
Skenderaj: Epopeja e UÇK-së frymëzim atdhedashurie për gjeneratat e reja
Me aktivitete të shumta në kuvendet komunale të Kosovës ka nisur shënimi i 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Nis shënimi i 27-vjetorit të Epopesë në Skenderaj
Me aktivitete të shumta në Skenderaj ka nisur shënimi i 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Fillimisht në Kuvendin Komunal të Skenderajt është mbajtur seanca solemne për nder të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i kushtohet sakrificës epike të kryekomandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, është ngjarje më përmasa mbarëkombëtare, që bën bashkë shqiptarët këndej e andej kufirit dhe kudo ka shqiptarë, në Prekazin e historisë dhe krenarisë sonë shqiptare.
“Në kuptimin tejfizik, Adem Jashari është i pavdekshëm, të cilin sot e kujton me respekt secili njeri që gjak shqiptari. Lavdia i takon Adem Jasharit, e bashkë me të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës. U jemi përjetësisht mirënjohës për gjithçka ka bërë për vendin tonë, për Kosovën dhe lirinë e saj. Gjeneratat e reja kanë frymëzimin dhe shembullin për atdhedashurinë”, tha, mes tjerash kryetari Nura.
Ndryshe, ora e parë mësimore i është kushtuar Epopesë së UÇK-së, ndërsa në ora 09:00 Kuvendi Komunal në bashkëpunim me MK “Veteranët e UÇK-së, Klubi Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit”, Federatën Aeronautike të Kosovës, Federatën Shqiptare Aeronautike, Federatën e Motoçiklizmit të Kosovës dhe Shoqatën ë Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka bërë homazhe për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Kuvendi i Gjilanit ka mbajtur seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së
Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka mbajtur të mërkurën seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, përfaqësues tjerë institucional, familjarë të dëshmorëve e përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta.
Kryesuesi Kadriu tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është njëra nga faqet më të lavdishme të historisë sonë, duke thënë se sakrifica e Jasharëve është një thirrje e përhershme për të punuar me ndershmëri për të forcuar shtetin.
Ne Gjakovë shënohet Epopeja e UÇK-së
Epopeja e 5, 6 dhe 7 Marsit dhe betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të djemve dhe vajzave më të mira të kombit, kanë bërë që ne sot të mblidhemi këtu në këtë seancë solemne për të shënuar këtë ngjarje lapidare të kombit tonë. Kështu është shprehur kryetari i Gjakovës Ardian Gjini gjatë kësaj seancës të mbajtur për nder të kësaj dite.
Me rastin e shënimit të kësaj ngjarje kulmore, invalidë dhe veteranë të UÇK- së e, po ashtu, edhe zyrtarë të komunës, pranë lapidarit “Shokët e lirisë” në qendër të Gjakovës, kanë bërë nderime dhe vendosur buqeta me lule.
Rama: Prekazi nuk ishte vetëm betejë, por një kushtrim që kapërceu kufijtë e kësaj toke
Me rastin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seanca solemne.
Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se Prekazi nuk ishte vetëm betejë, por një kushtrim që kapërceu kufijtë e kësaj toke.
Në këtë seancë solemne ka marrë pjesë edhe Bekim Jashari, i cili tha se dëshmorët lanë një amanet, që të jemi të bashkuar.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ndau mirënjohje për familjen Jashari si simbol të sakrificës dhe angazhimit në ruajtjen e vlerave të shtetit të Kosovës.
Malisheva nis aktivitetet për Epopenë e UÇK-së
Në komunën e Malishevës kanë filluar aktivitetet e parapara për shënimin e manifestimit Epopeja e UÇK-së. Këto aktivitete zhvillohen në përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
Komuna e Malishevës ka njoftuar se sot në të gjitha shkollat e komunës ora e parë e mësimit i është kushtuar Epopesë së UÇK-së, ndërsa është mbajtur edhe një seancë solemne e Kuvendit të Komunës. Gjatë kësaj mbledhjeje fjalë rasti mbajtën kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi, dhe përfaqësuesi i Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së në Malishevë, Feriz Krasniqi.
Më tutje thuhet se në fjalimet e tyre ata theksuan rëndësinë e këtij manifestimi, i cili përkujton lavdinë e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe sakrificën e familjes Jashari. Ata kujtuan se 27 vjet më parë, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kjo familje luftoi dhe u flijua për lirinë e vendit. Po ashtu, ata folën për rëndësinë e kësaj beteje dhe kthesën historike që ajo paraqiti, ku një familje luftoi kundër një ushtrie të tërë, deri në flijim, duke u bërë simbol i luftës për liri deri në çlirimin e vendit.
Pas kësaj mbledhjeje u bënë nderime dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, në Kleçkë dhe në kompleksin memorial në Prekaz.
“Aktivitetet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe do të përmbyllen më 7 mars me ndezjen e zjarreve dhe flakadanëve në kompleksin ‘Kodra e UÇK-së’ në Ngucat”
Average Rating