Hashim Thaçi: Sakrifica ia vlejti, Kosovës iu hoq “reja e zezë”

Read Time:12 Minute, 18 Second

Në ditën e dytë të gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, para gjykatës foli ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili u shpreh i pafajshëm për të gjitha akuzat, derisa tha se është gati të përballet me një sfidë të re. Ai tha ndjenë keqardhje për viktimat e luftës, derisa tha se çmimi i lirisë ishte i lartë, ndërsa rruga ishte e vështirë dhe gjatë.

“Të nderuar gjykatës. Faleminderit për mundësinë që t’iu drejtohem shkurt. Sot ne jemi duke nisur një rrugëtim së bashku, rrugëtim drejt së vërtetës dhe drejtësisë. E vërteta dhe drejtësia janë parime të çmuara për mua, ato janë gurthemeli i të gjitha demokracive dhe themeli i paqes. Më lejoni të shfrytëzoj këtë moment për të thënë se ndiej keqardhje për të gjitha viktimat e kësaj lufte pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike. Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”, deklaroi Thaçi.

Ai edhe sot, sikurse në fillim, tha se ndjehet i pafajshëm për të gjitha akuzat që i vihen në barrë.

“Jam gati të përballem me këtë sfidë të re, dhe të kem sukses për familjen time, popullin tim e vendin tim. Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë, isha student në Zvicër kur u masakrua familja Jashari në mars të vitit 1998. Si shumë shqiptarë nga diaspora edhe unë u ktheva për të ndihmuar vendin tim dhe iu bashkova rezistencës për liri në Kosovë. Kushdo që të ishte në vendin tonë do të kishte bërë të njëjtën gjë kur t’iu hiqej liria. UÇK-ja përbëhej nga njerëz të thjeshtë, vullnetarë, që përpiqnin të mbronin shtëpinë, e vendbanimet e tyre. Ata luftuan dhe shumë vdiqën trima e hero. Ky ishte çmimi i lirisë. Mijëra familje humbën të dashurit e tyre. Me qindra masakra të kryera nga Serbia”, tha ish -presidenti.

Kundërshtarët e Kosovës, sipas tij, ishin ushtria, policia dhe paramilitarët serbë të kalitur në fushatat e tyre në Bosnje.

Si rezistenca paqësore ashtu edhe ajo e armatosur, siç tha Thaçi para gjykatësve, kishin për synim, lirinë, shtetësinë dhe rendin demokratik të Kosovës, pa të cilin Kosova nuk do të ekzistonte fare.

“Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, ishin të përcaktuar për paqe. Lufta iu imponua. Ata bënë atë që do të bënte çdo popull liridashës për të mbrojtur vendin e tyre. Ne Kosova, ishim në anën e drejtë të historisë. Prandaj jam i lumtur që populli i Kosovës jeton i lirë e i pavarur me të drejta të barabarta me të gjithë qytetarët e saj”, tha ai.

Gjatë këtij gjykimi, Thaçi tha se duhet udhëtuar prapa në kohë tek ngjarjet që kanë ndodhur 25 vjet më parë.

“U kërkoj të gjithëve të keni parasysh se mbamendja 25 vjet më parë është e mjegulluar. Realiteti po ngatërrohet me opinione e agjenda të ndryshme. Spekulimet po shndërrohen në fakte. Gjithashtu emocionet, motivet apo mllefet politike të secilit do akter politik nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë. Kjo vlen edhe për disa botime apo opinione të pasluftës, të ekzagjeruar apo të përshtatura të akterëve të ndryshëm të luftës. Si në çdo shoqëri demokratike edhe tek ne jo çdo bashkëluftëtarë ka qenë edhe bashkudhëtarë apo bashkëmendimtarë në proceset politike të pasluftës”, deklaroi ish presidenti kosovar.

“Jo në pak raste, ambicia, interesat politike e egoja personale, tejkaluan të vërtetën për rrëfimin e UÇK-së dhe historisë së Kosovës. Në raste jo të pakta, ambicia, interesat politike, egoja personale, tejkaloi të vërtetën për rrëfimin e UÇK-së dhe historisë së Kosovës. Njerëzit mbajnë mend atë që duan të besojnë. Por kemi dëshmi historike të regjistruara në atë kohë. Duhet të kthehemi tek ato dëshmi sepse aty do të zbulohet e vërteta”, deklaroi ai.

Thaçi ka shprehur keqardhje që nuk janë më prezentë për të dëshmuar në procesin e tij gjyqësorë ish-sekretarja e SHBA-së Medline Albright, senatori Robert Dole, sekretari britanik Robin Cook, presidenti Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Fehmi Agani e të tjerë.

Por ka shtuar që do ketë dëshmitarë të tjerë që do flasin për veprat e tij.

Në këtë fjalim Hashim Thaçi foli edhe për raportin e senatorit zviceran Dick Marty, i cili kishte akuzuar Kosovën, UÇK-në dhe siç tha Thaçi, vetë atë për trafikim organesh.

“Kur raporti i Dick Martyt para 13 vitesh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafik organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh, dhe se shtëpia e verdhë nuk kanë ekzistuar kurrë. E dimë se edhe unë edhe UÇK-ja edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”, deklaroi Thaçi.

Ai po ashtu tha se pret që të shfajësohet nga çdo akuzë tjetër në përfundim të këtij procesi gjyqësor.

“Unë jam intervistuar nga të gjitha mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, qoftë në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit. Çdo bashkëpunim me të gjithë këta akterë ndërkombëtarë, ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent qoftë në Prishtinë qoftë në Hagë. Gjithçka që thuhet tjetër, është e paqëndrueshme. Ky është çmimi i lirisë, unë besoj në paqe, pajtim, të vërtetë dhe drejtësi. Besoj se ky procesi do të jetë i drejt, transparent dhe i shpejtë”, deklaroi ai.

Ish-presidenti po ashtu në deklaratën e tij tha se pa ndihmën e ndërkombëtarëve e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “nuk do të mund të ishim kurrë të lirë e të pavarur”.

“Ne në Kosovë gjithmonë kemi mbështetur drejtësinë, e drejtësinë ndërkombëtare në veçanti”, ka thënë Thaçi.

Avokati: Thaçi vetëm në letër ishte udhëheqës i Qeverisë së Përkohshme

Në vazhdimin e procesit gjyqësor pala mbrojtëse ka folur edhe për Drejtorinë Politike të UÇK-së, të cilën e ka drejtuar Hashim Thaçi. Edhe në këtë çështje, mbrojtja tha se Prokuroria ka ngatërruar vetë termin politikë dhe politikat, duke i trajtuar si të ngjashme. Sipas palës mbrojtëse, Hashim Thaçi ka zbatuar politikat e UÇK-së dhe nuk i ka bërë politikat e UÇK-së.

Madje, sipas avokatit , Lluka Mishetiq, Drejtoria Politike e UÇK-së ka pasur edhe zyra në vendet perëndimore që ka pasur për qëllim ndërkombëtarizimin e luftës dhe marrjen e përkrahjes për UÇK-në. Pra, siç tha ai, kjo drejtori ka organizuar edhe konferenca për media, por nuk ka pasur kontroll mbi UÇK-në.  

“Hashim Thaçi respektonte politikat e UÇK-së”, tha avokati, i cili bërë edhe më shumë elaborime për rolin e kësaj drejtorie, takime me ndërkombëtarë dhe angazhimin e saj që të marrë sa më shumë mbështetje politike nga të huajt.

“Thaçi ka drejtuar politikën e UÇK-së dhe jo politikat e saj. Ishte përgjegjës për politikën e UÇK-së dhe jo politikat e saj. ZPS ka përkthyer gabimisht se Drejtoria Politike ishte udhëheqëse e politikave të UÇK-së”, tha avokati.

Ndërsa sa i përket Qeverisë së Përkohshme, në të cilën Hashim Thaçi ishte kryeministër i saj, pala mbrojtëse tha se, Thaçi ishte vetëm në letër udhëheqës i saj.

“Hashim Thaçi nuk pati kurrë pushtet të plotë ligjor. Ai ishte në Qeverinë e Përkohshme që u zëvendësua nga UNMIK-u dhe kurrë nuk pati pushtete. Ai ishte kryeministri në letër”, tha Mishetiq, sipas të cilit, në terren Thaçi nuk kishte asnjë lloj përgjegjësie dhe kontrolli mbi njerëzit që bartnin uniforma.

Avokati Mishetiq përmendi edhe një raport nga Grupi ndërkombëtar i Krizave (ICG) se “kush kë po e vret në Kosovë”.  “Aty thotë se uniformat i blenë kushdo nëpër dyqane dhe vrasje mund të bëj kushdo”, përmend avokati, i cili gjithashtu se në atë përudhë ka pasur edhe njerëz të tjerë që kishin kundërshtuar demilitarizimin UÇK-së.

Sipas palës mbrojtëse, Hashim Thaçi nuk ka pasur mundësi të ketë kontroll mbi ata të cilin bartnin uniforma.

Po ashtu pala mbrojtëse nxori dhe videot ku është deklaruar kryeministri i përkohshëm Hashim Thaçi, duke iu kërkuar serbëve të qëndrojnë në Kosovë. “Udhëheqësit e UÇK-së vazhdimisht u kanë bërë thirrje serbëve që të qëndrojnë në Kosovë”, tha avokati mbrojtës. “Kosova është e kosovarëve”, dëgjohet Hashim Thaçi në qershorit 1999 duke folur para qytetarëve të Mitrovicës.

Avokati rikujtoi se pas ofensivës serbe të vitit 1999, UÇK-ja thuajse nuk ekzistonte.  “Ra morali i pjesëtarëve të UÇK-së, nuk kishin furnizime, por edhe në atë kohë, UÇK-ja thuajse ishte shpartalluar. Kjo ushtri ishte vullnetare, njerëz që hynin e dilnin si të donin”, tha avokati.

“UÇK-ja thuajse u shkatërrua saqë edhe pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm u larguan nga Kosova”. Avokati tha se nuk kishte strukturë komande të UÇK-së dhe nuk kishte strukturë efikase.

Mbrojtja publikoi dokumentin  Departamentit Amerikan të Shtetit se se UÇK-ja s’ka komandë as kontrollë.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe ka publikuar një dokument të Departamentit amerikan të Shtetit i majit 1999. Në këtë dokument thuhet se UÇK-ja nuk ka as komandë, as kontroll mbi Kosovën.

“Për më tepër, meqenëse nuk ka strukturë politike në Kosovë apo komandë dhe kontroll efektiv të UÇK-së-së, do të duheshin shumë muaj, nëse jo vite, për t’i organizuar ato për të përdorur dhe mbajtur çdo ndihmë ushtarake që do të ofronin Shtetet e Bashkuara”

Ai tregoi se pas 78 ditë bombardimesh, Millosheviqi zgjodhi të nënshkruajë marrëveshjen, e miratoi Parlamenti i Serbisë dhe ajo u nënshkrua në Kumanovë kurse më pas KS i OKB-së krijoi administratë në Kosovë, përfshirë forcë policore.

Pas lufte, avokati tha se erdhi KFOR-i në Kosovë, i ndjekur nga struktura civile e OKB-së. Me 20 qershor u largua ushtria serbe, e me 21 qershor, u nënshkrua e marrëveshja për demilitarizim të UÇK-së dhe FARK-ut.

Me 24 qershor 1999, Parlamenti i Serbisë heq gjendjen e luftës. “Kjo luftë nuk u shtri deri në shtator 1999”, tha ai, duke pyetur se çfarë bëri OKB-ja sipas Rezolutës 1244.

“Ishte ndërmarrje e paprecedentë e ndërmarrë nga OKB-ja. Ishte shumë e vështirë kjo situatë”.

Ai citoi gjeneralin Clarck se në Bosnje kishte polici e struktura policore të mëparshme, kurse në Kosovë nuk kishte asgjë dhe të gjithë shikonin drejt OKB-së.

Avokati tha se në atë kohë, Kosova nuk kishte as gjykata, as polici, as institucione, as ligje e me mijëra kosovarë të dëbuar, kur u kthyen, kishin të vrarë, shkatërrim e gjithçka tjetër.

”Çfarë mund të pritej në situatë të tillë përveç hakmarrjes?”, pyeti avokati, duke shtuar se edhe shumë kriminelë duke përdorur uniformën e UÇK-së mund të kenë kryer veprime.

Ai më tej shpjegoi se pas luftës, ishte vetë Thaçi që u mundua të kthejë refugjatët serbë, pastaj krijoi Shërbimin Policor të Kosovës, nënshkroi demilitarizimin e UÇK-së dhe u përpoq të krijojë mjedis multietnik.

Avokati citon Sheshelin: Asnjë shqiptar s’do të mbetët në Kosovë

Duke folur për Qeverinë e Përkohshme, avokati tha se ajo do të kishte strukturë gjithëpërfshirëse, pra edhe anëtarë të LDK-së e LBD-së, duke paraqitur edhe marrëveshjen, të nënshkruar nga Thaçi, Rugova e Qosja.

“Kjo ishte Qeveri e Përkohshme deri në zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk ishte plan i Thaçit për të marrë nën kontroll vendin”, tha avokati, duke shtuar se edhe pse LDK u tërhoq nga marrëveshja e serbët nuk nënshkruan në Rambuje, SHBA donte të kishte një Qeveri të Përkohshme.

Avokati solii në vëmendje një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit. “Kjo qeveri ishte partner gjithëzbatues me komunitetin ndërkombëtar e ku përfshinte të gjithë faktorët politik”, tha avokati, duke kundërshtuar pretendimet e prokurorisë së me këtë qeveri, Thaçi synonte marrjen e kontrollit të vendit.

Ai tha se me tërheqjen e forcave serbe e themelimin e  UNMIK-ut, Qeveria e Përkohshme u përpoq për rikthimin e refugjatëve serbë dhe ngritjen e kapaciteteve civile.

https://www.facebook.com/

“Qeveria nuk kishte kontroll mbi strukturat ushtarake sepse ato i kishin komandanti i KFOR-it, Mike Jeckson dhe Agim Çeku”.

Mbrojtja e Thaçit tha se UNMIK-u mori Kosovën nga 13 qershori 1999. Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka theksuar se Qeveria e Përkohshme nuk ka pasur asnjë ndikim në Kosovën e pasluftës.

Sipas tij, kjo ishte hera e parë që OKB-ja kishte krijuar një prani ndërkombëtare civile dhe të sigurisë të mandatuar sipas Rezolutës 1244 për të marrë kontrollin e plotë mbi funksionet gjyqësore, ligjore, të sigurisë dhe administrative.

“Ky nuk ishte një mision tipik paqeruajtës. Ishte një gjë e paprecedentë”, tha ai. “UNMIK-u u mandatua për të vendosur sundimin e ligjit dhe për të rivendosur Institucionet e vetëqeverisjes së Kosovës”, ka thënë avokati.

Duke kundërshtuar pretendimet e prokurorisë e cila  bën përgjegjëse Qeverinë e Përkoshme për dhunën që kishte ndodhur në ditët dhe javët e para të pasluftës, avokati citoi  zyrtarë të Pentagonit, të cilit kishin theksuar se kur NATO do të hynte në Kosovë, shumë serbë do të deshirojnë të kthehen në Serbi.

Por paraprakisht, avokati më tej shpjegoi se plani i Serbisë ishte spastrimi etnik i Kosovës nga shqiptarët, e fakte të cilat ai tha se prokuroria nuk i përmendi fare.

Gjatë shpalojes së argumenteve mbrojtëse, avkoati i ish-presientit Hashim Thaçi, ka prezantuar një video në të cilën ultra-nacionalisti serb Vojislav Sheshel i cili në vitin 1999, kërcënonte se: “nëse NATO do të bombardonte Serbinë, do të kishte ca viktima serbe, por asnjë shqiptarë nuk do të mbetej në Kosovë”.

Sheshelj, i dënuar për krime lufte, asokohe kishte hyrë në koalicon me presidentin serb Slobodan Miloseviq. Paralajmërimi i tij për spastrim etnik dhe vrasje të shqiptarëve filloi pak ditë pas kësaj deklarate, në mars të vitit 1999.

Më pas ai tha se pasuan bombardimet e  NATO-s e ndërkohë Serbia filloi të deportojë shqiptarët etnik në shkallë të lartë, të pa parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Më pas, avokati parqiti deklarata e pamje të deportimit të shqiptarëve të Kosovës nga ana e Serbisë si dhe deklarata të personaliteteve si gjenerali Wesly Clarck.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka cituar ish-gjeneralin amerikan, Wesley Clark, i cili në intervistë për një televizion amerikan, në atë kohë kishte thënë se janë shumë njerëz që kthehen në Kosovë,e  janë bërë shumë krime, ka shumë emocione, por ka shumë serbë aty,  që kanë marrë pjesë nëpër krime.

“Ne ende nuk e dijmë sa shumë popullata serbe ka qenë e përfshirë në krime. Shumë prej tyre kanë mundur të marrin pjesë në krime. Disa do të largohen. Disa mund të jenë cak i drejtësisë ndërkombtare. UÇK-ja ka bërë thirrje për një shoqëri multietnike. Ne i besojmë këtë!”, kishte thënë Clark.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post <strong>Demokratë, bashkohuni dhe votoni për kauzën antikorrupsion: cmontimin e “Trekëndëshit të Bermudës”!</strong>
Next post Avokati i Kadri Veselit: Nuk ka pasur politikë përndjekjeje ndaj LDK-së