Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për vazhdimin e seancës konstituive të shtunën, më 8 gusht, në orën 11:00
Seanca do të mbahet në Sallën e seancave, duke filluar nga ora 11:00.

Në rend të ditës janë zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Procesi i konstituimit mbeti i papërfunduar në seancën e parë, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit.
Kurti i shkruan sërish Hamzës, i ofroj PDK-së kreun e Kuvendit
Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke i përsëritur ftesën për takim dhe ofertën për rokadë mes pozitës së kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, në këmbim të pjesëmarrjes së PDK-së në votimin për presidentin e ri.
Në letrën e datës 7 gusht, Kurti ka thënë se nuk e kupton pse të mos takohet me Hamzën dhe të diskutojnë për çështjet që lidhen me institucionet dhe interesin e qytetarëve.
“Ju faleminderit për përgjigjen e sotme. Më duhet ta pranoj se nuk po e kuptoj pse të mos takohemi dhe t’i bisedojmë shumë gjëra shtruar për hir të institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve. Komunikimi ynë duhet të jetë politik e kolegial nga afër dhe jo vetëm zyrtar e me letra nga larg”, thuhet në letrën e Kurtit.
Ai ka thënë se e respekton pozicionin e PDK-së për të mbetur në opozitë, por ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhen bashkë.
“E respektoj pozicionin tuaj për të mbetur në opozitë. Mirëpo, edhe konstituimin e Kuvendit edhe zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë siç e kërkon kushtetutshmëria të cilës iu betuam si deputetë të rinj dje”, ka shkruar Kurti.
Duke iu referuar deklarimit të PDK-së se do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit, Kurti ka thënë se kontributi i kësaj partie në këtë pikë është propozimi i emrit për nënkryetar, ndërsa sipas tij, kontribut real mund të jepet në zgjedhjen e presidentit.
“Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e Presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të parakohshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, thuhet në letër.
Kurti më pas i ka përsëritur Hamzës ofertën për rokadë mes pozitës së nënkryetarit të Kuvendit që i takon PDK-së dhe pozitës së kryetarit të Kuvendit.
“Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për President/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Në fund, ai ka lënë të hapur mundësinë për takim me Hamzën.
“Kurdo që mendoni se mund të takohemi, më lajmëroni menjëherë”, thuhet në letër.
Hamza sot, në përgjigjen drejtuar Kurtit, ka ritheksuar se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë.
“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.
Vlora Çitaku: S’bëhemi pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se vendi ndodhet në një moment kritik për demokracinë dhe institucionet, ndërsa, sipas saj, PDK nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues.
Çitaku tha se Republika dhe demokracia janë më të rëndësishme se çdo lider, ambicie apo interes politik.
“Kosova, Republika, demokracia është pakrahasimisht më e madhe se çdo lider, se çdo ambicie, se çdo ego”, tha ajo.
Tutje, ajo theksoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po refuzon respektimin e rregullave dhe normave kushtetuese.
“Është e papranueshme dhe ekstremisht e dënueshme nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës çdo përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues”, deklaroi Çitaku.
Sipas saj, demokracia nuk nënkupton vetëm mbajtjen e zgjedhjeve, por edhe respektimin e ligjeve, rregulloreve dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar shteti.
Çitaku bëri me dije se PDK po zhvillon një takim të grupit parlamentar dhe se vendimet e mëtejshme do të bëhen publike pas përfundimit të takimit.
“Një gjë ju them me siguri të plotë, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues”, tha ajo.
Duke folur për Kushtetutën e Kosovës, Çitaku theksoi se ajo nuk duhet parë vetëm si një dokument, por si rezultat i sakrificave të shumta ndër vite.
“Kur flasim për Kushtetutën, shumë mund ta nënkuptojnë vetëm një libër, një copë letër. Por ajo Kushtetutë nënkupton gjak, djersë, mund e sakrificë”, theksoi ajo.
Çitaku i bëri thirrje kreut të VV-së, Albin Kurti, që të vijë në Kuvend dhe të vazhdohet procesi i konstituimit të institucioneve.
“Kosova është më e madhe se çdo parti, se çdo lider. Ju ftoj të ecim përpara”, tha ajo.
Besnik Tahiri: VV sonte rrënoi rendin kushtetues, dyert e Kuvendit të mbyllura
Besnik Tahiri nga Aleanca tha se dyert e sallës kanë qenë të mbyllura, ndërsa akuzoi LVV-në se po e rrënon rendin kushtetues dhe po e shkel aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ajo që ne sot i themi kryesuesit Dehari, LVV-së, shumicës parlamentare, ju sonte jeni duke e rrënuar rendin kushtetues, jeni duke e lënduar skajshmërisht demokracinë përfaqësuese në Kosovë, jeni duke shkelur aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha aktet e normat që e rregullojnë punën e këtij Kuvendi”, tha ai.
Ai tha se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon sonte në 23:59 dhe se ata kanë kërkuar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, caktimin e vazhdimit të seancës menjëherë.
“Dyert e sallës ku do të duhej të konstituohej Kuvendi sonte janë të mbyllura, për faktin që ne si grup parlamentar e kemi lajmëruar me kohë kryesuesin e seancës konstituive dhe administratën me shkrim përmes e-mailit, mirëpo salla është e mbyllur”, tha ai.
“Sipas nenit 12, paragrafit 5 të rregullores, seanca konstituive përfundon vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të tjerë. Afati procedural prej 48 orësh për ndërprerjen e seancës s’mund ta zgjasë afatin kushtetues 30-ditor”, shtoi ai.
“Ne kërkojmë që deri në ora 24:00 të mblidhen dhe le të vijnë”, tha ai.
Përderisa LVV-ja thirri nesër seancën konstituive duke filluar nga ora 11:00, partitë opozitare në përbërje prej PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë kërkuar mbajtjen sonte të seancës duke filluar nga ora 22:30. Ata u mblodhën në Kuvendin e Kosovës në pritje të deputetëve të LVV-së, por këta të fundit nuk kanë reaguar.
Bedri Hamza: Dyert e Kuvendit të mbyllura, Kushtetuta po shkelet
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media nga holli i Kuvendit pas orës 00:00, tha se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se, sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit përbën shkelje të Kushtetutës. Ai tha se deputetët kanë qenë në Kuvend për të treguar gatishmërinë për pjesëmarrje në seancën konstituive, ndërsa dyert e sallës kanë qenë të mbyllura.
“Administrata e Republikës së Kosovës, fatkeqësisht edhe në këtë aspekt që është çështje teknike, do të thotë administrata e Kuvendit i ka dyert e mbyllura. Jemi këtu për të treguar gatishmërinë tonë për pjesëmarrje në seancën konstituive të Kuvendit, kur është dashur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të procesohet edhe me zgjedhjen e institucioneve të reja të vendit”, tha Hamza.
Ai tha se kemi të bëjmë me mosrespektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si shkelje të Kushtetutës.
“Kemi të bëjmë me mosrespektim të mendimit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që është i saktë dhe preciz, që thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Kjo është shkelje e Kushtetutës, mosrespektim i aktit më të lartë, cenim i demokracisë dhe marrje në dorë e institucioneve në mënyrë antikushtetuese”, tha ai.
Hamza tha se Kosova nuk është pronë e asnjë partie dhe se PDK-ja do t’i përdorë të gjitha veprimet ligjore dhe demokratike.
“Nuk është Republika e Kosovës pronë e asnjë partie. Shteti qeveriset me rregulla, me ligje. Do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, demokratike në mbrojtje të kushtetutshmërisë së vendit”, u shpreh Hamza.
Sa i përket pjesëmarrjes në seancën e së shtunës, Hamza tha se çështja do të trajtohet nesër.
“Do ta trajtojmë këtë çështje nesër. Ne po kërkojmë me u respektu akti më i lartë”, tha ai.
Hamza tha se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, ndërsa akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për abuzim.
“Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, mirëpo është një abuzim eklatant edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Është joserioze dhe e papërgjegjshme”, tha ai.
Ai tha se nuk ka seriozitet nga kreu i VV-së Albin Kurti dhe se, nëse vendi shkon në zgjedhje, përgjegjësinë e mban Vetëvendosje.
“S’ka seriozitet nga Kurti. Janë për të blerë kohë dhe për t’ia faturuar fajin dikujt tjetër pse po shkojmë në zgjedhje. Nëse vendi shkon në zgjedhje, adresa është Albin Kurti dhe Vetëvendosje”, tha Hamza.
Ai tha se do t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike, duke mos përjashtuar as protestën.
Haziri: LDK kërkoi që seanca të mbahet sonte deri në mesnatë
Lutfi Haziri, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se LDK-ja ka kërkuar mbajtjen e seancës konstituive sonte, deri në ora 00:00, me qëllim të respektimit të afateve kushtetuese.
Haziri tha se qëndrimi i LDK-së lidhet me ruajtjen e frymës dhe germës së Kushtetutës, si dhe standardeve institucionale të ndërtuara ndër vite.
“LDK ka pritur dhe ka kërkuar, ka ftuar që seanca të mbahet sonte deri në ora 00:00, në mënyrë që të ruhen afatet kushtetuese, të ruhet fryma kushtetuese, germa kushtetuese dhe standardi që kemi arritur tash e sa vite duke qenë edhe udhëheqëse e institucioneve tona në Kosovë, duke qenë bashkëpjesëmarrëse në historinë tonë politike. Edhe sot, edhe asaj dite, besojmë se duhet të vazhdojmë të jemi gardianë të Republikës”, theksoi Haziri.
I pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e thirrur për nesër në ora 11:00, Haziri tha se “Natyrisht që nesër grupi parlamentar i LDK-së takohet paradite, ne ftesën e kemi marrë sot për nesër nga ora 11:00”.

Average Rating