Bislimi për “RTK PRIME”: Kosova nuk mund të krijojë Asociacion me kompetenca ekzekutive

Read Time:9 Minute, 41 Second

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTK-Prime, ka thënë se për asociacionin nuk negociojnë dhe se janë pajtuar me palën ndërkombëtare që nuk mund të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

Bislimi: Trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe, nuk është e rrezikuar

Edhe për vetmenaxhimin në bazë të neneve, ai tha se komunat e Kosovës, kanë liri më të madhe në menaxhim. “Të drejtat e minoriteteve përbëjnë pikën e fort të shtetit, shteti i Kosovës, është ndërtuar me premisën që minoritetet gëzojnë standarde të larta, por në asnjë masë që rrezikon stabilitetin e shtetit.

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, sa i përket çështjes së Kishës Ortodokse Serbe, tha se çështja e saj është edhe në Pakon e Ahtisarit.  “Për të forcuar mbrojtje, ne kemi një trashëgimi shumë të pasur në Kosovë, ne mendojmë që as trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe, nuk është e rrezikuar, në fakt historikisht janë mbrojtur nga shqiptarët, janë trashëgimi e përbashkët. Ne mund të diskutojmë në bazë të Kornizës së Këshillit të Evropës”, tha ai.

Bislimi: Kosova nuk mund të krijojë Asociacion me kompetenca ekzekutive

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se duhet të pritet që deri më 18 mars të finalizohet aneksi dhe pastaj do të shohim se cili ka qenë propozim i palës kosovare për planin franko-gjerman.

Për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe, Bislimi tha se nuk Kosova nuk mund të krijojë atë me kompetenca ekzekutive. “Ka një  harmoni mes qëndrimeve edhe të Bashkimit Evropian, edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, që Kosova nuk mund të krijojë asnjë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe mendoj se kjo është e qartë edhe për zotin Vuçiq”, tha ai.

Sipas tij edhe në pikën dy, thuhet qartë se çfarëdo trupe që krijohet në Kosovë, çfarë do emri që gjendet për të, ai nuk mund të jetë në kundërshtim me kushtetutën dhe kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.

Ai ka folur edhe për Asociacionin. “Në fakt ai është një obligim që është pranuar nga nj ish qeveri në të kaluarën, rrjedhimisht është negociuar. Ne për Asociacionin nuk negociojmë, ajo që ne po themi është që ka dakordim mes palës tonë dhe asaj ndërkombëtare dhe kjo është dokumentuar me një letër të znj.Mogerini në vitin 2015 i ka dërguar institucioneve të Republikës së Kosovës,  ku thuhet se nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha ai.

Lajçak ka dërguar një listë me 15 modele sesi është rregulluar çështja e të drejtave të minoriteteve

I dyti i qeverisë së Kosovës, bëri me dije se Z.Lajçak i ka dërguar një listë me 15 modele, sesi është rregulluar çështja e të drejtave të minoriteteve. “Ne duhet të shohim se cili model na përshtatet, ne nuk do të kopjomë, ka modele të cilat logjikisht nuk mund te implementohen në Kosovë, e që janë zhvilluar për ishuj”, tha ai. Bislimi, tha se pas kësaj marrëveshje. Kosova me Serbinë do të ketë më pak probleme.

Për kohën e zbatimit të udhërrëfyesit, në fund të javës së ardhme, Lajçak do të vizitojë Kosovën. “Më 18 mars do të jetë takimi i ardhës mes z.Kurti dhe Z.Vuçiq, ku do diskutohet për një dokument të përbashkët të aneksit, ky është plani”, tha Bislimi.

Sipas tij në momentin kur palët dakordohen për aneksin, atëherë  Bashkimi Evropian, merr përsipër procedurat e nënshkrimit, apo finalizimit.

“Do të ketë një ceremoni, gjasat janë të mëdha që në ceremoni do të marrin pjesë të gjitha kryeministrat e 27 shteteve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të rritet përkushtimi politik i Bashkimit Evropian, prapa këtij dokumenti. Kjo është ideja apo plani, këtë duhet ta aranzhon z.Borell”, tha ai.

Bislimi: Nuk ka normalizim të plotë pa njohje reciproke

(E plotësuar)Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, vlerësoi se Kosova ka bërë një koncesion. Ai tha se nëse do të kishte normalizim të plotë do të ishte e mirë për të gjithë.

“Nuk ka normalizim të plotë pa njohje reciproke, për ne do t kishte qenë zgjidhja optimale që normalizimi të ndodh sa më shpejt me që edhe qytetarët e Kosovës edhe qytetarët e rajonit, por edhe vet Bashkimi Evropian do të ishin përfituesit final të një normalizimi të raporteve Kosovë-Serbi. Fatkeqësisht është vetëm një pale e cila mendon se duke e mbajtur ende tensionet dhe jo normalizimin mund të përfitojë, kjo është Serbia”, tha Bislimi.

Bislimi: Nuk harrohet e kaluara, por do të adresohet ajo

Për nenet, që kanë qenë temë debati ditët e fundit, Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, vlerësoi se nuk do të harrohet e kaluara, por do të adresohet, pra do të merremi me pasojat, si dhe vetë ideje për harresë është paradoksale dhe absurde.

Bislimi: Ky nuk është plani që ka synuar Kosova

(E plotësuar)Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur edhe për atë se ai është ky plan që ka synuar Republika e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Jo ky nuk është plani që ka synuar Kosova e as bashkësia ndërkombëtare, në qoftë se shikoni qartë mandatin e zotit.Lajçak, mandati i tij konsiston në arritjen e një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme e cila do të ketë në qendër njohjen reciproke. Zhvillimet e fundit e fundit në fushën e sigurisë në Evropës e në Ukrainë në e veçanti, kanë ndryshuar realitetin, ku edhe pastaj BE ka ardhur në përfundim që për momentin është e pamundur që të ushtrohet presion i mjaftueshëm mbi palën serbe që të jetë konstruktive në dialog”, deklaroi ai.

Bislimi: Serbia nuk ishte e gatshme të nënshkruajë propozimin

(E plotësuar, ora 20:20)Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takimi i 27 shkurtit ka pasur dy qëllime dhe se Kosova ka qenë konstruktive në dialog.

“Qëllimi i parë ka qenë që të përmbyllet diskutimi për propozimin evropian, në mbështetje nga vendet kryesore të Quint-it dhe qëllimi i dytë ka qenë që pastaj të diskutohet mbi elementet dhe parimet mbi të cilat do të ndërtohet teksti-aneksi i Marrëveshjes ku do të detaizohen mënyra sesi këto 11 Nene, e që në fakt janë 10 , pasi që njëri i referohet ekzistencës së Aneksit, do të implementoheshin nga palët”, tha ai sonte në RTK Prime.

Duke shtuar se qëllimi i palës kosovare ka qenë që jo vetëm të dakordohet për propozimin në fjalë, mirëpo edhe që ky dakordim të fuqizohet përmes nënshkrimit nga të dy palët. “Fatkeqësisht ka munguar gatishmëria nga pala e Serbisë, që kjo të finalizohet më nënshkrim për dokumentin e propozuar”, tha ai.  Sipas tij me nënshkrimin e atij dokumenti krijohet një bazë e mirë për fokusimin e plotë të palëve për dizajnimin e dokumentit.

Bislimi: Kosova nuk mund të krijojë Asociacion me kompetenca ekzekutive

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTK-Prime, ka thënë se për asociacionin nuk negociojnë dhe se janë pajtuar me palën ndërkombëtare që nuk mund të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

Zv/ kryeministri ka folur edhe për njohjen nga Serbia duke thënë se ka avancim nga njohja de-facto në de-jure.

Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:

Palët e dakorduara,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët zotohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit si aneks të kësaj Marrëveshjeje.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post <strong>Disa nga arritjet kulminante të rinisë shqiptare në Suedi</strong>
Next post Faton Bislimi: Çështja shqiptare në Luginë nga SHBA nuk ka qenë asnjëherë më e përkrahur sesa tani