rënda të diktatorëve të vet kundër popujve të tjerë dhe të mos i bëjnë kurrfarë përshtypjesh humbjet e rënda që ka pësuar ushtria e tij fashiste pas sulmit të 24 shkurtit të vitit 2022 kundër Ukrainës. Në emisionin e lajme të kanalit televiziv ukrainas “Freedom” të datës 08 prill 2024, u transmetua një njoftim i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, në të cilin thuhej se deri më 08 prill, në Ukrainë janë vrarë 448401 ushtarë dhe oficerë rusë.

Dy fakte tëpër domethënëse nga e kaluara historike e Rusisë, dëshmojnë më së miri se deri në ç’shkallë ka degraduar ndërgjëgjja prej skllavi e popullit rus, i cili, duke qenë i zhveshur kokë e këmbë nga dinjiteti personal, s’e ka për gjë të vetëposhtërohet me vetësakrifikim para kryediktatorëve të vet kriminelë.

Fakti i parëlidhet me rastin e kurorëzimit të Nikollajt II (1868-1918) në fronin e perandorit. Ja çfarë thuhej tre vjet më parë në një faqe interneti:

“125 vjet më parë, më 18 (30) maj 1896, gjatë festimeve popullore me rastin e kurorëzimit të perandorit Nikollaj II, në fushën Hodinskoje në Moskë ndodhi një tragjedi e tmerrshme: duke u shtrënguar pas njëri-tjetrit se kush e kush të arrinte të merrte dhuratat e carit, midis tyre edhe gjëra për të ngrënë, njerëzit rrëzuan përtokë shoku-shokun, të cilët i shtypi vala e njerëzve të tjerë që s’kishte të sosur, me pasojë vdekjen e 1389 vetave dhe sakatimin e 1300 të tjerëve. Që asokohe, katastrofa në fushën Hodinskoje, është regjistruar në histori si tragjedia më emadhe në historinë botërore” (Citohet sipas: ““Gropat u mbushën me kufoma, turma ecte, duke shkelur mbi to”. Si u shndërrua kurorëzimi i Nikollajt II në një nga tragjeditëmë të mëdhaja në historinë e Rusisë”.Faqja e internetit “Lenta.ru”. 30 maj 2021).

Fakti i dytëlidhet me datën 09 mars 1953, ditën e përcjelljes së kufomës së Stalinit për në Sallën me kolona të Pallatit të Kombësive, ku do t’i jepnin lamtumirën e fundit banorët e Moskës, lamtumirë që vazhdoi dy ditë. Ja si përshkruhet në internet ajo ngjarje:

“Nuk dihet me saktësi se sa njerëz kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën Stalinit më 09 mars 1953. Drejt Sallës me kolona të Pallatit të Kombësive, ku ishte vendosr trupi i tij, po vinin varganë-varganë dhjetra ose madje qindra-mijëra qytetarë sovjetikë. Në fytyrat e tyre lexohej trishtimi. Shumë prej tyre vinin dhe largoheshin me sy të përlotur. Pamjet nga ceremonia mortore transmetoheshin në televizion. Ngjarja pasqyrohej gjerësisht. E vetmja gjë që qe anashkaluar, ishte shtypja e njerëzve përreth Pallatit të Kombësive, me pasoja vdekjen e disa qindra deri në 2-3 mijë njerëzve. Se si ndodhi që ceremonia e varrimit të Stalinit ishte shkaku i një morie të madhe vdekjesh, autoritetet zyrtare parapëlqyen të heshtin. Numri i saktë i të vdekurve qe mbajtur sekret. Dëshmitarët e asaj ngjarjeje kanë pasë rrëfyer gjëra të tmerrshme. Studiuesje e letërsisë, Elena Pasternak, ka kujtuar më vonë se në rrugën Trubnaja në Moskë qe vënë re një mizëri njerësish, të shtrënguar pas njëri-tjetrit. Moskovitët që banonin në pallatet aty pranë, kishin mbetur të bllokuar në apartamentet e tyre, sepse gjatë rrugës po lëvizte një vargan i pafund njerëzish. Njerëzit ishin të shtrënguar pas njëri-tjetrit në një mënyrë të tmerrshme. Banorët e kateve të poshtme dëgjonin jo vetëm klithmat e njerëzve të shtypur nga turmat, por edhe ca kërcitje, ca thyerje eshtrash që t’i ngrinin leshrat e kokës përpjetë. Kur turma filloi të rrallohet, nga brenda saj nisën të nxirrnin me karroca pirgje veshmbathjesh, kalloshesh dhe, çka ishte më e tmerrshme, copa kufomash të njerëzve të shqyer” (Citohet sipas: ”Sa njerëz vdiqën gjatë ceremonisë mortore kur vdiq Stalini”. Faqja e internetit ”Rambler”. 10 gusht 2018).

          Mbarë bota po vëren në Ukrainë më shumë se dy vjet se çfarë krimesh të përbindshme po kryen ushtria fashiste ruse, e cila, duke mos qenë e aftë t’i mposhtë forcat e armatosura të Ukrainës, tërë mllefin e vet, tamam si një egërsirë e tërbuar, po e nxjerr kundër popullsisë civile dhe infrastrukturës.  Ndërkohë, populli rus është rreshtuar në krah të bandës së Kremlinit, me Putinin në krye, dhe as që do t’ia dijë se ç’po ndodh me bijtë e vet nëpër “thertoret” e Ukrainës, ku kufomat e tyre po plehërojnë fushat dhe qentë ushqehen me mishin e tyre.

          Ky qëndrim soditës i popullit rus të çon vetvetiu në përfundimin se ai është i aftë vetëm për përvetësimin e zejes së skllavërisë, e cila përputhet me ato pikëpamje, me ato ide, me ato stereotipe që plotësojnë dhe strukturojnë ndërgjegjen e tij. Populli rus nuk e ka pasur kurrë mundësinë historike për të kalitur në qenien e vet një tjetër ndërgjegje shoqërore, përveç ndërgjegjes së skllavit. Pikërisht për këtë arsye, kryekrimineli Putin e filloi agresionin fashist kundër Ukrainës, duke qenë i bindur plotësisht se një agresion i tillë bëhej i mundur në saje të ndërgjegjes prej skllavi të popullit rus, në saje të kultit të lartë të individit që ai gëzon në radhët e popullit rus. Popullit rus nuk i bën përshtypje dhe as që do t’ia dijë absolutisht për krimet e rënda politike që ka kryer dhe vazhdon të kryejë Putini. Sot në Rusi ka aq të burgosur politikë, sa nuk ka pasur gjatë gjithë historisë së saj.

          Kryeopozitari Boris Njemcov (1959-2015),personalitet politik dhe shtetëror rus, reformator, autor i disa referateve për përmasat e korrupsionit në Rusi, kritik aktiv i regjimit politik të Putinit, u pushkatua jo larg Kremlinit më 27 duke u gdhirë 28 shkurti i vitit 2015.

          Kryeopozitari tjetër, Aleksej Navalni (1976-2024), ishte dënuar me 19 vjet burg dhe ishte internuar në një kamp përqendrimi, të quajtur “Ujku polar”, i cili ndodhet në veri të Siberisë, përtej rrethit polar. Më 16 shkurt 2024, Aleksej Navalni vdiq papritur ng një dozë helmi.

          Nënkuptohet që, pas vrasjes së dy kryeopozitarëve, populli rus nuk mund të ngrihej në protesta të fuqishme në mbarë Rusinë për përmbysjen e kryekriminelit Putin, sepse kulti i tij është shumë më i  shtrenjtë në ndërgjegjen e tij prej skllavi, sesa jeta e kundërshtarëve politikë të bandës së Kremlinit. Prandaj ai popull, i ushqyer jo vetëm me ndjenjën e skllavit, por edhe me frymën e shovinizmit rusomadh, kërkon përjetësimin e pushtetit të Putinit.

          Deputetja e parlamentit rus, Valentina Tereshkova (1937), e para kozmonaute në botë e vitit 1963, e cila mbështeti sulmin e ushtrisë fashiste ruse kundër Ukrainës, më 10 mars të vitit 2020 doli me propozimin për ta shfuqizuar ligjin për afatin e mandatit presidencial, mandat, i cili duhet të jetë i pakufizuar për presidentin Putin. Gjatë komunikimit me gazetarët, deputetja deklaroi:

          “Daljen me një propozim të tillë ma patën kërkuar njerëzit e thjeshtë” (Citohet sipas: “Putini është thjesht kozmos: kryesorja për Valentina Tereshkovën, e cila doli me propozimin për zgjatjen pa afat të mandateve presidenciale”. Faqja e internetit “splntk”. 11 mars 2020).

          Më lart cituam fjalët e politologut dhe të gazetarit ukrainas Viktor Kaspruk, i cili thekson se populli rus tërhiqet zvarrë para Putinit i cili është një njeri pa kurrfarë vlere.

          Figurën e Putinit dhe formimin e tij, si ish-student i Institutit të zbulimit “Andropov”, e ka përshkruar në një mënyrë shteruese ish-shoku i klasës së tij në atë institut, Juri Shvec (1953), ish-zbulues sovjetik në vitet 1980-1990,   larguar në vitin 1993për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku njihet si veprimtar politik, gazetar dhe analist ekonomik dhe ushtarak.

          Në një intervistë që gazetarja Natalia Dvali ia pati marrë për Portalin ukrainas “Gordon” më 28 prill 2015, Juri Shvec ka theksuar se që të pranoheshe në Institutin e zbulimit “Andropov”, çdo student duhej t’i nënshtrohej testit të intelektit. Pas atij testi, Putini pati rezultuar me aftësi poshtë mesatares. Ndër të tjera, Juri Shvec ja çfarë i pati deklaruar gazetares:

“Në Institutin “Andropov” studentët i pajisnin jo vetëm me dije, por edhe i studionin për të kuptuar nëse ata ishin të përshtatshëm për të punuar në zbulim ose jo. Studentin Putin gjatë një viti e patën studiuar në atë mënyrë, siç nuk e studion asnjë laborator në botë. Për t’u shprehur në një mënyrë figurative, mund të thuhet se atë e patën përshkuar me të gjitha rentgenët e mundshëm, duke ia kthyer të brendshmet nga jashtë… Kështu që… zbuluesi Putin merrej me budallallëqe: zbulonte thashethemet e studentëve për profesorët, thashethemet e profesorëve për rektorët etj… Gjatë vazhdimit të institutit, atë e patën studiuar dhjetra pedagogë dhe instruktorë profesionistë dhe secili prej tyre, pas përfundimit të studimeve, shkruante për çdo student karakteristikën përkatëse. Unë kam lexuar disa nga ato karakteristika: ato ishin tronditëse për nga thellësia e përshkrimit të aftësive të tij intelektuale dhe psikologjike… Meqë ra fjala, a e dini se sa shumë dëshmon për njeriun nofka e tij? Në KGB Putinin e quanin “Bisht Cigareje”, më pas i vunë nofkën “Tenjë e Zbehtë”, kurse tani e quajnë “Botoks””  (botox ilaç për heqjen e rrudhave të fytyrës, prodhim i kompanisë amerikane “Allergan” E.Y.)… Unë kam komunikuar me njerëz që e njihnin mirë Putinin shumë kohë para se ai të zgjidhej president. Të gjithë theksonin se, përveç aftësive të rëndomta intelektuale, ai binte në sy edhe për komplekse të jashtëzakonshme inferioriteti. Putinin e torturonte për vdekje trupi i tij i shkurtër, komleksi i inferioritetit i lexohej në gjithë figurën dhe fytyrën e tij. Një njeri të tillë nuk mund ta dërgoje si zbulues jashtë vendit, sepse atij i lexohej në fytyrë shprehja: “Rekrutomë mua”. Ai prandaj edhe shkoi në KGB dhe u mor me xhudo, për të kompensuar sadopak kompleksin e inferioritetit”.

Gazetarja ndërhyri me pyetjen në vijim:

“Por megjithatë, në dallim nga shokët më të talentuar të klasës, pikërisht Putini është ai që për 15 vjet po drejton pa ndërprerje njërin nga shtetet më të mëdhenj të botës, apo jo?”.

Përgjigjja e Juri Shvecit është tepër domethënëse për realitetet ruse, ku një popull me psikologji prej skllavi e ka në traditën e tij t’i ketë sa më shumë për zemër sundimtarët e vet të paaftë, me komlekse të tmerrshme inferioriteti, çka mundohen ta kompensojnë me diktaturë të egër, për t’ia rritur autoritetin vetes:

“Po ai prandaj edhe u ngrit në pozitë se në këtë mes kemi të bëjmë me një traditë tashmë të kristalizuar të sistemit politik, deri dje sovjetik dhe tani rus, kur në sipërfaqe dilnin… mbeturinat. Si shpjegohet që në vitin 1953 Nikita Hrushovin e emëruan Sekretar të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik? Se ai ka qenë një njeri absolutisht i neveritshëm, një gaztor i Stalinit. Por atë e emëruan si kukull, prapa shpinës të së cilës rrinin njerëz seriozë… E njëjta histori po ndodh edhe me Putinin. Atë e zgjodhën si një kukull të bindur, e cila, në postin e kreut të Federatës Ruse, duhej t’u garantonte sigurinë dhe kuletën atyre që u zuri vendin. Unë kam komunikuar me Boris Bjerezovskin (1946-2013. sipërmarrës rus – E.Y.), i cili pati luajtuar një rol jo të vogël që Putini të bëhej president. Borisi më ka thënë:

“Më jepni mua një kanal televiziv dhe unë trungun kam për ta bërë president të Rusisë”.

Ja kjo është e tërë përgjigjja se si Putini u bë president”.

Këto fjalë dëshmojnë më së miri se oligarku Bjerezovski e ka njohur deri në themel filozofinë prej skllavi të popullit rus, i cili diktatorët e vet i konsideron si zëdhënësit e Hyjnisë në Tokë. Përkrahja që populli rus, në shumicën dërrmuese, i jep kryekriminelit Putin për agresionin fashist kundë Ukrainës, zbulon plotësisht natyrën e tij shoviniste për ringjalljen e perandorisë sovjetike.

Zbigniev Bzhezinski (Zbigniev Brzeziński – 1928-2017),politolog amerikan, sociolog dhe personalitet shtetëror me origjinë polake, ka thënë:

“Nëse rusët do të jenë kaq të marrë, që të provojnë të ringjallin perandorinë e vet, ata do të përplasen në të tilla konflikte, saqë Çeçenia dhe Afganistani do t’u duken si piknik”.

Koha do ta vërtetojë me siguri se pas përfundimit të luftës kundër Ukrainës, Rusinë fashiste e pret shpërbërja tërësore, e shoqëruar me krijimin e disa shteteve të pavarura.

Kaliforni, 08 prill 2024

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Revista Letrare: Pranverë 2024, vjen tani direkt në shtëpi në Shqipëri
Next post Paul Williams: Beogradi duhet të zgjedhë mes Perëndimit dhe Rusisë