Edi Rama në Athinë: Eshtë koha të jetojmë në harmoni
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fund të fjalës së tij të mbajtur para shqiptarëve në Athinë, dha edhe një mesazh për homologun e tij, Kyriakos Mitsotakis. Duke cituar Naim Frashërin, Rama tha se dëshira e vërtetë e shqiptarëve është që të jetojnë në paqe dhe në harmoni me fqinjët e tyre.
“Dëshiroj t’i lë një pusullë mikut tim, kryeministrit Mitsotakis. I dashur Kyriakos në vitin 1886 poeti ynë kombëtar Naim Frashëri shkruajti në greqisht vjershën e tij, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve. Duam me të gjithë fqinjët, sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, në vëllazëri, me rend dhe paqe të jetojmë. Le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi, mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar është koha e mirëqeniës, është koha e lirisë. Shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë”, tha Rama.
Sipas Ramës, marrëdhëniet shqiptaro-greke janë më të ngushta se sa i ka bërë të duken politika e dy vendeve.
“Ju shqiptarët e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e ekonomisë, dijes e kulturës i këtij vendi të bekuar ku prej 25 shekujsh qëndron djepi i filozofisë dhe demokracisë. Gjatë historisë rrugët e shtëpive tona, luftërat, përrallat, marrëdhëniet tona kanë qenë shumë më të lidhura sa ç’janë lënë të duket. Edhe sot dukja e marrëdhënieve tona thotë shumë më pak se realiteti, ndërthurja e jetëve dhe lidhja e rrugëve të së ardhmes të pandashme mes shqiptarëve dhe grekëve”, theksoi Rama.
Rama nga Athina: Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të ngushta
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë takimit me diasporën shqiptare në Greqi, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë më të ngushta nga sa janë dukur. Sipas tij, është “pluhuri” nga politika e dy vendeve që nuk lejon që lidhja e fortë mes dy popujve të shihet qartë.
“Mirë se ju gjetja në shtëpinë tuaj të dytë në Greqinë fqinje dhe mike. Jeta dhe vepra juaj më mbushin me frymëzim shqiptarinë dhe më shumë krenari për ju njerëz të zakonshme nga të katërta anët e Shqipërisë që jeni bërë shëmbëlltyra e jashtëzakonshme e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Evropës. Shqipëria e ka ngritur kokën e saj të ulur nga historia tragjike dhe i sheh të gjithë sot në sy me të njëjtin respekt që kërkon nga të gjithë. Ju shqiptarët e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës dhe ekonomisë, dijes dhe kulturës së këtij vendi të bekuar, me të cilën na lidh jo vetëm fqinjësia por dhe një histori mijëravjeçare. Përgjatë kësaj historie, marrëdhëniet tona kanë qenë gjithnjë shumë më të lidhura nga sa janë dukur apo sa janë lënë të duken nga pluhurat dhe retë e politikes së dy vendeve tona”, tha Rama.
Rama: Shqipëria kërkon nga Greqia respekt reciprok. Grekëve në vendin tonë s’u janë mohuar të drejta arbitrarisht
Kryeministri Rama ka kujtuar të gjitha sakrificat që emigrantët shqiptarë u deshën të haseshin kur shkuan në Greqi, ku u përballen padrejtësisht me paragjykimet dhe mohimin e të drejtave të tyre. Rama tha se kërkon nga Greqia respekt reciprok dhe kujdesit reciprok të bashkëkombëseve dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Rama foli gjithashtu edhe për problemet që shqiptarët hasin në Greqi, ku tha se komunitetit grek në Shqipëri nuk i është mohuar kurrë asnjë e drejtë nga autoritete shqiptare.
“Në një vend si i yni që përparon përditë por ku plagët e trashëgimisë negative të së shkuarës janë ende jo plotësisht të mbyllura. Ama kurrë një grek etnik në Shqipërinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hallë apo problem për shkak të kombësisë së tij. Kurrë asnjëherë në asnjë rast grekët etnik nuk u është mohuar arbitrarisht nga autoritet shqiptare e drejta e besimit, gjuhës dhe pronës. Kurrë në asnjë rast atyre nuk u është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës së tyre etnike. Dhe nëse flasim për pronat, këtu ju jeni përfaqësia kombëtare e Shqipërisë, e kush nga ju që ka një shtëpia apo tokë në ato zona ku ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësi për 1001 arsye mund të thotë të kundërtën. Ky është një problem i Shqipërisë dhe jo vetëm për grekët e Shqipërisë. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, përveç respektit reciprok dhe kujdesit reciprok të bashkëkombëseve dhe marrëdhënieve reciproke të fqinjësisë së mirë. Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik, qoftë për çështjet për t’u zgjidhur mes nesh, ne i shohim si arsye për t’u afruar më shumë dhe për t’u njohur më mirë dhe të mos bëjmë bisht komunikimit dhe të gjejmë zgjidhjet e arsyeshme për të dy palët”, tha Rama.
Takimi u zhvillua në stadiumin “Galatsi” në Athinë, i cili ishte i “veshur” kuqezi dhe flamujt shqiptarë e simbolet kombëtare, si dhe nisi me këndimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnin e BE-së.
Average Rating