Gjashtë kushtet e Kurtit për marrëveshjen Kosovë-Serbi
Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, me një postim në Tëitter, ka publikuar gjashtë pika, sa i përket Asociacionit si edhe propozimit evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Sipas Zulfajt, kryeministri Kurti konsideron se propozimi evropian, i njohur si plani franko-gjerman është “bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme”.
Ai ka thënë se Kurti është i gatshëm të angazhohet intensivisht për një finalizim të marrëveshjes, duke shtuar se thirrjet e kryeministrit ndaj të emëruarit të posaçëm të BE-së për dialogun,Miroslav Lajçak, është për organizimin e takimeve të rregullta.
Zulfaj rikujton se -“njohja reciproke në qendër të marrëveshjes”- nuk ka lëvizur si kërkesë e Qeverisë për ta përfshirë në një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa u përket gjashtë kushteve të kryeministrit, këshilltari Zulfaj në këtë postim shkruan se i pari është që- “Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.
Kushti i dytë i kryeministrit Kurti është që –“Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale”.
Kushti i tretë është që – “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.
Kushti i katërt i Kryeministrit është që- “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.
Kurse kushti i pestë është që -“Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës”.
Ndërsa kushti i fundit është që- “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”.
Average Rating