Albin Kurti: Ditë e rëndë për vendin tonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur pas sulmeve me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm, ku një polic u vra, një mbeti i plagosur dhe një tjetër mbeti i lënduar.
Kryeministri Kurti e quajti ditë të rëndë, ndërsa dënoi sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
“Sulmet janë duke vazhduar, kjo është ditë e rëndë. Ftoj qytetarët ta ruajnë qetësinë”, tha Kurti para mediave.
“Krimet të mbështetura dhe të organizuara nga Serbia po e sulmojnë shtetin tonë. Ne mbrojmë ligjshmërinë, mbrojmë qytetarët dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët do të dështojnë. Qeveria është e gatshme për të iu përgjigjur krimeve dhe kriminelëve. Qëndrojmë pranë familjeve të policëve. Ftoj qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë maturi. Sulmet po vazhdojnë, janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, të cilët ndodhën nën rrethimin e Policisë, i ftoj të dorëzohen”, deklaroi Kurti para mediave.
Kryeministri Kurti ka thënë se në Banjskë të Zveçanit, gjenden së paku 30 persona të armatosur rëndë. Në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Kurti ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen te organet e sigurisë.
“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, që ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe që i ftoj të dorëzohen te organet tona të sigurisë. Ata janë që po i sulmojnë policinë tonë, edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun e e kanë plagosur Alban Rashitin”, ka thënë ai.
Duke demonstruar me fotografi, Kurti ka thënë se njerëz të armatosur rëndë me pajisje ushtarake, me maska, janë rrotull Manastirit në Banjskë.
“Organet e sigurisë dhe prokuroria do të zhvillojnë hetimet për t’i kuptuar këto uniforma të cilat siç shihet përveç xhipave, kanë edhe një autoblindë aty. E vëreni se ka një gjoksore që është tipike për uniformën dhe pajisjet në vendluftime. Është paraqitur një formacion i organizuar që ka ardhur të luftojë në Kosovë”, është shprehur ai.
Kurti ka theksuar se vrasja e policit Bunjaku duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave, strukturave ilegale që e cenojnë sigurinë e rendin kushtetues.
“Sulmet e grupeve të armatosura me armë të të gjitha llojeve afër lokacionit ku është vrarë polici ynë po vazhdojnë akoma. E dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjshmërinë, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të kapen, gjykohen dhe dënohen. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit, kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, ka thënë Kurti.
Average Rating