Nënshkruhen 13 marrëveshje mes dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë

Read Time:1 Minute, 59 Second

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar të enjten mbrëma 13 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe një deklaratë. Pas nënshkrimeve nga ministrat e Qeverisë së Shqipërisë, thuhet se ka pasuar nënshkrimi nga ministrat e Qeverisë së Kosovës, për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve.

Gjatë dy viteve të fundit, janë mbajtur dy mbledhje të qeverive në të cilat janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale.

Kësaj radhe, edhe pse pa mbledhje të dy qeverive, u nënshkruan 13 sosh, që mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria e drejtësia deri tek arsimi dhe kultura, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

“Me qëllim krijimin e një hapësire të lirë për ndërveprimin e njerëzve, ideve, kapitalit dhe fushave të tjera të përbashkëta, si dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë për shtetasit e dy vendeve, është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit; Për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, promovimin e tregtisë dhe lehtësimin e procedurave kontrolluese, është lidhur marrëveshje për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës jo-shtazore”, njofton Qeveria e Kosovës.

Një tjetër marrëveshje, sipas njoftimit, në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe teknologjisë, është ajo e bashkëpunimit “në fushën e inspektimeve, ku parashikohet edhe dhurimi nga ana e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, i portalit e-inspection”.

Gjithashtu, ministrat e Brendshëm të dy vendeve kanë nënshkruar edhe “deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kryesisht duke u fokusuar në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit”.

“Marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kjo e fundit thuhet se mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat duhet të mbahen ndërmjet dy vendeve, për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Glauk Konjufca: Propozimi i Ramës përmban autonomi territoriale
Next post Edi Rama në Beograd: Macron e Scholz `kumbarët` e Marrëveshjes së Brukselit