Jeffrey Hovenier: Të nisin negociatat për Asociacionin, mos të vazhdohet me gjoba
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Duhet të ketë një propozim për Asociacionin në tryezë”, tha Hovenier në një takim me gazetarët në Prishtinë.
Ai, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Për më tepër, tha ai, Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë me gjobitjen e shoferëve që vozisin makina me targa të tilla.
Hovenier tha se e ka kërkuar një gjë të tillë direkt nga Qeveria.
I pyetur nëse ajo u është përgjigjur kërkesave të tij, Hovenier tha:
“Mendoj se ju e dini, ashtu sikurse unë, se si po u përgjigjet Qeveria kërkesave aktualisht. Por, unë jam diplomat, dhe kjo do të thotë se unë gjithmonë kërkoj rrugë pozitive përpara. Më duhet të besoj se mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara, që është në interes të të gjithëve dhe në interes të paqes dhe sigurisë”.
Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.
Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.
Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.
Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.
“Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri”, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”, tha ambasadori Hovenier.
I pyetur të komentojë shkrimet e disa mediave se ministres së Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, i është refuzuar viza për një vizitë zyrtare në SHBA, Hovenier tha se “nuk sheh ndonjë rrethanë” për diçka të tillë.
Megjithatë, shtoi ai, Kosova tani “është në krizë”.
“Jemi shumë të fokusuar në këtë krizë. Ne besojmë se kjo qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë. Dhe kështu, kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në SHBA për takime zyrtare, marrë parasysh krizat që duhet të trajtohen këtu. Këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në Qeveri”, tha Hovenier.
Ambasadori amerikan, gjithashtu, tha se Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me komunitetin serb, duke shfaqur shpresën se përfaqësuesit e tij do të kthehen në institucionet e Kosovës. “Shpresojmë që kjo gjë të jetë e përkohshme”, tha Hovenier duke komentuar dorëheqjet e serbëve.
“Ne besojmë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale”, shtoi ai.
Average Rating