Rizgjedhja e Hysen Ibrahimit në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë
Nga: Prof. Osman Ahmetgjekaj,
Sueds / Förslöv, 31.05.2026
Rizgjedhja e Hysen Ibrahimit në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi është Vazhdimësia e Misionit Kulturor dhe Kombëtar të Mërgatës Shqiptare
Förslöv, Suedi – 31 maj 2026

Në kuadër të zhvillimeve të vazhdueshme kulturore dhe organizative të mërgatës shqiptare në Suedi – Skandinavi, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi (SHSHASHS) mbajti Kuvendin e Pestë Zgjedhor të Jashtëzakonshëm, në të cilin z. Hysen Ibrahimi u rizgjodh unanimisht në postin e kryetarit të kësaj shoqate me rëndësi të veçantë kulturore dhe kombëtare. Kuvendi u zhvillua në Förslöv të Suedisë, në praninë e pjesës dërmuese të delegatëve, anëtarëve dhe veprimtarëve të shoqatës, të cilët diskutuan mbi perspektivën institucionale të organizatës, sfidat e ruajtjes së identitetit kombëtar në mërgatë, si dhe rëndësinë e vazhdimit të veprimtarisë botuese dhe studimore shqiptare në mërgatë. U lexuan disa telegrame që kishin arritur për këtë kuvend.
Punimet e kuvendit u karakterizuan nga një frymë reflektimi mbi kontributin historik të mërgatës shqiptare në proceset kombëtare dhe politike të popullit shqiptar, veçanërisht në mbështetjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në afirmimin ndërkombëtar të çështjes kombëtare shqiptare. Në diskutimet e delegatëve u vlerësua se mërgata shqiptare ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm jo vetëm në aspektin kulturor dhe atdhetar, por edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, gjuhësore dhe historike të kombit shqiptar përmes krijimtarisë letrare, artistike dhe publicistike.
Në këtë Kuvend, pjesëmarrësit theksuan se veprimtaria e SHSHASHS-së duhet të intensifikohet edhe më tej, duke pasur parasysh sfidat bashkëkohore të globalizimit, integrimit kulturor dhe nevojës për ruajtjen e identitetit kombëtar në mjediset multikulturore evropiane. Sipas tyre, krijimtaria letrare dhe artistike përfaqëson një instrument të rëndësishëm të kujtesës kolektive dhe të dokumentimit historik, përmes së cilës diaspora shqiptare mund të kontribuojë në mënyrë aktive në pasqyrimin e zhvillimeve kulturore dhe shoqërore që po ndodhin në Evropë dhe në botë.

Në fjalën e tij para delegatëve, kryetari i rizgjedhur, z. Hysen Ibrahimi, shprehu mirënjohjen për besimin e treguar nga anëtarësia e gjerë e shoqatës, duke theksuar se mbështetja morale dhe financiare e anëtarëve dhe donatorëve besnikë ka qenë një faktor vendimtar në ruajtjen dhe zhvillimin e aktiviteteve të SHSHASHS-së. Ai nënvizoi se shoqata ka arritur të ndërmarrë iniciativa me rëndësi të veçantë kulturore, historike dhe dokumentare, të cilat synojnë ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në mërgatë.

Në mënyrë të veçantë, z. Ibrahimi bëri të ditur se shoqata ka vendosur të vazhdojë mbledhjen dhe sistemimin e materialeve arkivore dhe dokumentare përmes realizimit të intervistave me personalitete të njohura shqiptare, të cilët me veprën dhe aktivitetin e tyre kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë kombëtare dhe kulturën shqiptare. Krahas kësaj, ai theksoi rëndësinë e botimit të shkrimeve autoriale, studimeve, eseve dhe recensioneve kushtuar botimeve të reja të anëtarëve të shoqatës dhe krijuesve shqiptarë në mërgatë.
Një vëmendje e veçantë gjatë kuvendit iu kushtua veprimtarisë botuese të SHSHASHS-së, e cila konsiderohet ndër projektet më të rëndësishme kulturore të diasporës shqiptare në Suedi dhe më gjerë. Sipas të dhënave të paraqitura, deri në vitin 2023 janë botuar 13 vëllime të veprës “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare”, përfshirë edhe botimin jubilar “Jubileum…”. Këto botime përmbledhin kontribute të studiuesve, profesorëve universitarë, publicistëve dhe ekspertëve të fushave të ndryshme, duke krijuar një arkiv të rëndësishëm të mendimit intelektual dhe të kujtesës historike të mërgatës shqiptare.
Në diskutimet e zhvilluara u vlerësua se seria “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare” përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të përkushtimit të mërgatës shqiptare ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kultivimit të vlerave shpirtërore, gjuhësore dhe historike të kombit shqiptar. Për këtë arsye, delegatët theksuan domosdoshmërinë e vazhdimit të botimeve të ardhshme, përkatësisht të vëllimeve 14, 15, 16 dhe më tej, si pjesë e një projekti afatgjatë kulturor dhe enciklopedik të mërgatës shqiptare.
Gjithashtu, gjatë kuvendit u diskutua edhe për nevojën e mbështetjes së autorëve shqiptarë që veprojnë dhe krijojnë në mërgatë, shumë prej të cilëve përballen me vështirësi financiare dhe institucionale në procesin e botimit të veprave të tyre. Puna dhe përkushtimi i këtyre krijuesve u vlerësuan si një kontribut i çmuar në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar dhe në pasurimin e letërsisë dhe publicistikës shqiptare bashkëkohore.
Në dimensionin ideor dhe kombëtar, kjo veprimtari u cilësua si vazhdimësi e misionit historik të rilindasve shqiptarë, të cilët përmes dijes, shkrimit dhe kulturës synuan ndërtimin e vetëdijes kombëtare dhe afirmimin e shtetit shqiptar. Në këtë frymë, u theksua se mërgata shqiptare ka përgjegjësi historike për të dokumentuar vetë historinë dhe përvojën e saj kolektive, duke mos lejuar që interpretimi i së kaluarës dhe i kontributit shqiptar të mbetet në duart e të tjerëve.
Në përmbyllje të fjalës së tij, z. Hysen Ibrahimi u bëri thirrje krijuesve, studiuesve, veprimtarëve dhe donatorëve shqiptarë që të vazhdojnë të kontribuojnë në ngritjen institucionale dhe kulturore të SHSHASHS-së. Ai theksoi se forcimi i bashkëpunimit ndërmjet intelektualëve shqiptarë në mërgatë është një domosdoshmëri për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për promovimin e vlerave shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Kuvendi zgjodhi Kryesinë kurse e autorizoj kryetarin z. Hysen Ibrahimi për zgjedhjen e nënkryetarëve, sekretarëve, arkëtarit, komisionet në kuadër të SHSHAS dhe kooptimin me anëtarë të kryesisë së SHSHASHS, të cilët janë meritor dhe nuk kanë mundur të marrin pjesë.
Njëkohësisht, ai shprehu mirënjohje të veçantë ndaj shtetit suedez dhe institucioneve të Suedisë, të cilat, sipas tij, kanë krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e lirë të veprimtarisë kulturore dhe organizative të komunitetit shqiptar. Në këtë aspekt, ai vlerësoi mbështetjen institucionale dhe klimën demokratike të Suedisë si faktorë të rëndësishëm që mundësojnë ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor të mërgatës shqiptare në një mjedis evropian multikulturor dhe demokratik siç është Suedia mike.
Për më hollësisht do të shkruhet në librin ”Thesar Kombëtar…” vëllimi 14 i cili do të dal nga shtypi në vitin e kaluar.

Average Rating