Anekdota si shprehje thumbuese dhe e dellit humoristik

Read Time:3 Minute, 54 Second

Nga XHAVT ÇITAKU
Sabit Istogu ka bërë emër në krijimtarinë letrare shqipe duke i ofruar lexuesit libra interesant në zhanre të ndryshme. Deri me tash ai ka botuar librin dokumentar “ Rrënjet e lirisë”, dramën “ Të vrarë e të Uritur”, romanin “ Dallgë jete” dhe monografinë “ Kujtesë” kushtuar brezit të parë të gjimnazistëve të Skënderajt. Po ashtu, Sabit Istogu botoi edhe tregime letrare, skeqe humoristike, skenar filmik, si dhe është autor i një varg filmash dokumentar, të cilët u emituan dhe akoma emitohen në RTK.
Së fundmi ky krijues i vyer doli me librin me anekdota i titulluar “ Rrotë mbi rrotë”. Që në fillim autori shpjegon rolin që ka anekdota në shoqëri sidomos me mesazhin e shëndosh e edukativ që ajo luan në përgjithësi. Anekdota, pra, pasqyron në brendësinë e saj dukuri tejet interesante dhe realiste e përcjellë me një humor, duke përqesh të metat e përgjithshme në shoqëri, pastaj sjelljet, qëndrimet dhe dobësitë, sidomos, të njerëzve në pushtet por edhe të tjerëve. Thënë konkretisht, në thumb të kësaj krijimtarie popullore zakonisht janë gnjështra, përtacia, pabesia, kopracia, grykësia etj.
Ankdotat më origjinale u krijuan në rajonin e Drenicës
Në këtë fushë të prozës popullore dallohet rajoni i Drenicës ngaqë aty anekdotat padyshim janë krijimet më origjinale dhe më të shumta të letërsisë gojore. Këtë lloj krijimtarie drenicasit e quajnë mesele, por që në fakt ato i japin shije dhe i ndihmojnë bisedës qoftë në oda apo në ndeja të ndryshme. Anekdotistët më të shquar të Drenicës janë: Xhemail Abria, Ramadan Shabani, Dervish Goxhuli, Mujë Loshi, Shaban Çitaku, Xhemë Lutani, Hajdar Kozhica etj. Sipas autorit të këtij libri, rrëfimet anedoktike të këtyre tregimtarëve të zgjuar e mendjeprehtë përmbajnë porosi konkrete e praktike filozofike, edukative- argëtuese e diturore, prandaj i karakterizon saktësia e të shprehurit, gjuha figurative, ku dominojnë alegoria, metafora, humori, ironia, satira dhe figurat tjera artistike, që çmohen e vlerësohen nga populli. Së këndejmi, duke patur parasysh bagazhin e madh që ka kjo krijimtari e prozës popullore ka shum dashamirë e më së shumti studiues që kanë vjel nga goja e popullit në Drenicë anekdota të ndryshme e me numër të madh.. Në këtë drjtim prin profesori e studiusi Anton Çeta, pastaj Halil Kajtazi, Mehmet Rukiqi, Salih Zogiani, Xhemail Bajrami, Fazli Hajrizi e të tjerë.

Në fokus të këtij libri janë ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në komunën e Skënderajt
Kjo lloj krijimtarie ka zgjuar interesim edhe tek Sabit Istogu, i cili është fokuar me njerëz e ngjarje që kanë ndodhur kohëve të fundit në komunën e Skënderajt. Ato i ka dëgjuar në mjedise dhe kohë të ndryshme. Shumë sosh i ka shënuar më vonë prandaj tingëllojnë si të modifikuara. Duke i lexuar me vemendje këto krijime të letërsisë gojore lirshëm mund të thuhet se ato meritojnë një vemendje të veçantë jo vetëm në aspektin përmbajtësor, përkatësisht karakterin humoristik e satirik, por edhe zgjuarsinë e porosisë edukative të anekdotave. Është me interes të thuhet se personazhe të anekdotave të librit “ Rrotë mbi rrotë” janë njerëzit e pushteteve të ndryshme, dikur e sot: nëpunës, klerikë, mendjemëdhenj, egoistë, dorështrënguar, hipokritë, interesgjinj, përgojues, matrapaz, delenxhi, frikacak,të pabesë etj. Po ashtu, në këtë përmbledhje janë të përfshirë anekdota të thurura për disa ish- komandantë rrahagjoksë të luftës së fundit në Kosovë, të cilët më shumë kanë bërë fjalë e zhurmë se sa luftë, ndërkaq në anën tjetër pas përfundimit të luftës lavdërohen se vetëm ata ishin që Kosovës ia sollën lirinë.
Në këtë përmbledhje janë të përfshirë 18 tregimtarë, ndërkaq pjesa tjetër e anekdotave është shënuar dhe modifikuar nga autori Sabit Istogu.
Pse qesha?
Në këtë libër edhe autori ka treguar një numër të konsiderueshëm anekdotash, ndërkaq kësaj radhe zgjodha një e titulluar “ Pse qesha?”.
“ Në sallën e objektit të kulturës në Skenderaj në vitin 2014, u bë një promovim libri i një autorje të njohur e në zë. Folën redaktorë e recensentë, kurse një vështrim rreth librit e bëri edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë. Derisa ai fliste, mua me ra diçka në mend dhe zura të qesh. Pas përfundimit të librit, një shok me pyeti:
-Allahile, pse qeshe kur fliste ambasadori i Shqipërisë? U çudita me ty se nuk kish kurrgjë për me u qesh!
-Jo, kurgja i thash, por në atë çast m’u kujtua diçka dhe nuk munda pa qesh.
E çka ashtu? – me pyeti sërish shoku.
-Po këtë promovim libri ambasadori i Shqipërisë e madhështoi, qoftë me prezencën e tij, qoftë me vlerësimin adekuat që ia bëri librit, e mendova, po të ftohej ambasadori i Kosovës në Shqipëri, i cili asht me shkollë fillore, në ndonjë promovim si ky, athua çka do të mund të fliste për ndonjë botim librash, kur nuk ka lexue libër asnjëherë n’jetë të tij”.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Të hënën Lugina e Preshevës do të vizitohet nga zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci
Next post Luginë e Preshevës: Edhe këtë vit me mungesë të teksteve shkollore