
Vlerësime dhe refleksione rreth librit të Prof.dr. Eshref Ymerit “Rezonanca magnetike” për Rusinë dhe rusët”
Akademik Prof.dr. Beqir Meta
Profesor Eshref Ymeri na sjell një botim të ri jashtëzakonisht interesant për botën shqiptare, i cili mban një titull shumë domethënës. Ky botim që përmban vlerësime dhe refleksione të mbi 400 personaliteteve ruse dhe të huaja lidhur me historinë dhe karakteristikat psikosociale, strukturën shoqërore, ndërgjegjen politike, identitetin kulturor dhe racial të popullit rus nga kohët më të largëta e deri në ditët e sotme, ka një vlerë të jashtëzakonshme për lexuesin shqiptar. Madje do të thoja pa asnjë mëdyshje se jo vetëm kombit shqiptar, që ka qenë historikisht dhe mbetet aktualisht në rreshtin e parë të viktimave, mbi të cilin është vërvitur aq dhunshëm kamxhiku rus dhe i shërbëtorëve e beniaminëve të tij ballkanikë, por edhe evropianëve të tjerë, të cilët janë ndier apo ndihen ende më të mbrojtur nga ky xhandar i egër dhe i pafre, është e nevojshme t’u bëhet me dije se përballë çfarë rreziku ndodhen nëse ata nuk bashkohen e nuk e kundërshtojnë me forcë e vendosmëri këtë të keqe të madhe dhe nuk kuptojnë sot gabimin e rëndë që kanë bërë gjatë këtyre dekadave të fundit, por edhe më parë në histori, duke e trajtuar këtë shtet dhe popull sikur të ishte një popull normal i qytetëruar evropian.
Lidhur me rrezikun që përbën shteti rus për kombin tonë, unë nuk pretendoj të them ndonjë gjë specifike, përveç atyre fakteve të dhimbshme dhe plotësisht të argumentuara, të cilat historiografia e re shqiptare, e çliruar nga gënjeshtrat dhe dogmat e komunizmit, i ka shtjelluar gjerësisht. Ato flasin për sfidat madhore që Rusia ka përbërë ndaj kombit shqiptar qysh nga fillesat e Lëvizjes sonë Kombëtare e deri në ditët e sotme. Por vlen të nënvizohet se përcaktimet e jashtëzakonshme të personaliteteve ruse dhe të huaja, të cilat Profesori i nderuar Eshref Ymeri na i sjell për të na paralajmëruar se qenia dhe liria jonë kanë qenë dhe mbeten të kërcënuara nga ky shtet imperialist dhe ekspansionist në plot kuptimin e fjalës dhe, mbi të gjitha, në të gjithë historinë e ekzistencës së tij. Nga analizat, faktet dhe argumentet që paraqiten në këtë botim, lexuesi mund të nxjerrë një sërë përfundimesh për karakteristikat e Rusisë së sotme dhe të djeshme, si dhe të kuptojë shumë më mirë tendencat e politikës së saj ndaj kombeve të tjera. Lidhur me këtë më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme analiza e mprehtë, e sinqertë dhe tërësisht e argumentuar dhe e thukët e Aleksandër Braillovskit (1959), shkrimtar dhe përkthyes gjeorgjian që sillet në këtë botim, i cili shkruan:
“Ngjarjet e paradokohshme në Gjeorgji treguan se Rusia nuk ka ndryshuar, se ajo, ashtu si edhe më parë, vazhdon të mbetet perandori, e cila nuk ka dëshirë të ndahet me plaçkën e saj dhe se ato arsyetime, të cilat më patën detyruar, ashtu si edhe shumë të tjerë, për ta braktisur këtë vend në kohën e duhur, nuk e kanë humbur aktualitetin absolutisht… E keqja nuk është se rusët kishin frikë nga Stalini, por se atë e donin. Dhe vazhdojnë ta duan edhe tani. Popullariteti krejtësisht real, i pamanipuluar i Vladimir Putinit në Rusi, dëshmon pikërisht për një gjë të tillë. Dhe nuk duhen ushqyer iluzione: sapo Rusia ta ndiejë veten mjaft të fuqishme, ajo do të synojë përsëri t’i shtypë të gjithë, kë të mundet. Populli rus e ka mbështetur gjithmonë dhe do ta mbështetë qeverinë e vet në çdolloj lufte që kjo qeveri do të ndërmarrë. Kurse ata të paktë, që nuk do ta përkrahin, do të shpallen tradhtarë dhe do të shfarosen, – përsëri me mbështetjen e plotë dhe tërësisht të çiltër të shumicës së popullsisë, domethënë të popullit. Dhe nëse Perëndimi nuk dëshiron që tanket ruse, në një ditë të bukur, të shfaqen në rrugën Shamps Elize (Champs-Élysées), ai duhet të përgatitet shumë seriozisht, në mënyrë që të bëjë si të bëjë pa lëndën djegëse ruse dhe të jetë në gjendje të kuvendojë me Rusinë nga pozitat e forcës”.
Ky përcaktim gjithpërfshirës përsëritet shpesh e madje herë-herë edhe në forma edhe më therëse nga shumë personalitete të tjera, shumë prej të cilëve janë rusë. Sigurisht që përgjithësimet janë të rrezikëshme në historiografi, por kur argumentet janë të shumta dhe, mbi të gjitha, në një vazhdimësi të pandërprerë historike, që shtrihet në periudha të gjata disashekullore, atëherë këto fakte të detyrojnë në mënyrë të hekurt të dalësh në përfundime, të cilat mund të bien ndesh edhe me klishetë e derisotme sunduese në analizat shkencore historike, politologjike, gjeopolitike, sociologjike, etj. Dhe ky është rasti i Rusisë dhe i popullit rus, për të cilët mjaft argumente historike që sillen në këtë botim janë vërtet therëse. Ne dhe, besoj, si ne edhe qindra milionë evropianë të tjerë, jemi edukuar me konceptin gati të padiskutueshëm dhe aksiomatik se popujt janë të pafajshën, se në shpirtin dhe ndërgjegjen e tyre ka vetëm fisnikëri, mirësi, paqedashësi, humanizëm, zgjuarsi e plot virtyte të tjera. Dhe, sigurisht, në të gjithë popujt e botës fatmirësisht ndeshen qindra miliona njerëz me këto virtyte, të cilat përbëjnë edhe një vlerë dhe trashëgimi të çmuar, si për kombet e tyre, ashtu edhe për gjithë shoqërinë njerëzore. Por ngjarjet e pafundme historike na detyrojnë të vemë në dukje se ka dhe qindra miliona të tjerë që nuk janë të mbrujtur me këto virtyte dhe, përkundrazi, kanë defiçenca botëkuptimore e shpirtërore të ndryshme, të cilat shfaqen në momente të caktuara dhe nganjëherë përsëriten edhe shpesh. Prandaj mendoj se më e saktë dhe korrekte për të gjykuar për një popull, qoftë ky edhe i madh, siç është populli rus, duhet parë se si është sjellë ai në histori.
Në këto çaste kur po shkruaj këto rreshta për të vlerësuar me sa më shumë objektivitet botimin e profesorit dhe mikut tim të nderuar, lind detyrimisht pyetja se cila është atëherë masa që ne duhet të gjykjojmë për karakterin e një populli të caktuar? Dhe pas kësaj – pyetja tjetër edhe më e vështirë – a janë popujt krijues të historisë apo produkt i saj? Lidhur me pyetjen e parë, unë mendoj se popujt, në një fazë të caktuar të historisë, duhen vlerësuar me veprimet, arritjet ose dështimet që ata kanë njohur gjatë asaj periudhe. Kuptohet se, në tërësi, ata duhen vlerësuar me rezultatet historike dhe veprimet që kanë kryer gjatë tërë historisë së tyre ose shumicës dërmuese të kohës kur ata kanë ekzistuar dhe vepruar. Në këtë kontekst, vjen edhe përcaktimi sasior i diferencës kritike midis negatives dhe pozitives në sjelljen e tyre. Përgjithësisht, nëse shumica e një populli nuk është ngritur ende në nivelin e idealeve politike, sociale, humane, kulturore, që sot i mbron dhe vlerëson njerëzimi, atëherë kjo do të bëhet përcaktuese edhe për sjelljet dhe veprimet e atij populli dhe të shtetit që e përfaqëson atë. Madje edhe kur pushteti nuk ka dalë si rezultat i një vullneti popullor të shprehur në liri, edhe atëherë ai reflekton dobësi dhe mangësi të caktuara dhe thelbësore të asaj shoqërie. Prandaj shumica kritike përcaktuese duhet parë si thelbi i pushtetit dhe i veprimeve të një shteti. Kështu është i qëndrueshëm argumentimi i intelektualit të lartpërmendur gjeorgjian, i cili pohon se “në Rusi, në radhët e popullit të saj, në mënyrën e të menduarit dhe në mënyrën e jetesës së vetë atij populli, mangësitë nuk janë të veçanta, siç patën menduar shumë njerëz, por janë thelbi i atij vendi dhe i atij populli. Po, është fjala pikërisht për popullin, sepse vendi përfaqëson pikërisht popullin. Se është e pamundur që jeta brenda vendit të jetë rregulluar në një mënyrë normale, kurse populli, në këto kushte, të jetë dembel, inatçor dhe i poshtër. Por edhe ndryshe është e pamundur që populli të jetë i zgjuar, punëtor, zemërmirë dhe i drejtë, kurse jeta e tij në vendin ku jetuaka ky popull i mrekullueshëm, të jetë e rëndë, e pistë dhe e padurueshme… Po, po, e di që nuk është mirë të shashë një popull të tërë. Në çdo popull ka njerëz të ndryshëm – të mirë dhe të këqinj, të dashur dhe inatçorë, të edukuar dhe vulgarë, të ndershëm dhe hajdutë, punëtorë dhe parazitë. Por pikërisht aty është gjithë meseleja, se mënyra e jetesës së çdo populli lidhet me pyetjen se çfarë njerëzish e përbëjnë shumicën në radhët e tij. Pyetja tjetër po kaq domethënëse dhe e rëndësishme është – mos vallë popujt janë thjesht viktima të historisë? Po nga ana tjetër ne shpesh themi se ata e bëjnë vetë historinë e tyre. Mendoj se në këtë botim Prof. Ymeri na jep një shpegim mjaft bindës, duke na sugjeruar jo në mënyrë deklarative, por përmes pohimeve dhe argumenteve të shumta, se popujt janë njësoj sa përgjegjës për historinë e tyre, aq edhe viktima ose fitimtarë dhe të nderuar prej saj. Ky është edhe rasti i popullit rus. Por a ka qenë dhe është sot kjo sjellje e Rusisë një rast i izoluar? Mos ndoshta vetëm komunistët ishin ata që e përçudnuan aq keq mënyrën e të menduarit dhe të jetesës së këtij populli fatkeq, saqë ai deri tani nuk është në gjendje ta marrë veten? Pra, a është ky rast një aksident në histori? Kësaj pyetje mund t’i përgjigjemi me korrektësi – Jo. Sepse është e pamundur që një bandë maskarenjsh të qëndrojë në pushtet për 70 vjet, nëse populli, domethënë shumica e popullsisë së vendit nuk e pranon një gjë të tillë. Përmes shkrimeve që botohen në këtë libër, theksohet se jo një herë, por në mënyrë të vazhdueshme në histori ky popull ka qenë baza e krijimit të regjimeve të përgjakshme, tiranike, imperialiste dhe agresive, prej të cilave kanë vuajtur shumë edhe popujt e tjerë. Prandaj është i saktë pohimi që bëhet në këtë botim se popuj të tërë, shtete të tëra, që përfshiheshin në përbërje të Perandorisë Ruse (të quajtur Bashkim Sovjetik që prej vitit 1922), kanë pasë ëndërruar të shkëputen nga Rusia. Dhe ata që nuk arritën të shkëputen, Rusia nuk i lë të qetë edhe sot e kësaj dite. Madje shumë ka vuajtur edhe populli shqiptar që nuk ka qenë në përbërje të kësaj Perandorie.
Së pari, ngaqë ky shtet i madh ekspansionist diktoi me vendosmëri dhe në mënyrë të vazhdueshme copëtimin e thellë të kombit shqiptar dhe më tej dobësimin dhe asgjësimin edhe të atij shteti të dobët që u krijua.
Së dyti, Rusia ka kundërshtuar me forcë dhe vazhdimisht përpjekjet e kombit tonë për të fituar lirinë nga sundimi serb, politikë, e cila vijon edhe sot me ashpërsinë më të madhe, duke nxitur Serbinë të asgjësojë pavarësinë e Kosovës dhe duke nxitur përçarje dhe tensione midis shqiptarëve dhe maqedonëve e shqiptarëve dhe malazezëve në këto dy shtete fqinje.
Së treti, gjatë dhe pas Luftës së dytë botërore, duke ndërhyrë në punët e brendshmë të kombit shqiptar përmes agjentëve të tij sllavë dhe Partisë Komuniste Jugosllave, Stalini nxiti përçarjen e brendshme në Shqipëri dhe sponsorizoi e mbështeti me forcë vendosjen e një regjimi diktatorial, gjakatar dhe antikombëtar, të nënshtruar plotësisht dhe në shërbim të pansllavizmit.
Ky botim ka vlera të veçanta për faktin se shpjegon me argumente serioze shkencore edhe arsyet apo faktorët që kanë ndikuar në fizionominë psiko-sociale, politike, shpirtërore, kulturore etj. të popullit rus nga kohët e largëta e deri në ditët e sotme. Duke analizuar shkaqet e regjimeve jetëgjata totalitare dhe diktatoriale që kanë dominuar gjithë historinë e Rusisë, pohohet me të drejtë se komunistët e patën sunduar Rusinë për një kohë të gjatë pikërisht sepse regjimi i tyre përputhej me aspiratat e popullit rus. Sepse minimumi i lirisë është edhe minimumi i përgjegjësisë. Për ty le të vendosë dikush tjetër. A mund të identifikohet vallë pushteti sovjetik me Rusinë dhe me popullin rus? Mundet. Sepse kushdo që të ishin nga prejardhja nismëtarët e këtij pushteti, ky regjim do të shartohej dhe do të lëshonte rrënjë vetëm në Rusi, nëse, sigurisht, nuk do të flitet për vende të tilla, si Kina, Kuba dhe Koreja e Veriut, të cilat kanë një konstrukt të ngjashëm politikosocial me Rusinë. Po nuk ishin vetëm komunistët që ndërtuan një diktaturë gjakatare në Rusi, diktatura të tilla ka pasur plot gjatë gjithë historisë së saj, ashtu si në ditët e sotme regjimi i Putinit është një diktaturë e egër dhe gjakatare. Shumë personalitete nënvizojnë faktin se populli rus nuk ka shprehur asnjëherë pendesë ose keqardhje për pushtimet dhe krimet që ka bërë ndaj popujve të tjerë. Ndryshe nga gjermanët që e kanë pranuar përgjegjësinë e tyre për atë çka bënë në Luftën e dytë botërore, populli rus nuk e ka pranuar ndonjëherë përgjegjësinë e vet për gjësend. Fajtorë gjithmonë dhe për gjithçka kanë qenë të tjerët. Për më tepër, rusët janë të bindur (këtë ua kanë edukuar për një kohë të gjatë dhe një gjë e tillë iu pëlqen shumë), se ata të gjithë të tjerët i kanë shpëtuar, i kanë mbrojtur, i kanë ushqyer, u patën sjellë të gjithëve dritë dhe ngrohtësi. Dhe, përgjithësisht, të gjithë kanë një borxh të pashlyer ndaj tyre. Ky është një element i tërësisë psikopolitike të popullit rus, i formuar në shekuj nga propaganda dhe letërsia e tyre. Dhe është e kuptueshme se çfarë rreziku buron prej këtij mentaliteti.
Ne shqiptarët shohim këtu një përputhshmëri të plotë me mentalitetin e fqinjëve tanë ballkanikë, sllavë e grekë, të cilët, gjithashtu, nuk kanë shprehur asnjëherë kurrfarë pendese për pushtimet e trojeve shqiptare, krimet dhe spastrimin e dhunshëm etnik që kryen ndaj kombit tonë. Prandaj ne duhet të jemi vigjilent, pasi historia, kur nuk reflektohet ndaj saj, mund të përsëritet. Një konkluzion që arrijnë gati të gjithë autorët e këtyre vlerësimeve, është se populli rus është i zhveshur krejtësisht nga të menduarit në mënyrë kritike. Këtu ai ngjason plotësisht edhe me fqinjët tanë serbë e grekë. Megjithëse u ka bërë keq në histori shumë popujve, dhe ka kryer pushtime e aneksime pa fund të popujve të tjerë, tek ky popull është ngulitur mendimi se Rusia i pati bërë këto vetëm për shkak të mirësisë që i buronte nga shpirti. Në njërin nga tekstet sovjetike të historisë hasej madje një frazë e tillë: “Rusia asnjëherë nuk ka pasë zhvilluar luftëra pushtuese”, megjithëse një përqasje e thjeshtë e territorit të Rusisë Kieviane me atë të Perandorisë Ruse (apo të Bashkimit Sovjetik), e hidhte poshtë tërësisht një postulat të tillë. Pra. te mungesa e të menduarit kritik të inteligjencies dhe popullit e ka burimin rehatia kolosale për sundimtarët e Rusisë dhe lehtësia me të cilën ata e hedhin popullin e tyre në luftëra pushtuese. Mjaft personalitete provojnë se për sundimtarët rusë nuk ka pasur vlerë jeta e njeriut rus dhe se ky popull është pajtuar gjithmonë me këtë monstruozitet gjatë historisë.
Çmimi i përbindshëm që pagoi Bashkimi Sovjetik për fitoren, ku pati 27 milionë viktima, u bë shkak për krenari, paçka se duhej të kishte ngjallur indinjatë dhe një ndjenjë turpi. Përveç egërsisë së gjermanëve, kjo lidhej më së shumti me paaftësinë e udhëheqjes sovjetike, me në krye Josif Stalinin. Por këtu është gjithë meseleja, se problemi i çmimit, i flijimit të njerëzve, për popullin shumëmilionësh rus, asnjëherë nuk ka përbërë ndonjë shqetësim. Në botim sillet si shembull tjetër fati i marinarëve, që patën përfunduar në fund të detit në nëndetsen e fundosur “Kursk”. Asokohe, presidenti rus Vladimir Putin madje nuk i pati ndërprerë pushimet e veta, kur diçka duhej të kishte bërë, qoftë edhe sa për sy e faqe. Qëndrimi i tij pati revoltuar vetëm Perëndimin dhe një pjesë të inteligjencies ruse, por jo shumicën e popullit të tij. Sepse, në kundërshtim me ato që pohonin shkrimtarët e mëdhenj rusë, Rusia është një vend, ku jeta e njeriut nuk vlen asnjë kopejkë. Kjo mendësi agresive dhe flijimi pa masë e shpesh edhe pa kuptim, siç është edhe lufta sot në Ukainë, është një veçori dhe faktor tjetër negativ i sjelljes së këtij populli të madh. Njerëzit normalë nuk mund të mburren kurrësesi me vuajtjet e mëdha të popullit të vet dhe viktimat kolosale njerëzore. A pati ngjallur vallë indinjatë dhe urrejtje në radhët e shumicës së popullit rus terrori i viteve ’30 dhe organizatori i tij “gjenial” Stalini? Gjasat janë që jo, pasi reagimet e atëhershme dhe të mëvonshme të shoqërisë ruse kanë qenë shumë të vakta. Fakti që në Rusi rekomandohen tekste historie, në të cilat rehabilitohet Stalini, kurse represionet masive, domethënë shfarosja masive e dhjetra milionë njerëzve krejtësisht të pafajshëm, justifikohen, se shteti kështu e quaka të domosdoshme, flet mjaft për këtë. Këto janë fakte që flasin se jeta e njeriut ka pasë pak vlerë në Rusi, ndryshe nga vendet e qytetëruara. Jo vetëm e kaluara, por edhe e sotmja dëshmojnë se ajo nuk ka pasur. Ky është një tjetër elemet i psikikës së këtij populli, i cili shfrytëzohet nga diktatorët gjithfarësh për ta sunduar me lehtësi atë dhe për ta hedhur në agresione kundër popujve të tjerë. Edhe Putini bën dhe thotë atë që i siguron përkrahjen e shumicës së popullsisë së vendit të tij.
Nga shumë intelektualë e studiues në këtë botim, nënvizohet fakti tjetër se shkrimtarët rusë janë fajtorë, pasi ata patën krijuar legjendën për Rusinë e Shenjtë, për popullin, si zëdhënës i Zotit, për shenjtërinë e madhe të popullit rus, nisur, sipas gjasave, nga fakti që vetëm shenjtëria e veçantë mund të sjellë si pasojë një përbuzje të tillë ndaj jetës së përditshme dhe të shpjegojë pikësynimin dhe aftësinë për të jetuar mes mjerimit dhe dhunës. Në ndërgjegjen e popullit rus ka zënë rrënjë thellë mentaliteti i kultivuar nga propaganda qindravjeçare e diktaturave të ndryshme, se gjithmonë kanë qenë të kërcënuar nga armiku. Edhe sot për të është i domosdoshëm një armik (NATO dhe Perëndimi). Është e domosdoshme ndjesia sikur ata ndodhen në një kështjellë të rrethuar. Kjo, së pari, forcon unitetin. Ky popull, së dyti, ende nuk e kupton të vërtetën se as NATO, as Perëndimi nuk mund ta kërcënojnë kurrë dhe në asnjë rrethanë atë për një mijë arsye të forta e të kuptueshme për gjithë njerëzit normalë. Prandaj Putini e ka kaq të lehtë t’i çojë bijtë e popullit të tij në thertore për një arsye të tillë krejt absurde. Faqe të errëta ka pasur edhe në historinë e vendeve dhe të popujve të tjerë, ka edhe tani, por, së pari, vendet dhe popujt e përparuar i patën kapërcyer gradualisht problemet e veta dhe, së dyti, e kanë pasë pranuar se diçka nuk e kanë pasur në rregull, ndërsa në Rusi nuk vërehet një frymë e tillë. Në këtë botim me kaq vlerë shkencore spikat edhe analiza e shkencëtarit të njohur, profesorit të Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, Mark Lipovecki, një ekspert i shquar jo vetëm i kulturës së re ruse, por edhe i asaj të këtyre viteve më të fundit mbi rashizmin që është sot ideologjia e regjimit putinist. Ai argumenton se rashizmi nuk është ideologji, por është një rrëfenjë e rreme ideologjike. Duke argumentuar se në thëniet e përkrahësve të luftës në Ukrainë, përgjithësisht, nuk ka kurrfarë realiteti, ky është shmangur plotësisht, këtu përplasen gjykime të kundërta, të prodhuara po nga e njëjta makinë ideologjike. Para nesh shfaqet një botë e errët, e krijuar artistikisht. Një membranë e tillë nuk krijohet brenda një nate. Atë e përgatitën me dhjetëvjeçarë. Prandaj ai sugjeron që të mos sulmohet krejt kultura ruse në tërësi, por duhet analizuar qartësisht se cilët janë burimet konkrete të rashizmit në gjendjen e sotme të kulturës ruse. Ai veçon në këtë drejtim pikërisht kulturën postsovjetike, por pohon se në listën e burimeve të rashizmit duhet të përfshihet edhe kultura e epokës sovjetike, përderisa fijet që të lidhin me të, nënkuptohet, nuk ndërpriten. Shovinizmi, vetëbesimi i tepruar, ishin formuluar nga kultura staliniste e pasluftës. Ai, gjithashtu, sjell argumente se ideologjia e shovinizmit rus, e protofashizmit rus apo edhe thjesht fashizmit, pati hyrë në ndërgjegjen e elitave sovjetike – komsomolase, partiake, kulturore dhe qe bërë flamur i lëvizjes aktive dhe ndikuese shoviniste në radhët e letrarëve, piktorëve, regjisorëve. Ai shpegon se megaprojekti “Nostalgjia për Bashkimin Sovjetik”, që pati lindur si punë parodie, nga refrenet shakatare, nga ekzekutimet e reja të këngëve sovjetike dhe nga filmat sovjetikë, ka ndikimin e vet, pasi me kalimin e kohës nostalgjia vjen e bëhet një projekt i rëndësishëm komercial, dhe kështu me radhë, derisa një gjë e tillë u ngrit deri në një rrëfenjë të rreme ideologjike – në një përfytyrim të nënvetëdijshëm sikur në Bashkimin Sovjetik gjithçka ishte më e mirë, më e fortë, më cilësore, më madhështore etj. (Fatkeqësisht, ky fenomen me përmasa të mëdha, por me mesazhe lilipute vihet re sot edhe në Shqipërinë e ”rilindasve ramistë”. Sigurisht kjo në rastin e Shqipërisë lilipute, që po mpaket e shpërbëhet, vështirë se mund t’i bëjë dëm ndonjë kombi tjetër, por vetëm vetë shqiptarëve. Ndërsa për Rusinë puna qëndron ndryshe, prej saj po e pësojnë popuj të tjerë). Lipovecki shquan se tipari kryesor i shoqërisë postsovjetike është cinizmi dhe se cinizmi postsovjetik është cinizëm sovjetik, i cili është shndërruar në një masë demonstrative, të tepruar, të formalizuar përmes veprimeve konkrete.
Një përcaktim shumë të spikatur për ideologjinë shoviniste ruse – rusizmin – bën edhe Xhohar Dudajevi (1944-1996), ish-Presidenti i parë i Republikës Çeçene, i cili thekson:
“Rusët janë të sëmurë nga rusizmi. Madje duhet theksuar se kjo është një sëmundje kronike shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme. Rusizmi është më i tmerrshëm se fashizmi, se nazizmi, se të gjitha ideologjitë e urrejtjes së njeriut për njeriun”.
Një burim tjetër për lindjen dhe ushqimin e rashizmit është, para së gjithash, demonizimi inatçor i “Perëndimit kolektiv”, si përqendrim i cinizmit më të lartë, të ngritur në sistem, në krahasim me të cilin cinizmi rus është një imitim mjeran. Lipovecki pohon se “Diskreditimi i motivimeve morale dhe idealiste përcillet si mbrojtje e misionit historik unikal të Rusisë, së cilës na i qenka ngarkuar si detyrë të rivendosë vlerat universaliste dhe morale, të braktisura nga Perëndimi. Një kombinim i tillë mund të përcaktohet si cinizëm mesianik”.
Kuptohet, ajka e çdo populli është inteligjencia dhe kur ajo nuk është në nivelin dhe misionin e saj të duhur, edhe kombi do të shfaqë mangësi të mëdha. Prandaj disa personalitete ruse shprehen:
“Problemi është se ne edhe inteligjencien po të tillë e kemi, përgjithësisht, pa tru në kokë dhe të neveritshme, si edhe çdo gjë tjetër. Ajo, po ashtu, është e infektuar nga kotashpresa idiote, është injorante, e infektuar nga virusi i perandorisë, i patriotizmit. Ajo është e ngarkuar kryesisht me komplekse fetare, çka dëshmon më së miri për nivelin e zhvillimit të saj”.
Prof. Ymeri ka sjellë në këtë botim në mënyrë të spikatur gjithashtu pohimet tingëlluese dhe therëse të shkrimtarëve më të mëdhenj rusë, ndonëse edhe ata shpesh kanë shfaqur ndjenja shoviniste. Ata, bashkërisht, nënvizojnë moskokçarjen e popullsisë për drejtësinë, mungesën e ndjenjës së lirisë dhe sakrificës për afirmimin e saj, korrupsionin masiv në shoqëri, etj. Kështu, Aleksandër Pushkini (1799-1837) pohon se “Rusët janë një popull kaq moskokëçarës deri në detyrën më të vogël, deri në drejtësinë më të vogël, deri në të vërtetën më të vogël, saqë nuk duan t’ia dijnë as për njeriun e lirë, as për mendimin e lirë”. Ai, si dhe shumë të tjerë, nënvizojnë edhe korrupsionin e thellë dhe të gjerë në popull dhe shkruan: “Meqenëse në Rusi gjithçka shitet e blihet, atëherë edhe provimi është shndërruar në një degë të re të industrisë për profesorët”.
Ndërsa Aleksandër Sollzhenjicini (1918-2008) pohon:
“Thuhet se një popull të tërë nuk mund ta shtypësh pa fund. Gënjeshtër! Mundet! Se ne po vërejmë se si populli ynë është zhveshur moralisht, është egërsuar dhe e ka pllakosur mospërfillja tashmë jo vetëm ndaj fateve të vendit, tashmë jo vetëm ndaj fatit të fqinjit, por madje ndaj fatit të vet dhe fatit të fëmijëve. Mospërfillja, ky reagim i fundit shpëtimtar i organizmit, është bërë tipari ynë përcaktues. Këtu e ka burimin edhe popullariteti i vodkës – i paparë madje sipas përmasave ruse”.
Nga ky botim mësojmë se korrupsioni masiv, shthurja morale, prapambetja shoqërore, ashpërsia e sjelljes, degradimi moral, gënjeshtra, arbitrariteti janë fenomene që ndeshen gjerësisht në shoqërinë e sotme ruse. Artjom Troicki (1955), gazetar rus, vë në spikamë shthurjen morale, pijanecërinë dhe korrupsionin tepër masiv. Por, nga sa lexohet në këtë libër, ky është mendimi i përbashkët i dhjetra e dhjetra intelektualëve, shkrimtarëve, studiuesve dhe personaliteteve të tjera politike ruse dhe jo ruse. Kurse Lev Trocki (1879-1940), revolucionar rus, shprehet, se nuk ka njeri më injorant dhe më hipokrit, sesa muzhiku rus…Rusia është e dënuar nga natyra e saj për të qenë e prapambetur për një kohë të gjatë. Nuk mungon edhe Maksim Gorki (1868-1936), shkrimtar i madh rus, i cili shkruan:
“Tipari shumë më i rëndësishëm i suksesit të popullit rus, është egërsia e tij prej sadisti… Ne rusët jemi anarkistë nga natyra, egërsira, në damarët tanë vazhdon ende të rrjedhë gjaku i errët dhe inatçor i skllavit, një trashëgimi helmatisëse kjo e zgjedhës tatare dhe e bujkrobërisë…Eh, sa e vështirë është jeta në Rusi, në këtë qendër të fëlliqur të degjenerimit fizik dhe moral, të poshtërsisë së gënjeshtrës dhe të krimit. Në Rusi domosdoshmëria e vuajtjes predikohet si mjet për “shpëtimin e shpirtit”.
Vladimir Pastuhovi (1963), politolog, publicist dhe jurist (avokat) rus, doktor i shkencave politike, pohon se “arbitrariteti dhe korrupsioni janë kategori jashtëkohore për kulturën ruse, këto janë konstantet tona historike”. Shumë personalitete kanë nënvizuar ndikimin negativ që shekujt e shtypjes perandorake apo të diktaturave kanë lënë mbi psikikën dhe botëkuptimin e popullit rus, veçanërisht në kultivimin masiv të nënshtrimit dhe servilizmit ndaj pushtetit. Boris Njemcov (1959-2015), personalitet politik dhe shtetëror rus, reformator, kritik aktiv i regjimit politik të Putinit, që u pushkatua jo larg Kremlinit më 27 duke u gdhirë 28 shkurti i vitit 2015, pohon:
“Problem i Rusisë janë rusët. Armiku kryesor i Rusisë jemi vetë ne, skllavëria jonë shumëshekullore, servilizmi, nderimi për ata që janë me pozitë, pasardhës të bujkrobërve, njerëz me vetëdije të skllavëruar”.
Pikërisht të njëjtën argument vërteton edhe Daniel Rankur-Laferrier (1943), kritik letrar-rusist dhe kulturolog amerikan, specialist për studimin e kulturës ruse me metodat e psikanalizës. Nga ana tjetër, ata kanë vënë në dukje edhe psikologjinë e turmave, që është shoqëruar herë-herë me ngjarje tragjike tronditëse. Kështu, Artjom Kreçetnjikovi (1984), gazetar, analist rus i Shërbimit rus të BBC, jep një informacion të panjohur, që flet shumë për mentalitetin e turmave të popullit rus. Ai shkruan se më 8 mars 1953, para zhvillimit të ceremonisë së varrimit të Josif Stalinit, ngaqë dyndja e njerëzve u shtua tej mase, dhe ngaqë autoritetet e patën rrethuar ngushtësisht marshimin nëpër rrugët qendrore, kurse rrugët anësore i kishin bllokuar me kamionë ushtarakë, si rezultat i ardhjes së njerëzve nga pas që vazhdonin të shtyheshin, një mori njerëzish, që u gjendën në grackë, vdiqën nga thyerja e kafazit të kraharorit ose qenë shtypur nën këmbët e turmës. Askush nga udhëheqja e vendit dhe e kryeqytetit nuk qe përkujdesur për t’u dhënë urdhër trupave ushtarake dhe policisë për të ndryshuar taktikën dhe për të rregulluar disi dendësinë e turmës.
Një tragjedi e ngjashme pati ndodhur në Moskë, në fushën Hodinskoje, më 18 maj 1896, gjatë kurorëzimit të carit të fundit rus.
Një përfundim tjetër mjaft rrënqethës, por i vërtetë që del nga ky botim, është edhe ai se njerëzit më të vetdijshëm, të kualifikuar dhe liridashës, në pamundësi për ta ndryshuar shoqërinë ruse, e kanë braktisur atë. Arsyet dhe argumentimi që i bëhet këtij fenomeni në botim janë të sakta dhe të prekëshme. Aleksandër Vojlloshnjikov (1926-2012), nënvizon se “Miliona rusë, nga më të talentuarit, e kanë braktisur Rusinë, duke mallkuar atdheun e tyre të poshtër! Një njeri i ndershëm dhe punëtor e ka të pamundur të jetojë në një Rusi skllevërish. Një filtër i tillë, i cili lë në Rusi skllevër frikacakë dhe dembelë, është në funksionim prej qindra vjetësh… Sepse një njeri i ndershëm e ka të vështirë të jetojë mes hajdutëve të vrazhdë e ziliqarë dhe skllevërve inatçorë e agresivë, të edukuar nga ortodoksia në një vend skllevërish”. Kurse Dhimitër Bëjkov (1967), shkrimtar dhe publicist rus, nënvizon aksiomën se në Rusi populli është i zënë me mbijetesën e vetvetes, shteti është i zënë me sfilitjen e popullit dhe nuk kanë kurrfarë rruge të përbashkët, nuk kanë kurrfarë qëllimi të përbashkët. Dhe Emanuel Makron, President i Francës, deklaron se “Rusia nuk është vend, por mafie… Kjo do të thotë se Rusia është një shtet i zakonshëm mafioz”.
I dashur lexues, edhe unë guxoj t’ju pyes: në këtë pikë, a nuk ngjasojmë ca si shumë edhe ne shqiptarët me këto qenie, të cilat vetëm respekt nuk mund të të ngjallin? Prandaj libri që boton profesori i nderuar duhet të na shërbejë neve, përveç të tjerash, edhe për vetëreflektim. Nuk është asnjëherë e pamundur për këtë, por sa më vonë ta bëjmë, aq më shumë do t’i kemi shkaktuar plagë dhe dhembje vetvetes. Besoj se fatmirësisht nuk kemi fuqi dhe dimensione t’u shkaktojmë fatkeqësi të tjerëve, ashtu si rusët kanë bërë për shekuj me radhë. Nga ky botim mësojmë se fryma antiperëndimore është sot dhe ka qenë në të shkuarën një veçori tjetër negative e popullit rus. Përmes analizave dhe pohimeve të disa intelektualëve dhe studiuesve, Prof. Ymeri sjell fakte se si dhe përse ajo është rrënjosur në ndërgjegjen ruse, duke argumentuar se ajo ka dominuar vazhdimisht propagandën, arsimin dhe kulturën ruse prej shekujsh dhe pa ndërprerje.
Shkrimtari rus Aleksej Tolstoj (1883-1945) pohon: “Kjo Rusi moskovite, që në lashtësi, ka qenë, është dhe do të jetë mohimi më i plotë i gjithçkaje evropiane dhe një armike e tërbuar e Evropës”. Po kështu, Glenn Donovan (1962), shkrimtar amerikan, shkruan për Putinin:
“Mua nuk më pati shkuar kurrë ndër mend që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i nënshtrohen vetëkënaqësisë së pamoralshme të një batakçiu të KGB-së, i cili çdo ditë na fyen dhe na provokon dhe qeveris popullin rus. Ky batakçi, që ka një pushtet total, drejton një popullsi analfabete, raciste, inatçore dhe antiliberale”.
Lev Tolstoj (1828-1910), njëri nga shkrimtarët dhe mendimtarët më të njohur rusë, e ve theksin tek edukata e vazhdueshme nacional-shoviniste ruse. Ai shkruan:
“Derisa ne do të vazhdojmë të lëvdojmë patriotizmin dhe të edukojmë brezin e ri në këtë frymë, atëherë do të kemi armatime, të cilat marrin në qafë edhe jetën fizike, edhe jetën shpirtërore të popujve, do të kemi luftëra, luftëra të tmerrshme, të frikshme, si ato, për të cilat po përgatitemi dhe në vorbullën e të cilave po i futim ata popuj, duke i degjeneruar me patriotizmin tonë… Kjo është indiferenca jonë ruse – të mos interesohemi për detyrat që na takojnë sipas të drejtave tona dhe prandaj t’i mohojmë ato”.
Edhe Sergej Ivanenko (1953), personalitet fetar rus, doktor i shkencave filozofike, e vë theksin tek edukata nacional-fashiste që jep shkolla ruse. Ai shkruan:
“Shpërthimin e fashizmit në vendin tonë, para së gjithash, e ka përgatitur shkolla jonë. Ajo nuk u mëson nxënësve humanizmin, tolerancën, të kuptuarit e vlerës së larmisë së kulturave. Për më tepër, për mendësinë tonë, çka është mjaft e trishtueshme, është karakteristik heroizimi dhe romantizimi i terrorit dhe i dhunës”.
Në këtë botim argumentohet se një plagë tjetër e shtetit dhe kombit rus, siç zbulon Alfred Koh (1961), ish-zëvendëskryeministër i Federatës Ruse, është fakti se “Rusia ekziston si një shtet i unifikuar vetëm me forcë. Vetëm duke i zënë frymën çdolloj lirie. Vetëm me dhunë dhe me imponimin e një uniteti mendimi të sajuar paraprakisht. Kombi nuk i ka lidhjet e brendshme, arsyet e veta dhe dëshirën për të jetuar së bashku. Prandaj për një jetë të përbashkët ka nevojë për sfida dhe kërcënime nga jashtë, të trilluara posaçërisht nga ana e pushtetit qendror, pikërisht për qëllimet e ruajtjes së një uniteti që nuk i duhet askujt”.
Me këtë mjaft autorë shpegojnë edhe natyrën tepër agresive të Rusisë. Juri Nesterenko (1972), shkrimtar amerikan me prejardhje ruse, që e braktisi Rusinë në vitin 2010, shprehet:
“Sa qindravjeçarë (Rusia) ka vrarë pa pushim, e megjithatë patën mbetur gjallë njerëz që nuk pranojnë të rrinë nën zgjedhën e saj. Nuk mundi t’i shfaroste tatarët, polakët, ukrainasit, gjeorgjianët, çeçenët, finlandezët, lituanezët. Zoti e di, se sa popujve u pati shkaktuar fatkeqësi në vatrat e tyre kjo fëlliqësirë e poshtër. Rusia është perandoria më e poshtër dhe më gjakatarja në historinë e njerëzimit”.
Madje ka edhe analiza të tilla si ajo e Arkadi Babçenkos (1977), gazetar opozitar rus që shkruan për luftën kundër Ukrainës, se kjo do të jetë lufta e fundit për Rusinë, sepse procesi i shpërbërjes së etnosit praktikisht tashmë ka përfunduar. Shteti thjesht nuk është i aftë ta qeverisë ndryshe këtë territor, veçse të vendosë kufoma, si traversa. Edhe të huaja, por kryesorja – të veta.
Në këtë botim vjen edhe vlerësimi i papritur dhe befasues i politologut të famshëm amerikan Zbigniev Bzhezinski (Zbigniev Brzeziński – 1928-2017) i cili, teksa paralajmëron se “Nëse rusët do të jenë kaq të marrë, që të provojnë të ringjallin perandorinë e vet, ata do të përplasen në të tilla konflikte, saqë Çeçenia dhe Afganistani do t’u duken si piknik”. Ai, gjithashtu, pohon se “Rusia është një egërsirë e sëmurë dhe infektuese. Zhdukja e kësaj plage në trupin e planetit është detyrë e çdo njeriu me mendje të shëndoshë”.
Një nga fenomenet e shoqërisë së sotme ruse që mund të hulumtohen në këtë libër, është edhe mungesa apo dobësia e theksuar e shoqërisë civile. Kështu, Andron Konçallovski (1937), artist i njohur rus, Pjetër Çaadajevi (1794-1856), filozof dhe publicist rus, si dhe mjaft të tjerë, nënvizojnë faktin se në Rusi nuk ekziston shoqëria civile. Kurse Mihail Jampolski (1949), historian ruso-amerikan, përkrah tezën e vetëhelmimit psikologjik të popullit rus. Duke nënvizuar si faktor madhor vdekjen graduale të iniciativës private dhe varësinë shumë të madhe të njerëzve nga buxheti i shtetit, ai shkruan se këtu e ka zanafillën qëndrimi prej skllavi i intelektualëve. Ai shton se “atmosfera që po e bren sot Rusinë është intoleranca ndaj lirisë, ndaj iniciativës krijuese, çka është gjë e rrezikshme”
Në këtë botim bëhet edhe një rivlerësim interesant i historisë më të re ruse, ku evidentohen ngjarje dhe fakte të fshehura më parë, që flasin për veprime antihumane, për natyrën agresive të shtetit rus. Kështu flitet mbi planet e Stalinit për të sulmuar Evropën Perëndimore para se të sulmohej prej Gjermanisë naziste dhe për projektin tjetër të tij në fillim të viteve ’50 për të sulmuar Evropën Perëndimore. Po kështu janë tronditëse dëshmitë dhe të dhënat që paraqiten në këtë botim lidhur me përdhunimet masive që kreu ushtria sovjetike në Gjermani në fund të Luftës së Dytë Botërore. Dhe unë që po nënvizoj këto përfundime rrënqethëse që dalin nga goja e gjithë këtyre personaliteteve të hulumtuara dhe të sjella në librin e Prof. Eshref Ymerit, shtroj pyetjen:
Të dashur lexues, e ku do t’i kishim gjetur të gjitha këto argumente që na japin një panoramë të plotë, ndonëse të frikshme, të shoqërisë së sotme ruse, gjëndja e së cilës është produkt i dhimbshëm i historisë së saj? Prandaj, në përfundim dëshiroj të ritheksoj se ky është një libër shumë i nevojshëm për lexuesin shqiptar, që na sjell një informacion, i cili krijon një panoramë të shoqërisë ruse. Ai u shërben lexuesve të thjeshtë, studentëve, politikëbërësve, politologëve, historianëve, sociologëve, shkrimtarëve, filozofëve, publicistëve, gazetarëve, etj. për të njohur këtë shtet dhe popull, si dhe për të kuptuar më mirë tendencat e ndikimit të tij në të ardhmen tonë evropiane. Por, gjithashtu, siç e kam pohuar edhe më lart, ai na shërben edhe për të parë mirë edhe veten tonë në pasqyrë, për të analizuar në mënyrë kritike të metat tona, të cilat, gjithashtu, vijnë kryesisht nga historia jonë, nga e kaluara jonë e gjatë nën regjime shtypëse e diktatoriale. Të tilla janë indiferenca ndaj pushtetit, servilizmi ndaj tij, indiferenca ndaj korrupsionit, shtypjes dhe krimeve që kryejnë sistematikisht qeveritarët tanë në të gjitha nivelet, paaftësia për të reaguar ndaj tyre dhe pët t’i ndëshkuar me votë, moskuptimi i thelbit të demokracisë se çdo qytetar duhet të bëjë detyrën e tij, paaftësia jonë për ta bërë demokracinë dhe përgjegjësinë për ndërtimin e saj dhe të shtetit ligjor pjesë thelbësore të ndërgjegjes, botëkuptimit, mendimit dhe shpirtit tonë, etj. Prandaj në fund vetëm dua të përgëzoj nga zemra profesorin e nderuar Eshref Ymeri për këtë botim të shkëqyer me vlera të paçmueshme për ne shqiptarët.
Tiranë, 12 shkurt 2025
Average Rating