Ambasadori gjerman: Jam plotësisht dakord me Kurtin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shpërndarë cicërimën e kryeministrit Albin Kurti në Twitter, ku thuhet se Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë “duhet të zbatohet pa vonesa”.
“Plotësisht dakord – zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia është nevoja e kohës”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Ndërsa Kryeministri Kurti ka thënë se marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet plotësisht, derisa ka shtuar se “ne kemi kaluar 2 vitet e fundit duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Më 18 mars në Ohër/Ohrid, HR/VP i BE-Josep Borrell shpalli zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord tani duhet të zbatohet – plotësisht dhe menjëherë. Asnjë zbatim i pjesshëm; pa vonesa”, shkroi Kurti.
Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.
Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.
Megjithatë, gjatë ditëve të fundit janë djegur disa vetura në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Disa prej veturave ishin me targa të Kosovës, ndërsa disa tjera me targa të Serbisë, prandaj ekspertët po vlerësojnë se tensionet mund të rikthehen sërish në këtë pjesë.
Marrëveshja e Ohrit kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Average Rating