Josep Borrell i përgjigjet Kurtit: Së pari të rivendoset paqja e siguria në veri
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka vlerësuar se vetëm pasi të rivendoset paqja dhe siguria në veri të Kosovës, mund të kthehet fokusi tek procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.
Në letrën dërguar kryeministrit të Kosovës si përgjigje në propozimin përpikësh të Kurtit, Borell ka nënvizuar se është i gatshëm të organizojë një takim me presidentin Vuçiq, por me parakushtin se shefi i qeverisë kosovare është i gatshëm t’i ndërmerr hapat e nevojshëm për të de-përshkallëzim dhe për të hapur rrugën për zgjedhje të reja lokale.
“Nëse jeni gati për të ndërmarrë hapat e nevojshëm, takimi mund të organizohet shpejt”, ka porositur Borrell në letër.
Tutje ai kërkon punën drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, siç u shpreh, pa vonesë dhe parakushte shtesë.
Josep Borrell i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës që të merr hapa më të vendosur për të shtensionim të situatës, e në përputhje me masat e kërkuara nga vendet anëtare të BE-së dhe partnerët amerikanë.
Lajmin e ka bërë të ditur edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ai ka konfirmuar se Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ka marrë propozimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit për uljen e tensioneve në veri.
Stano, në një postim në Twitter, ka publikuar edhe reagimin e plotë të Bashkimit Evropian në letrën e kryeministrit Albin Kurti.
“Josep Borrell pasi u njoftua me letrën e publikuar nga kryeministri Kurti, ai ktheu një përgjigje, duke shpjeguar pritshmëritë e BE-së dhe hapat e nevojshëm për deeskalim të vërtetë. Ja reagimi i plotë”, ka shkruar Stano dhe ka publikuar letrën e plotë të Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Average Rating