Presidentja Osmani takon krerët e partive politike opozitare

Read Time:4 Minute, 4 Second

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takime të ndara, kryetarët e partive kryesore opozitare, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë në vend. Në fillim të takimeve me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, atë të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj, mori pjesë, me ftesë të presidentes, edhe drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Presidenca ka njoftuar se kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit.

“Në të gjitha takimet janë përgëzuar institucionet e sigurisë për punën e shkëlqyeshme në ballafaqim me strukturat e dirigjuara nga Serbia që kryen sulmin terrorist kundër Kosovës dhe është shprehur mirënjohje e thellë për angazhimin e pashoq dhe sakrificën e policisë së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”, thuhet në komunikatë.

Presidentja Osmani ka theksuar se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku. Ajo i ka falënderuar partitë opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit më agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

Po ashtu, Presidentja ka siguruar liderët opozitarë se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve si dhe do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët tanë të cilët, në bashkëpunim me institucionet tona të sigurisë, janë garantues të paqes e stabilitetit.

Presidentja Osmani ka shfaqur besimin e plotë se edhe sfidat e reja që mund të shfaqen do t’i tejkalojmë të bashkuar, duke vendosur interesin e shtetit mbi të gjitha.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Osmani tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve – që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit – nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

Ajo tha se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10. Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmanxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut. Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup e tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 marrëveshjen për parimet për themelimin e tij. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik dhe kërkoi që ajo të harmonizohej përmes akteve nënligjore.

Për jetësimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës që të formojë Asociacionin, që është edhe kërkesa kryesore e Beogradit.

Qeveria e Kosovës druan se një asociacion njëetnik do të mund të cenonte funksionalitetin e shtetit. Por, SHBA-ja insiston se nuk do të lejojë që Asociacioni t’i ngjasojë entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.

BE-ja dhe SHBA-ja po ashtu kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë menjëherë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Derek Chollet: Palët duhet t`i kthehen dialogut dhe të zbatojnë zotimet e Ohrit
Next post Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën që dënon sulmin terrorist në Banjskë