Vladislav Inozemcev: Pesë arsye se pse në Rusi nuk do të ketë demokraci

Read Time:22 Minute, 54 Second

Faqja e internetit “Snob”. 20 tetor 2015.

 [Autori i kësaj analize, i datëlindjes 1968, është  ekonomist, sociolog  dhe personalitet politik rus, doktor i shkencave ekonomike, autor i shumë monografive, disa prej të cilave janë përkthyer në anglisht, në frëngjisht, në japonisht dhe në kinezisht. Në vitet 2012-2014 ka pasë qenë kryetar i këshillit të lartë të partisë “Forca qytetare”. Analizën e pati paraqitur fillimisht si referat në Kongresin ndërkombëtar “The Freedom Games 2015”, që qe zhvilluar në qytetin Lodz të Polonisë më 17 tetor të vitit 2015. Materialin e ka përkthyer dhe e ka përgatitur për botim Prof.dr. Eshref Ymeri.] Redaksia

“Premisa të tilla të shoqërisë demokratike, si aspirata për liri,  epërsia e synimeve individuale mbi ato shtetërore, raportet me qeverinë, si ndaj një institucioni që siguron të mira shoqërore, e jo si ndaj një simboli të shenjtë, gatishmëria për veprime kolektive – të gjitha këto mungojnë në vetëdijen ruse.

Provat historike që ka përballuar vendi ynë dhe populli i tij, kanë kërkuar përherë kompaktësimin dhe jo shpërfilljen e vlerave individuale.

Në teorinë politike ekziston një mori pëcaktimesh për demokracinë dhe në secilin prej tyre dalin në pah një sërë tiparesh karakteristike. Pa pasur si synim të jemi origjinalë, po ndalemi në përcaktimin e Llarri Daimondit [Llarry Diamond 1951 (profesor amerikan  i politologjisë dhe i sociologjisë, shkencëtar në fushën e studimit të demokracisë E.Y.)], cituar nga leksioni i tij i njohur gjerësisht, me titull  “Ç’është demokracia?”. Si tipar kryesor dhe shumë i rëndësishtëm i demokracisë, theksohet aftësia e popullit “për të zgjedhur dhe ndërruar qeverinë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të drejta.

Sot, siç mendon shumica e politologëve, madje jo detyrimisht të rreshtuar në krah të Kremlinit, në Rusi ekziston një demokraci e çalë. Atë e quajnë “joliberale”, “sovrane”, “të komanduar” ose nuk di se çfarë, veçse vetë faktin e pranisë së saj janë të paktë ata që e mohojnë. Dhe madje ata që janë gati të thonë se po jetojmë në kushtet e një autoritarizmi të ri, nuk e kujtojnë me lot në sy atë fort të dëshiruarën “demokraci, të cilën e patëm humbur në fundin e viteve ’80 ose edhe në vitet ’90.

Nuk dua të tregohem cinik dhe pesimist, por ama jam i bindur për një gjë: kolegët e kanë gabim. Në Rusinë demokratike të shek XXI, zgjedhësit a kanë mundur që, qoftë edhe një herë të vetme, ta largojnë nga pushteti Vladimir Putinin? Ose, ndoshta, një mundësi e tillë atyre u qe krijuar në vitin 1996 në raport me tejet të demokratizuarin Boris Jelcin? Apo në disa zgjedhje të caktuara ia patën dhënë besimin babait të perestrojkës, Mihail Gorbaçovit? A ka rastisur vallë që, në debatet e lira që janë zhvilluar në kongreset e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të jetë shkarkuar Sekretari i përgjithshëm? A ka qëlluar që dikush të ketë zgjedhur  një qeveri të përkohshme? Apo mos ndoshta Asambleja kushtetuese ka mundur ta zëvendësojë pushtetin në vendin tonë? Mund të vazhdojmë më tej me pyetje të tjera.

Çfarë përfundimi del nga sa u tha më lart? Për të qenë tejet i ndershëm, duhet thënë se del vetëm një përfundim: në Rusi, gjatë një mijë vjetëve të fundit, demokracia nuk ka pasë ekzistuar dhe nuk ekziston as sot. Ka pasur periudha kur opinioni i popullsisë ka pasur njëfarë kuptimi, por vetëm kaq. Për më tepër, për zëvendësimin e pushtetit, madje sipas vullnetit të shumicës së konsiderueshme të popullit, siç ndodhi në shkurtin e vitit 1917 ose në vitin 1991, kërkohej… zhdukja e vetë shtetit, meqenëse tjetër mënyrë thjesht nuk ekzistonte për ta hequr qafe udhëheqësin (dhe me siguri që nuk ekziston deri më sot, prandaj edhe agjitacioni i paligjshëm në vendin tonë barazohet me cënim të rendit shtetëror).

Atëherë cila është arsyeja që Rusia nuk ka qenë, nuk është dhe, sipas gjasave, nuk do të jetë, ose, në rastin më të mirë, jo shpejt do të bëhet demokratike? Në këndvështrimin tim, janë minimumi pesë arsye jo pak të rëndësishme.

  • Historia

E para, në shumë gjëra, lidhet me specifikën e historisë ruse. Në Rusi, historikisht, roli i individit është i madh dhe, do të thoshja, i tepruar. Gjatë qindravjeçarëve, vendi ka pasë qenë kombinuar me shtetin, kurse shteti – me figurën e sundimtarit. Pushteti i sovranit, me përjashtime shumë të rralla, nuk ka pasë qenë objekt diskutimesh, dhe, praktikisht, asnjëherë nuk është vënë në diskutim në kushtet e referimit te forcat politike relativisht të gjera. Po, janë bërë grushte shteti dhe janë ekzekutuar carë dhe perandorë, por madje edhe në raste të tilla [(si, fjala vjen, në vitin 1741), kur u krye grusht shteti dhe në pushtet erdhi e bija e Pjetrit I, Elizabeta Petrovna, e cila bëri premtimin se gjatë mbretërimit të saj nuk do të kishte dënime me vdekje E.Y.],figurat e reja patën rezultuar mbartëse të tipareve thjesht personale. Pushteti në Rusi, për një kohë të gjatë, ka qenë jo politik, por simbolik. Bashkësitë kolektive nuk kanë luajtur në të kurrfarë roli. Këtu nuk ka pasur as grupime konkurruese me dhjetëvjeçarë, as presion mbi sundimtarin nga ana e oborrtarisë, as kundërvënie nga ana e pushtetit laik dhe klerikal. Kjo solli si pasojë personalizimin e jashtëzakonshëm të pushtetit, analogët e të cilit haseshin vetëm në historinë e despotizmave lindore. Madje edhe kur ideologjitë u bënë “forcë materiale”, në Rusi pak gjëra ndryshuan. Po ajo parti komuniste vallë a mund të quhet parti, përderisa ajo, në emër të vetvetes, zhvillonte një politikë kaq të ndryshme, si në kohën e Stalinit dhe të Gorbaçovit? Çfarëdolloj formash, në dukje civilizuese, që merrte politika ruse, ajo, gjatë gjithë periudhave kohore, strukturohej rreth individëve.

Sa më shumë i afrohemi aktualitetit, aq më i dukshëm bëhet ky fakt, aq më shumë ai vjen në kontrast me prirjet dominuese të epokës. Demokracia është forma skajshmërisht racionale e pushtetit, e bazuar kjo në mundësitë e alternativës. Kur në zgjedhjet e para “demokratike”, parullë kryesore bëhet shprehja “Voto me zemër!” (gjë e qartë kjo, se mendje këtu nuk kërkohet), kurse refren kryesor bëhet shprehja “alternativë nuk kemi”, atëherë vetëm një idiot mund të hamendësojë për një të ardhme normale në këtë vend. Pse Polonia u bë një vend demokratik? Sepse ligji në atë vend ka qenë mbi “interesat”. Prandaj në vitin  1995, ish-redaktori i gazetës lokale “Komsomolskaja pravda” pati marrë më shumë vota sesa Les Valesa, dhe u bë president. Pse Rusia ka mbetur diktaturë aziatike? Sepse në vitin 1996 “mirëqenia më e lartë” nuk lejoi të bëhej ndryshimi i pushtetit. Në çdo vend demokratik, fundamentale janë bindjet politike dhe ideologjia, prej këtej buron edhe zhvillimi i sistemit partiak, zhvillim ky që është i domosdoshëm për çdolloj demokracie. Presidenti i tanishëm i vendit tonë ka qenë anëtar në tri parti politike (gjithmonë në krye të pushtetit) dhe madje ka kryesuar një parti të katërt, pa qenë anëtar i saj: vallë a mundet diçka të argumentojë më qartë që ideologjitë, bindjet dhe programet nuk kanë absolutisht kurrfarë kuptimi në kulturë, ku objekt nderimi dhe respekti janë vetëm postet në hierarkinë e pushtetit, kompetencat që burojnë prej tij dhe, në një masë relativisht vartësie, dytësore, aftësitë personale për t’i bërë njerëzit për vete? Në kushtet e sotme një situatë e tillë ndikon në mënyrë katastrofike mbi zhvillimin e vendit. Në Rusi sot nuk ka demokraci. Këtu mbizotron vetëm një populizëm që nuk njeh kufi. Pushteti gjuan humorin e masave dhe pikërisht në të njëjtën kohë i organizon ato sipas qejfit të vet. Ai është i gatshëm, në njërën ose tjetrën mënyrë, ta modifikojë politikën që ndjek dhe madje të rishikojë vendime të veçanta, por ai, në asnjë mënyrë, nuk mendon t’i njohë popullsisë të drejtën  sovrane për të ndërprerë kompetencat e tij. Sistemi putinist ndërtohet jo mbi bazën e zgjedhjes së programeve, por mbi bazën e parapëlqimit të individëve, prandaj kjo është pikërisht arsyeja që Putini është njëlloj popullor, si në fillimin e mandatit të parë presidencial, kur ishte proevropian dhe përkrahës i ekonomisë së tregut, ashtu edhe tani, kur i është kundërvënë Perëndimit, synon të hyjë në aleancë me Kinën dhe po shfaros atë çka mbetur nga sipërmarrja ruse. Në këtë mënyrë, personalizimi i politikës ruse dhe shpërfillja pothuajse e plotë ndaj ideologjive, programeve dhe metodave të zhvillimit të vendit, përbëjnë arsyen e parë, sipas së cilës demokracia në Rusi nuk hedh dot rrënjë.

  • Kulti i individit 

Arsyeja e dytë, në këndvështrimin tim, është edhe më e rëndësishme. Demokracia është një sistem, në të cilin shoqëria është e ndarë në grupe të lëvizshme që quhen pakicë dhe shumicë. Tani madje nuk do të ndalem në çështjen që të drejtat e pakicës duhet të mbrohen nga cënimi i shumicës – kjo duket aksiomë (megjithëse jo  në Rusi). E rëndësishme është diçka tjetër. Për vendosjen e demokracisë, pakica dhe shumica duhet të jenë të lëvizshme dhe përkatësia në radhët e tyre duhet të përcaktohet nga bindjet ose pozicionet politike. Si vetë këto pozicione, ashtu edhe raporti i qytetarëve me to, mund të ndryshojnë, dhe ky proces konkretizohet me zëvendësimin demokratik të pushtetit. Mundësia e një zëvendësimi të tillë e detyron çdo grup të sillet me respekt ndaj tjetrit. Në Britaninë  e Madhe, siç dihet, ekzistojnë Qeveria e Madhërisë së saj dhe Opozita e Madhërisë së saj. Kjo ndodh, po e përsëris edhe një herë, pikërisht  për arsye se politika në një vend demokratik është e shpersonalizuar në një masë të konsiderueshme. Në Rusi, me kultin e saj të përhershëm të individit (në kuptimin e gjerë të fjalës) dhe me dramatizimin e kontradiktave, gjatë qindravjeçarëve, perceptimi i kundërshtisë ka ardhur dhe është formuar si krim. Në vendin tonë, në të gjitha periudhat e kaluara, ka pasë ekzistuar një masë e madhe njerëzish, të cilët kanë qenë të gatshëm të ngrihen kundër njërit ose tjetrit regjim dhe të luftojnë me bindje kundër tij, por ama çdo cenim i regjimit perceptohej si cenim i vendit. Një qëndrim i tillë, parimisht, është i kuptueshëm dhe i shpjegueshëm: nëse ti kritikon partinë, atëherë mund të quhesh plotësisht opozitar, por nëse kritikon individin, atëherë quhesh vetëm kundërshtar i tij ose, më sakt, armik. Por ama nëse ky individ e përsonifikon veten  me shtetin, atëherë oponenti i tij konsiderohet armik i popullit, siç ka ndodhur edhe gjatë shumë shekujve në historinë ruse dhe fare pak kohë më parë, në periudhën e diktaturës staliniste. Opozita vjen e shndërrohet, çka bie në sy fare qartë në historinë e viteve 1920, fillimisht në “deviacion” dhe mandej në “masë renegatësh”. Madje në periudha shumë më të qeta, vetë e drejta e saj për ekzistencë, nuk bie në sy. Qëndrimi i tanishëm ndaj kundërshtarëve në Rusi ka ardhur dhe është kristalizuar gjatë kohës së “shkrirjes së akujve” të mëparshëm, në vitet 1960, kur pati lindur edhe nocioni përkatës – disidentët. Disidentët perceptohen nga shoqëria si ata që nuk e pranojnë regjimin, domethënë si individë që bien në sy jo aq shumë me propozimin për të ndjekur një kurs më të mirë politik, sesa thjesht me shpërfilljen e opinionit të shumicës. Duhet pranuar se ky është një konotacion tepër specifik: nga individë të tillë nuk presin ndonjë program pozitiv ose ndonjë “kritikë konstruktive”: me ata mund të pajtohesh, por nuk duhet t’i zësh në hesap. Ata mund të nxisin një krizë politike dhe madje të rrëzojnë pushtetin, si në Bashkimin Sovjetik, por në pushtet nuk mund të vijnë dot, siç u duk menjëherë fare qartë në Rusi. Thënë ndryshe, edhe tani në Rusi nuk ka opozitë, ka vetëm disidentë, sipas mendimit të pushtetit, të cilët e pengojnë vendin e vet “të ngrihet më këmbë”. Është logjike që për ta të dyshosh se kanë lidhje me forca të jashtme (për çka janë akuzuar gjithmonë armiqtë), prandaj e vetmja rrugë për ta mbetet ribashkimi me “zotërinjtë” e vet përtej kufijve të Rusisë (gjë që është praktikuar që gjatë kohës së pushtetit sovjetik, kurse sot po vihet re në një shkallë shumë më të madhe). Kësisoj po kristalizohet një raport i pakapërcyeshëm i rusëve me opozitën potenciale, si me një grup të pakënaqurish, të cilët, sipas të gjitha gjasave, janë të komanduar nga jashtë dhe prandaj nuk janë të denjë për dialog. Dhe vetëm mund të lësh mendjen nga habia, se me ç’vrull të madh erdhi e zuri vend në shoqërinë ruse kjo kulturë e shkëputjes nihiliste nga mendimi ndryshe, sapo në Rusi u rikthye në një tjetër formë pushteti i personalizuar. Qëndrimi ndaj opozitës, si ndaj një grushti tradhtarësh dhe mohimi i rrënjosur thellë për të i vlerave pozitive që ajo përfaqëson, mund të shërbejë si arsye e dytë se pse do të duhet të kalojnë ende shumë dhjetëvjeçarë deri në vendosjen e demokracisë në vendin tonë.

  • Ekonomi e mbështetur

në rezerva natyrore 

Arsyeja e tretë ka një tjetër natyrë, por, gjithashtu, është tejet e rëndësishme. Gjatë gjithë historisë së vet, Rusia (përjashtim ka bërë periudha e shkurtër e viteve 1950-1970) ka qenë dhe vazhdon të mbetet një vend që mbështetet në rezerva natyrore. Rezervat, nga të cilat varet arka e shtetit dhe vendi, mund të ndryshojnë: rezerva të tilla mund të ishin gëzofi dhe floriri, kurse tani – nafta dhe gazi, gjatë shumë dhjetëvjeçarëve – drithërat e bukës, por problemi është se për sigurimin  e jetesës së pushtetit qendor, ose duhen vënë nën zotërim territore dhe rezerva të reja (si në rastin e burimeve energjetike), ose duhet detyruar një pjesë e popullsisë të bëjë punë rraskapitëse (si në rastin e bujqësisë). Edhe në njërin edhe në tjetrin rast, shteti luan kryesisht një rol rishpërndarësi, përqendron vëmendjen se si të sigurojë pasuri dhe kujt t’ia taksë njërën ose tjetrën pjesë të tyre në mënyrë përparësore. Pjesa kryesore e të ardhurave të buxhetit, deri tani, sigurohet nga  paratë që vilen nga renta e lëndës së parë, madje zë i dytë për nga shkalla e rëndësisë janë të ardhurat doganore dhe taksat (ato tani sigurojnë po atë pjesë të të ardhurave buxhetore, të cilën e patën siguruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet e para të luftës civile më 1861-1865). Sipërmarrja në Rusi ka pasë qenë konsideruar tradicionalisht jo si mjet i rritjes së mirëqenies së shoqërisë, por si spekulim ose si veprimtari, e motivuar vetëm për qëllime përfitimi me rrugë të pandershme. Në vetëdijen e popullsisë, detyrat e rishpërndarjes së pasurive dominojnë dukshëm mbi detyrat e shtimit të tyre. Kjo rrethanë shërben si një frenues i fuqishëm i demokracisë. Në shumë aspekte, demokracia ka pasë lindur si një sistem kontrolli mbi shtetin  nga ana e qytetarëve, të cilët sigurojnë zhvillimin e shoqërisë dhe japin një kontribut të ndjeshëm në mirëqenien e saj. Një qytetari aktive i ka tejet të pakta mundësitë e ekzistencës pa një pjesëmarrje ekonomike në jetën e shoqërisë. Kurse në Rusi ekziston një situatë e tillë, në të cilën rreth 1% e popullsisë siguron deri në 70% të eksportit dhe 55% të të ardhurave buxhetore që vijnë nga sektori i naftës dhe i gazit. Qeveria federale shpërfill në mënyrë të hapur taksat sipas të ardhurave, duke lejuar që ato të administrohen nga autoritetet vendore (megjithëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato përbëjnë  një pjesë të madhe të të ardhurave buxhetore). Nga pikëpamja ekonomike, në kushte të tilla, kërkesa e demokracisë paraqitet si një kërkesë për të vendosur sundimin e parazitëve mbi prodhuesit e të mirave materiale, çka do të thotë që njerëzit, të cilët, edhe kështu gjithçka e sigurojnë nga shteti, të kenë në dorë edhe drejtimin e politikës së tij. Lidhur me këtë, të vjen në kujtesë sistemi i regjistrimit pasuror që ka pasë ekzistuar në demokracitë e hershme evropiane dhe rezulton se vetë kërkesa e pjesëmarrjes demokratike në qeverisjen e të gjithë vendit në Rusi duket irracionale deri në absurditet. “Turma” mund të pretendojë për pjesëmarrje në zgjedhjen e këshillave vendore, të kryetarëve të bashkive dhe madje, nganjëherë, të guvernatorëve, domethënë, në thelb, të atyre, të cilët ajo i financon me taksat që paguan, por pse u dashka që ajo të gëzojë të drejtën për të ndryshuar presidentin dhe qeverinë?

Ai vend, në të cilin popullsia, në shumicën e vet dërrmuese, nuk krijon pasuri, por vetëm konsumon, nuk mund të jetë demokratik, prandaj nuk ishte rastësi që kalimi nga “ekonomia e pjesëmarrjes” në kërkesat për “bukë dhe shfaqje” të përputhej në kohë me kalimin nga republikë në perandori në Romën e lashtë. Veçoria e Rusisë, në rastin konkret, qëndron në faktin që vartësia nga renta natyrore nuk pakësohet, por rritet: pjesa e lëndës së parë për eksport u shtua nga 38% në periudhën e vonshme sovjetike, deri në 73% në periudhën e tanishme dhe premisa për ndryshimin e kësaj prirjeje nuk vihen re. Kjo, në këndvëshrimin tim, do të thotë që demokratizimi duket jo vetëm i pamundur, por pjesërisht edhe i padrejtë. Problemi nuk zgjidhet as me zhvillimin e arsimit, as me edukimin e shprehive të sipërmarrjes, as me nxitjen e vlerave qytetare: ata që i fitojnë gjëra të tilla, menjëherë braktisin vendin, vetëm duke shtuar numrin e  njerëzve që mbeten këtu, të cilët rrinë e presin lëmoshë nga shteti. Ata që kërkojnë lëmoshë nuk kanë dhe nuk mund të kenë arsye të kërkojnë për vete të drejta për të përcaktuar me votim të drejtën e atyre që e japin atë lëmoshë – ja kjo është pengesa e tretë, e shprehur në një formë tejet të qartë në rrugën e zhvillimit të demokracisë në  Rusi.

4. Mentaliteti perandorak

Arsyeja e katërt përcaktohet nga karakteri specifik i raportit të rusëve me konsekuencën  e pushtetit. I formuar si një vend me një vetëdije mbrojtëse dhe si qytetërim “periferik”, Rusia pati ushqyer në vetvete ndjenjën  e parësisë së bashksisë dhe të dytësisë së individit. Siç thuhet në vargjet e njërs prej këngëve të njohura: “Veç vendi i dashur të rrojë – dhe halle të tjera nuk kemi!” – një premtim ky tejet i fuqishëm në të kuptuarit e realitetit nga ana e popullsisë. Këtu e ka burimin qendrimi përbuzës ndaj vetvetes dhe gatishmëria në qoftë se jo për sakrifica në kuadrin nismës personale, atëherë për të justifikuar sakrifica të tilla që bëjnë të tjerët, nëse ata, sigurisht,  ndihmojnë “madhështinë” e shtetit, reale kjo ose e përfytyruar. Si shfaqje më e dukshme e kësaj madhështie paraqitet territori, i cili nuk zmadhohet sipas ritmeve të njohura nga të gjithë për vendet me prirje pacifiste. Nëse marrim parasysh si madhësinë e territoreve të kontrolluara, ashtu edhe vazhdimësinë e kontrollit mbi to, ia vlen që ta njohim Rusinë si perandorinë më të madhe të njerëzimit. Për t’u shprehur më sakt, këtë linjë arsyetimi mund edhe të mos e vazhdojmë, meqenëse ajo del në pah mjaft qartë. Demokracia agresive është një dukuri mjaft e rrallë, sidomos në periudhën e mbizotërimit të së drejtës së përgjithshme për të votuar. Si rregull, me zhvillimin e normave demokratike, shtetet bëhen më pak të prirur për luftë dhe dhunë (përjashtim bëjnë operacionet që janë të kushtëzuara me arsyetime ideologjike ose humanitare, si edhe luftërat mbrojtëse). Pikërisht këtu shfaqet gracka ruse e radhës. Historia dëshmon se në një vend kolonial në thelbin e vet, shtimi nga “poshtë” i presionit mbi pushtetin, në një masë të konsiderueshme, është një element çekuilibrues. Në shek. XX, shpërbërja e Rusisë ka ndodhur dy herë pas reformave më liberale dhe më demokratike në historinë e saj – pas viteve 1917 dhe 1985. Prandaj, nëse shtrohet detyra “të ruajmë vendin” (se kjo parullë ka qenë dhe mbetet më popullore), atëherë demokracia shëmbëllen më shumë sesa një çmim i natyrshëme, i cili mund të paguhet për një arritje të tillë. Për më tepër, humbja e një territori është një kriter absolut i paaftësisë së një kryeshtetari, ndërkohë që zgjerimi i tj ose i “sferës së ndikimit”, i shlyen të gjitha gabimet e tij. Mbretërimi i Pjetrit I ose i Ekaterinës II përceptohen si epoka madhështore në historisë ruse, jo për arsye të shndërrimit të Rusisë në një vend të evropianizuar ose të dhurimit të lirive të tepruara oborrtarisë, por, para së gjithash, për shkak të sukseseve ushtarake dhe të zgjerimeve territoriale. Respektivisht, liria dhe “gllasnost” (politika e hapjes maksimale në veprimtarinë e institucioneve shtetërore dhe të mjeteve të informimit masiv – E.Y.), që pati sjellë Gorbaçovi, qenë harruar në përtejanën (sfondin) e humbjes së një pjese të konsiderueshme të territorit të ish-superfuqisë. Dhe, përkundrazi, sukseset e Putinit në mbajtjen e Çeçenisë së panevojshme për Rusinë në vitin 2000 dhe në ribashkimin e Krimesë edhe më pak të nevojshme në vitin 2014, e patën shndërruar atë në udhëheqësin më të nderuar të vendit. Natyrisht që apologjia e dhunës dhe e agresionit nuk mund të përputhet me demokracinë, se me nocionin e lirisë nënkuptohet më shumë ndyshueshmëri dhe më shumë mundësi. Nëse edhe popullsia e Krimesë prandaj edhe votoi për të hyrë në përbërje të Rusisë për ta humbur të drejtën  e shprehjes në të ardhmen të një tjetër mendimi, atëherë është e qartë se pse ndodh kështu: demokracia rezulton e rrezikuar në një mënyrë të palejueshme brenda sistemit, në të cilin si vlerë kryesore shfaqet zgjerimi i kufijve shtetërorë. Thënë ndryshe, pengesë kryesore për zhvillimin e demokracisë në Rusi paraqitet të kuptuarit e shtetit dhe të interesave shtetërore në një mënyrë ruse.

5. Korrupsioni

       Arsyeja e pestë është njëra nga më origjinalet. Rusia është një vend, në të cilin korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit përbëjnë tiparin karakteristik të insitucioneve shtetërore. Një gjendje e tillë, pjesërisht, është e kushtëzuar nga historia, kur postet e nëpunësve burokratë shërbenin si mënyrë për sigurimin e jetesës së tyre, kurse pjesërisht edhe nga zhvillimet bashkëkohore, kur u bë shkrirja e paparë ndonjëherë e shërbimit në organet shtetërore dhe e veprimtarisë sipërmarrëse. Megjithatë, fakti mbetet fakt: për ruajtjen e nivelit të korrupsionit në masën që dëshiron pushteti, është i domosdoshëm çstrukturimi i shoqërisë dhe zhvlerësimi praktikisht i të gjitha formave të veprimtarisë kolektive. Pikrisht një gjë e tillë është realizuar në një mënyrë ideale në Rusinë bashkëkohore. Vendi përfaqëson në vetvete një bashkësi njerëzish përsonalisht të lirë, të cilët gëzojnë të drejta për sigurimin  dhe lënien e pronës, për t’u marrë me biznes, për t’u larguar jashtë shtetit dhe për t’u kthyer përsëri, për të marrë informacion e kështu me radhë. Në jetën private kufizimet janë reduktuar në zero me kohë e me vakt. Për më tepër, shumica e ligjeve dhe e rregulloreve anashkalohen lehtësisht, paçka se juridikisht nuk mund të rishikohen. Ky fakt i fundi ka rëndësi veçanësisht për ruajtjen e sistemit, i cili vjen e fuqizohet me krijimin  e përhershëm të situatave të jashtëzakonshme. Ndërkohë, për arritjen e një objektivi të tillë është i domosdoshëm një faktor i rëndësishëm: shtetit duhet t’i kundërvihet një njeri i vetëm, por jo mbarë shoqëria. Korrupsioni, në dallim nga zhvillimi i bisedimeve të fshehta, është një proces individual, gati sa intim. Një pushtet i korruptuar bëhet edhe më i fuqishëm kur më shumë nevojtarë i drejtohen me kërkesa individuale dhe kur më i paktë bëhet numri i atyre që janë gati të ushtrojnë presion mbi të. Prandaj Rusia, në gjendjen e saj të tanishme, përfaqëson një shoqëri skajshmërisht të individualizuar: këtu është shumë më lehtë të merresh vesh për diçka përjashtimore, sesa të ndryshosh një normë në mënyrë kolektive. Mendoj se është e tepërt të thuhet që demokracia është proces i ndryshimit të formalizuar të normave, me pjesëmarrjen e  masave të gjera të shoqërisë: në këtë mënyrë, rezulton se mbarë sistemi i organizimit të pushtetit në Rusi është i orientuar drejtpërdrejt kundër krijimit të kushteve për formimin e institucioneve demokratike. Ia vlen, gjithashtu, të theksojmë se një situatë e tillë nuk është imponuese për shoqërinë: rusët, duke qenë në një masë të konsiderueshme racionalë, e kuptojnë se një organizim i tillë i sistemit nuk e komplikon jetën detyrimisht, madje jo rrallë e thjeshtëzon, sepse ai ryshfeti i zgjidh problemet shumë më shpejt, të cilat nuk mund të përballohen me tjetër mënyrë. Të demokratizosh shoqërinë, do të thotë jo thjesht të heqësh qafe burokratët hajdutë të pushtetit, por edhe veten ta vësh në kushtet e respektimit të rregulloreve, të cilat shumica dërrmuese e rusëve, për fat të keq, nuk kanë ndërmend t’i respektojë.

       Ky fakt i fundit dëshmon se rritja e shkallës së lirisë personale në një shoqëri autoritare, në një mënyrë nga më të papriturat, çon drejt formimit të një “konsensusi antidemokratik”, i cili shfaqet si pengesa e pestë në rrugën e transformimeve demokratike.

* * *

       Çfarë përfundimi del nga gjithçka që u parashtrua më lart? Në këndvështrimin tim, ky është përfundimi lidhur me mungesën fundamentale të kërkesës për demokraci nga ana shoqërisë ruse. Aspirata për liri dhe autonomi, ndjesia e epërsisë së qëllimeve individuale mbi detyrat shtetërore, qëndrimi ndaj qeverisë, si ndaj institucionit të të mirave shoqërore dhe jo si ndaj një simboli të shenjtë; gatishmëria për kryerjen e veprimeve kolektive dhe jo për marrjen e vendimeve individuale për zgjidhjen e kontradiktave të sistemit – të gjitha këto premisa të shoqërisë demokratike, në shumë aspekte, mungojnë në vetëdijen ruse. Çdolloj provash historike që ka kaluar vendi dhe populli ynë, kanë pasë shtruar kërkesën për kompaktësim dhe shpërfillje të vlerave individuale dhe jo të kundërtën. Dhe prandaj nuk po vërej shanse që një shoqëri e lirë dhe demokratike të rezultojë si ideal për pjesën dërrmuese të popullit rus. E vetmja rrugëzgjidhje, në këndvështrimin tim, mund të gjendet në ndikimin e jashtëm. Sistemi jodemokratik rus i organizimit shtetëror nuk është efektiv dhe, në njërën ose tjetrën perspektivë historike, ai do të kërkojë nga popullsia të tilla sakrifica, të cilat ajo nuk është gati t’i pranojë. Orientimi i politikës së jashtme dhe i politikës ekonomike në marrëdhëniet me jashtë, në të ardhmen, do të kërkojnë, gjithashtu, marrjen e vendimeve të rëndësishme lidhur me zgjedhjen e alternativës mes Perëndimit dhe Lindjes, mes rrugës demokratike dhe asaj autoritariste të zhvillimit të vendit. Në përfundim, herët ose vonë, vendi nuk do të ketë një alternativë të pranueshme për më shumë afrim me Evropën, pjesë historike e së cilës Rusia ka pasë qenë për shumë qindravjeçarë (dhe drejt së cilës pati synuar ekonomikisht, kulturalisht dhe në aspektin social). Sepse organizimi shtetëror i Evropës do të kërkojë ndryshime kardinale në organizimin e jetës politike të vendit dhe, që t’i biem drejt dhe qartë, vendosjen e një regjimi demokratik. Demokracia, në shumë aspekte, përfaqëson në vetvete një proces kufizimi të pushtetit të kryeshtetarit, përcjelljen nga ana e tij drejt popullit të një pjese të kompetencave të veta dhe bashkërendimin me legjitimitetin e jashtëm, domethënë jo “me simbolin e shenjtë”. Duke pasur parasysh që, në Rusi, historikisht, është krijuar dhe ekziston edhe tani, një sistem që bazohet në parimin  “shteti jam unë”, kufizimi i pushtetit të kryeshtetarit mund të realizohet vetëm nëpërmjet kufizimit të pushtetit të vet shtetit. Dhe nëse nuk bëhet fjalë për okupim (të pamundur në rastin e Rusisë), atëherë mbetet vetm një rrugë e thjeshtë dhe e kuptueshme: shkrirja e vendit në një bashkim kombëtar, me një qendër të vetme pushteti dhe vendosje normash të përbashkëta. Sado e papranueshme të tingëllojë kjo tezë, unë nuk vërej argumente për të supozuar se Rusia mund të bëhet demokratike më përpara sesa vendimet kryesore legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive të mos merren më në Moskë. “Sovraniteti konkret” dhe demokracia konkrete në Rusi janë të papajtueshme: tani për tani gjithçka dëshmon se gjatë zgjedhjes së alternativës midis të parit dhe të dytës, rregullat demokratike nuk do të rezultojnë të parapëlqyera. Në thelb, pikërisht një rrethanë e tillë shërben si përgjigje në mënyrën më të sakt ndaj pyetjes së shtruar në fillim të artikullit”.

Nga Eshref Ymeri

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Sali Berisha akuzohet për korrupsion, refuzon të takohet me oficerët e policisë
Next post Jo “Republikë serbe” në Kosovë në këmbim të liberalizimit të vizave