Vjosa Osmani në Bërdo-Brijuni: Këtë vit presim vendim pozitiv për vizat

Read Time:5 Minute, 44 Second

Pas përfundimit të samitit Bërdo-Brijuni të mbajtur në Slloveni, ku u miratua edhe një deklaratë e përbashkët e gjashtë vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor, para medieve, foli presidentja Vjosa Osmani.

Ajo deklaroi se Kosova është një vend në Ballkanin Perëndimor, me aspirata për anëtarësim në BE.

Presidentja Osmani u shpreh se arkitektura e sigurisë, kërkon  veprime të duhura e me kohë, dhe sipas saj, është koha që sa më shumë  të ketë BE në Ballkan, aq më shumë paqe do të ketë në rajon.

“Si në çdo takim të samitit Bërdo-Brijuni, Kosova do të qëndrojë si anëtare e barabartë e vendeve të rajonit e ku edhe i kemi dhënë propozimet tona, që janë marrë parasysh”, u shpreh  e para e  shtetit.

“Duam të ritheksojmë rëndësinë e këtij samiti dhe duam të shprehim vlerësimin tonë për nikoqirët, sepse ashtu sikurse Sllovenia, edhe Kroacia, kanë qenë mbështetëse edhe më parë për Kosovën, e vazhdojnë të jenë, derisa ta fitojmë vendin tonë në OKB, BE e NATO”, u shpreh presidentja Osmani.

Presidentja në Bërdo-Brijuni: Qëndrimet e Kosovës, në deklaratën 6 pikëshe

E pyetur nëse ka pasur mbështetje nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që Kosovës t’i liberalizohen vizat, presidentja e republikës, u shpreh se tashmë janë miratuar gjashtë pika në këtë samit.

“Ato janë mbështetur nga të gjitha vendet dhe nuk pati asnjë vend që kundërshtoi, por duhet ditur se jo të gjitha vendet e  Ballkanit Perëndimor janë pjesëmarrëse në vendin ku merret vendimi për liberalizim”, u shpreh ajo.

Osmani rikujtoi e Kosova ka biseduar me aleatët e saj, si është Republika Çeke  dhe shtete të tjera anëtare të BE-së.

“Nuk ka vend të BE-së që na thotë se janë kundër liberalizimit dhe besoj se kemi momentumin  e duhur për liberalizim dhe momentumi është i shkëlqyer. Prandaj shpresojmë se gjatë tetorit të mblidhet grupi punues për viza  dhe në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor, që pritët të mbahet nga muaji tetor, të dihet më shumë”, tha ajo.

Sipas presidentes Osmani, me rëndësi është që gjatë presidences çeke të BE-së, të merret ky vendim, gjatë këtij viti.

“Kemi biseduar me vendet e  BE-së dhe është më rëndësi që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Slloveninë e Kroacinë, të flasim me një zë kur flitet për liberalizim të vizave”.

Presidentja Osmani u shpreh se ky proces ka të bëjë edhe me vetë  kredibilitetin e BE-së, por duhet kujtuar se Kosova ka zgjedhur rrugën euro-atlantike.

“Në fund të vitit do të aplikojmë për kandidaturën për anëtarësim në BE. Kosova qëndron dhe i mbron vlerat e BE-së”, u shpreh presidentja e Kosovës.

“Ne besoj se e meritojmë statusin  e vendit kandidat sa më shpejt të jetë e mundur”.

Presidentja e Kosovës edhe një herë rikonfirmoi se deklarata e përbashkët  në samitin Bërdo-Brijuni është e miratuar njëzëri dhe është tejet e rëndësishme.

Ajo nënvizoi edhe një herë se BE-ja i ka premtuar Kosovës që në vitin 2018, liberalizimin e vizave, sepse vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Askush nuk humb nga ky liberalizim. Deklarata u pranua nga të gjithë pjesëmarrësit dhe nuk kemi pasur biseda bilaterale”.

Ajo risolli në vëmendje se ka shumë mospajtime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe këto  mospajtime janë publike.

“Serbia ende nuk e  pranon realitetin e pakthyeshëm se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe sa më shpejt ta kuptojë këtë, do të jetë më mirë edhe për vetë Serbinë”, u shpreh ajo.

“ Kosova është shumë e angazhuar për dialog dhe në këtë dialog besoj se realiteti duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe me këtë edhe vetë Serbia do të ecte rrugës evropiane”.

Osmani tha se ka shumë gjëra me të cilat nuk pajtohet me Vuçiqin, por dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të përqendrohet tek njohja e ndërsjellë.

“Nëse Serbia angazhohet në mënyrë konstruktive të arrijë marrëveshje përfundimtare me njohje të ndërsjellë në qendër, atëherë kjo njohje është ajo që sjellë paqen e dëshiruar dhe na sjellë më afër BE-së, që është edhe synimi ynë”.

6 konkluzionet e samitit Bërdo-Brijuni, kërkohet heqja e vizave për Kosovën

Presidenti i Sllovenisë, ka publikuar gjashtë konkluzionet e samitit të Bërdo-Brijunit. Në llogarinë  e tij në Twitter, ai shkroi se të gjashtë vendet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor që përfaqësohen nga presidentët, janë pajtuar në këto pika.

Në samitin e 11-të të Bërdo-Brijunit, presidenti slloven u shpreh se konkluzionet janë këto:

 1. Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtën e paqes dhe stabilitetit në rajon, zgjerimi është më shumë se gjeopolitikë,

 2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim, 

3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën deri në fund të vitit 2022,

 4. Ne bëjmë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022, 

5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekomomike dhe energjetike,

 6. Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe çështjet e hapura në rajon.

Në këtë samit, ku nikoqir janë presidenti i Sllovenisë Borut Pahor dhe ai i Kroacisë, Zoran Milanoviq, Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, Shqipëria nga presidenti Bajram Begaj, Mali i Zi nga Milo Gjukanoviq, Maqedonia e Veriut nga Stevo Pendarovski, Bosnje e Hercegovina nga tre përfaqësuesit e presidencës boshnjake dhe Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Bisedimet Kosovë-Serbi, temë e procesit të Bërdo-Brijunit

Dy nikoqirët, Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes në rajon.

Pahor dhe Milanoviq kanë bërë thirrje për dialog si rruga e vetme e gjetjes së zgjidhjes dhe ruajtjes së paqes në rajon, raporton RTK.

Teksa presidenti Pahor është shprehur i rezervuar për t’i bërë thirrje direkte Serbisë për njohjen e Kosovës, ai kroat Milanoviq tha se pavarësia është rrugë pa kthim dhe se ai vazhdimisht bën thirrje që vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të bëjnë një gjë të tillë.  

Ndërsa presidenti slloven Borut Pahor tha se nuk i ka kërkuar Serbisë njohjen e Kosovës por sipas tij thirrja që është bërë është që të dyja vendet të vazhdojnë rrugën e dialogut.

“Ne kemi dhënë shumë deklaratë këtë vit, ne u kemi bërë thirrje të dy palëve që të vazhdojnë dhe ti zgjedhin çështjen, sepse paqja do të ruhet në këtë formë në rajon, ky është komenti im i fundit për këtë gjë”.

/RTK/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Politika kreative dhe pesha e qeverisjes
Next post Bayern-Barcelona 2-0, Liverpool mezi mund Ajaxin