Mijëra qytetarë marshojnë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

Read Time:4 Minute, 39 Second

Marshi për Drejtësi ka nisur sot me një numër të madh të qytetarëve të cilët dolën për të mbështetur luftën e drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.

Marshi ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Po ashtu, kishte fjalime nga organizatorët e marshit.

“Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, “Marshojmë për drejtësi” dhe “Drejtësi jopolitike”, janë disa nga pankartat që protestuesit po i mbajnë në duar ndërsa brohorasin emrat e ish-krerëve të UÇK-së.

Dy organizatorët e Marshit për Drejtësi” Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha kanë mbajtur fjalimet e tyre para qytetarëve në sheshet e Prishtinës.

Tasholli ka sjellur një rrëfim në fëmijërinë e tij, që sipas tij, dëshmoi sesa ishin të rëndësishëm ushtarët e UÇK-së.

“Unë kam qenë 13-vjeç kur për herë të parë kam pa në uniformë ushtarin e UÇK-së. Axha Nagip. Si fëmijë nuk arrija ta kuptoja krejt peshën e asaj që po ndodhte për një gjë ishte e qartë për mua atë botë, si në filma epik ishte një betejë mes të mirës dhe të keqes. Mes lirisë dhe robërisë. Mes jetës dhe vdekjes. Unë sikurse të gjithë moshatarët e kam ndjerë në palcë pabarazëinë, mbylljen e shkollave, dëbimin nga shtëpia. E ushtari i lirisë e kishte marrë trajtën e një super-heroi magjik. Ata në Hagë do të na kthehen fitimtar e faqebardhë. Ne sot u bëmë bashkë dhe siç e shihni doli dielli”, tha Tasholli.

Ndërsa, Eliza Hoxha deklaroi se plaga e Kosovës vazhdon të mbetet e hapur.

“Gjatë këtyre dy javëve e kam rijetuar historinë tonë. Në dhimbjen e Ferdonijes, në guximin e Vasfijes. E kam parë e ndjerë se sa e gjallë e ndjerë vazhdon të jetë plaga jonë dhe thirrja jonë për drejtësi”, tha ajo.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini, ka folur para masës së madhe në protestën për krerët e UÇK-së në Hagë.

“Mashallah me dalë me fol para kësaj mase kaq të madhe. Mashallah e keni bërë më të bukur Prishtinën me iu tregu atyne që nuk po marrin vesh se Liria ka emër. Ky popull është hala i fortë. Sikur që jemi edhe na të fortë. Ju jeni ata që na keni shpëtu”, tha Qerkini.

Ai i përmendi edhe viktimat dhe të pagjeturit.

“I kemi 11 mijë viktima. Vetëm ju e dini çka do të thotë me i shpëtu krejt ato familje prej tmerrit”, tha Qerkini.

Qerkini përmendi me emër të gjithë pjesëtarët e UÇK-së të akuzuar nga Specialja.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi nga Sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë, në një fjalim para mijërave qytetarëve, tha se sot “Marshojmë për Drejtësi” për t’u solidarizuar me çlirimtarët tanë, duke besuar fuqishëm se ata do të rikthehen fitimtarë.

“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi kërkoi drejtësi për të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat, siç tha ai, askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë.

Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët ta ruajnë frymën e unitetit, për ta ripërtrirë përkushtimin për Kosovën, të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar.

“Ju ftoj që ta ruajmë frymën e unitetit brenda nesh, që ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për Kosovën që e duam për vete e për fëmijët tanë, për Kosovën të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar dhe të cilën e kemi borxh që ta bëjmë realitet. Vetëm kështu do t’u dalim hakut atyre që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetin tonë. Ky duhet të jetë nderimi ynë për gjeneratat që trasuan rrugën e lirisë sonë. Ky është obligimi që kemi edhe ndaj Hashimit, Kadriut, bacës Jakup, Rexhës, Calit, Hysit, Nasimit e Pjetrit. Dhe kjo duhet të jetë rruga jonë e përbashkët për Kosovën e ëndërrave tona. Për Kosovën që na bashkon e në të cilën DIELLI DO TË LIND PËRSËRI. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Drejtësi për çlirimtarët tanë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave.

“Kjo pamje, është mesazhi më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë, se liria jonë ka emër, dhe se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave. Dhe se çdo gjeneratë e së ardhmes, do ta ketë po të njëjtin emocion si gjeneratat e të sotmes, sa herë që i thërret tri shkronjat e arta të lirisë sonë: U Ç K!”, tha lideri i PDK-së.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Shqipëria në prag të zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe  Basha ish-kandidat për kryeministër me agjendën e tij në Europë dhe SHBA
Next post <strong>Jam demokrat e nacionalist, kritik i Ramës, por Edi Rama… </strong>