Eugjen Merlika: KËRKESA DHE MOSPRANIMI

Read Time:7 Minute, 18 Second

 “Ajo që bën një komb nuk është të folurit e së njëjtës gjuhë, dhe as përkatësia së njëjtës prejardhjeje etnografike, por të kryerit së bashku të veprave të mëdha në të shkuarën dhe dëshira për të kryer të tjera të tilla në t’ardhmen”.

Ernest Renan(1823 – 1892), filozof e historian francez

            Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare “Trojet e Arbërit”, në një shkrim të datës 21 gusht 2022 me titull: ” Neo-otomanët refuzojnë kërkesën e Shoqatës “Trojet e Arbërit”për Muranën e Gjergj Kastriotit në Prizren, por Shqiptarët do t’a vendosin atë në Prizren”, me të cilin njofton opinionin publik të gjithë trevave shqiptare brënda e jashtë kufijve të Shteteve shqiptar edhe njëkohësisht edhe Mërgatën shqiptare në të gjithë botën, për një vendim të autoriteteve të Qendrës për Trashëgiminë kulturore në Prizren dhe Këshillit përkatës të saj, se i është përgjigjur në mënyrë johenike kërkesës së asaj Shoqate për të patur lejen e atij institucioni për të vendosur në territorin e qytetit të Prizrenit Muranën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

            Autori i shkrimit, historiani Nue Oroshi, nuk sjell në njoftimin e tij, tekstin e plotë të mospranimit të kërkesës së Shoqatës nga autoritetet përkatëse të Prizrenit. Pa këtë, që do t’ishte tepër i rëndësishëm në vlerësimin e atij vendimi, nuk mund të jepet një gjykim i saktë rreth kësaj kundërshtie ndërmjet Shoqatës “Trojet e Arbërit” dhe Qëndrës për Trashëgiminë kulturore e Këshillit përkatës të qytetit të Prizrenit. Do t’ishte me interes të posaçëm për të gjithë shqiptarët, të njiheshin nëpërmjet fjalëve tekstuale të vetë atyre zonjave e zotërinjve, ligjërimin e atij vendimi që përbën në tërësinë e tij, një absurditet të pakonceptueshëm për cilindo njeri që flet gjuhën shqipe.

            Mendoj se është detyrë parësore e atyre nëpunësve të emëruar të Qendrës e Këshillit për Trashëgiminë kulturore të qytetit historik të Prizrenit, të dalin me një deklaratë të hapur, në të cilën të shpjegojnë, shkoqur e hollësisht, arsyet përcaktuese të vendimit të tyre, që tejkalon shumë rëndësinë e tyre si organe t’emëruar nga Bashkia e qytetit e ndikon në të gjithë opinionin mbarëshqiptar për lemerinë e llahtarën që bart në vetvete e që përcjell në ndërgjegjet vetiake e kombëtare të secilit shqiptar atdhetar. Ata zonja e zotërinj duhet të jenë të vetëdishëm për vlerat e qytetit që përfaqësojnë e trashëgimin  e tij në fushat kulturore e historike.

            Pikërisht ato vlera e ajo trashëgimi mendoj se kanë qënë përcaktuese në nismën e lëvdueshme të Shoqatës “Trojet e Arbërit” që, me ndihmesën e saj financiare, të sjellë n’atë qytet një tjetër simbol që e lidh me pjesën më të ndritur të historisë shqiptare e figurën e Gjergj Kastriotit, si personaliteti më madhor i saj. N’atë nismë, simbolikisht dhe idealisht, vendoset një lidhje ndërmjet dy shekujsh, atij të pesëmbëdhjetit e atij të nëntëmbëdhjetit, që janë karakterizuar nga dy epope, përmasat e të cilave kanë përcaktuar majat më të larta të shprehjes së vlerave më qenësore të kombit shqiptar e të vetë shqiptarizmës si filozofi, si ide e si program. Këta shekuj, në kujtesën historike të shqiptarëve, u binjakëzuan me emrat e Krujës e të Prizrenit.

            Nëse epoka e Gjergj Kastriotit, me periudhën 1443 – 1478, shënoi në historinë evropiane qëndresën shqiptare kundrejt prirjes së perandorisë më të fuqishme të kohës, për të sulmuar Evropën dhe qytetërimin e saj, duke përfaqësuar të vetmen mburojë të tyre, me përfundime të papërfytyrueshme përsa i përket rezultateve në mbrojtjen e kontinentit dhe flijimeve të pashmangëshme të vetë shqiptarëve, Lidhja e Prizrenit 1878 – 1881 nxori në pah një tjetër epope edhe se jo në përmasat e së parës, as si synim dhe as si përfundim. Rëndësia e saj u përcaktua nga mbrojtja e tokave shqiptare nga synimet grabitqare të shteteve fqinjë, të përkrahur nga Evropa mosmirënjohëse që”harroi” shpejt flijimin shqiptar për mbrojtjen e qytetërimit të saj.Lidhja e Prizrenit qe e para përpjekje e vetëdijshme e shqiptarëve në historinë e tyre, për të pohuar së bashku vlerat e tyre si bashkësi historike, etnike, gjuhësore, territoriale, duke kërkuar vëndin e tyre të merituar në fushën kontinentale. Si e tillë ajo mbeti njëlloj e shkruar me gërma t’arta në historinë e popullit tonë, për të cilën jemi krenarë e ballëlartë edhe sot, mbas 141 vitesh. Ajo epope pati si far ndriçues të veprimtarisë së saj të shkurtër pikërisht figurën legjendare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, figurë që frymëzonte të gjithë udhëheqsit e Lidhjes.

            Me gjithë stuhitë historike që kanë përcaktuar fatin tonë kombëtar, të detyruara nga fuqi më të mëdha se sa mundësitë tona  për qëndresë, ne si shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë bashkësi të mëdha e më pak të mëdha shqiptarësh kudo që ndodhen, duhet t’a ndjejmë vehten pjestarë të të njëjtit komb, të së njëjtës histori. Si të tillë një nga vlerat tona njerëzore që duhet të na karakterizojnë është nderimi i ynë për të shkuarën tonë, për bëmat e saj të hidhura apo më pak të hidhura, heroike apo më pak heroike, të lumtura apo të trishtuara, të urta por edhe të marra, sepse të gjitha ato përbëjnë atë përvojë që mbetet pasuria e jonë e përbashkët. Mund të jetojmë në Vënde të ndryshme, apo në trevat shekullore tonat, mund të fitojmë të tjera shprehi e të tjera mendësi, simbas mjediseve në të cilët gjindemi, por nuk duhet të harrojmë vetitë tona qenësore të trashëguara, ato që kanë përcaktuar ecjen tonë të përbashkët në hullitë e historisë.

Vendimi i Qëndrës për Trashëgimi kulturore në Prizren më duket se nuk shkon n’atë drejtim. Mospranimi për të gjetur një copëz toke ku të vendoset falas Murana e Gjergj Kastriotit, jashtë çdo lloji argumenti shpjegues që mund të jepet, mbetet një dhunim i hstorisë sonë, i vlerave të saj, i trashëgimisë së saj. Si i tillë ai fyen botën shpirtërore të cilitdo pjestari të kombit tonë, sepse ai godet në zemrën tonë, në figurën më të ndritëshme me të cilën janë njëjtësuar në ëndërrat e idealet e tyre dhjetra breza bashkatdhetarësh tanë. Aq më tepër e dhimbëshme bëhet kjo dukuri, nëse i përgjigjet pohimit të Kryetarit të Shoqatës “Trojet e Arbërit” që padit “neo-otomanizmin” e një pjese të qytetarëve të Kosovës së pavarur si arsyen kryesore të mospranimit të kërkesës së Shoqatës. Po të jetë kështu, ai vendim mospranimi nuk mund të mos zgjojë tek cilido shqiptar atdhetar një zemërim të brëndshëm që del nga thellësitë e zemrave e ka nevojë të shprehet me fuqi e vendosmëri, si një protestë kombëtare kundër një mendësie që nuk duhet të gjejë vënd në shllimet tona, në synimet, në jetën tonë, sepse do të përbënte turpin tonë të shekullit të njëzetenjëtë.

Mund të ketë individë që mund të kenë mendësi larg shqiptarizmës e parapëlqimetë tyre vetiake të hapura apo të fshehta. Është e drejta e tyre t’i ushqejnë apo t’i shprehin ato, por është e papranueshme që të ketë institucione në shtetet shqiptarë që të marrin vendime e qëndrime kundër shqiptare, madje të arrijnë deri në fyerje të vlerave më të larta të vetë kombit.

                        Le të shpresojmë se Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Ministrive të Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës e asaj të Kulturës, Rinisë e Sporteve, do të ndryshojë atë vendim të turpshëm e do t’i kthejë qetësinë të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Uroj me gjithë zemër të jetë kjo zgjidhja m’e mirë, mbasi pështjellimi i autoriteteve të huaj në këtë katrahurë nuk t’i sillte asgjë të mirë e të dobishme dinjitetit tonë kombëtar dhe aftësisë për të zgjidhur vetë problemet tona, qoftë edhe në raste të këtilla, kur më e pakta arsye e shëndoshë do të detyronte përshkimin e rrugës së duhur. Ai pështjellim do të përkeqësonte përfytyresën tonë, tashmë të lënduar nga një tridhjetëvjeçar demokrature jo të hijshme.

                                                                                  Gusht 2022

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Iniciativa e Sekretarit Amerikan Blinken, çon në dakordimin Kosovë-Serbi
Next post Besëlidhje me Zotin dhe Atdheun!