
Besnik Bislimi: Fondi i Kosovës për Luginën sivjet do të dyfishohet
Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, z.Ragmi Mustafi është pritur nga zv.kryeministri i Kosovës, z.Besnik Bislimi
Nga takimi me z. Bislimi, kryetari i KNSH-së ka dhënë një informacion të ashtuquajtur “super lajm” për Luginën e Preshevës.
Postimi i z. Ragmi Mustafi:
Super lajm
DYFISHIM TË FONDIT PËR LUGINËN
Në kuadër të komunikimit të rregullt me Zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, e informuam për dinamikën e re në Luginën e Preshevës, përfshirë angazhimin e mbi 450 shqiptarëve me mbështetje financiare nga RKS.
Bashkëbiseduam për mundësitë e reja dhe morëm zotimin për të realizuar jo vetëm buxhetin e planifikuar, por edhe mundësinë e dyfishimit të këtij fondi me hapjen e programeve të reja financimi! Mundësi e madhe për më shumë barazi dhe drejtësi sociale për shqiptarët e Luginës.
Këshilli Kombëtar Shqiptar është jetik për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit shqiptar në Luginë. Funksionimi i tij nuk mund të rrezikohet nga asnjë axhendë që synon shuarjen e këtij institucioni!
Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe motivuar për horizontet e reja për shqiptarët e Luginës. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të bërë ndikimin pozitiv!