Departamenti Amerikan i Shtetit: Investimet direkte të huaja në Kosovë mbeten të kufizuara
Departamenti amerikan i Shtetit në raportin e ri për “Klimën e Investimeve” në Kosovë për vitin 2023, ka shkruar se investimet direkte të huaja në Kosovë mbeten të kufizuara, derisa remitancat e dërguara nga diaspora vazhdojnë të jenë shtytësi më i madh ekonomik i vendit. Në raport përmenden edhe tensionet në veri si dhe mosnjohja e Kosovës nga Serbia, e cila shihet si problematikë në shumë çështje përfshirë edhe aktivitetet e përditshme të biznesit.
Në raportin e DASH-it për për “Klimën e investimeve në Kosovë“, përmenden disa faktorë që ndikojnë në tërheqjen e Investime Direkte të huaja, ndër to ndërhyrja politike në ekonomi dhe gjyqësor furnizim jo i besueshëm me energji, informaliteti, korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë mungesën e zbatimit të kontratave e të tjera.
“ Mosmarrëveshja e vazhdueshme e Kosovës me Serbinë dhe mungesa e njohjes formale nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, gjithashtu pengon investimet dhe krijon pengesa për të bërë biznes”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.
Megjithatë, në këtë raport theksohet se ekonomia kosovare ka treguar “elasticitet të konsiderueshëm” pas tronditjeve që kishin buruar nga pandemia dhe rritja e shpejtë e çmimeve të mallrave, teksa citon edhe vlerësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar se rritja ekonomike në vend për vitin 2023 parashihet të jetë 3.8 përqind.
Departamenti amerikan i shtetit në raport ka trajtuar edhe tensionet në veri të Kosovës.
“Mungesa e marrëdhënieve të normalizuara me Serbinë, nga e cila Kosova u shkëput në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, mbetet një burim tensionesh politike dhe kërcënimesh për konfrontime të dhunshme, veçanërisht në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Një shembull i fundit dhe ilustrues përfshin një njoftim të qeverisë së Kosovës në tetor 2022 për zbatimin e një vendimi të mëparshëm që kërkonte shkëmbimin e targave të Serbisë me targat ‘RKS’ të lëshuara nga Republika e Kosovës. Si përgjigje ndaj këtij njoftimi dhe rritjes së tensioneve, u ngritën barrikada në katër komunat veriore të Kosovës duke bllokuar rrugët e transportit brenda dhe jashtë rajonit. Që nga prilli 2023, negociatat po vazhdonin për zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve””, thuhet në raport.
Sipas raportit të DASH-it, mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia shihet si problematikë për vendin edhe në kryerjen e aktiviteteve të përditshme të biznesit, ndërkaq mungesa e Domenit të Nivelit të Lartë të Kodit të Shtetit në Kosovë e bënë më të vështirë gjurmimin e sulmeve kibernetike.
Average Rating