Josep Borrell: Kosova dhe Serbia të fillojnë zbatimin e marrëveshjes në bazë të propozimit tonë

Read Time:3 Minute, 26 Second

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia duhet që “pa vonesa” të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve, bazuar në propozimin e BE-së.

Borrell tha se kërkohet që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në zbatimin e asaj që ranë dakord gjatë këtij viti.

“Të dyja palët ranë dakord për këtë rrugë drejt normalizimit më herët këtë vit. Kjo është diçka e detyrueshme për ta dhe kërkohet nga palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në këtë zbatim. Dhe shpresoj që së shpejti të nxjerrim një deklaratë me konsideratat e ministrave për këtë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Çfarë duam ne? Çfarë kërkojmë ne? Është që të fillohet zbatimi në bazë të propozimit tonë pa vonesa të mëtejshme, dhe kjo përfshin detyrimin e të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e kaluara të dialogut”, tha Borrell.

Ai foli në një konferencë për media pas takimit jo formal të zhvilluar në Nju Jork me ministrat e Jashtëm të BE-së.

Ai deklaroi se i ka informuar ministrat për raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi, të mbajtur më 14 shtator në Bruksel.

“I informova ministrat për takimin e fundit të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin e prita javën e kaluar. Ministrat shprehën mbështetje të fortë për Përfaqësuesin e Lartë për lehtësimin e dialogut dhe për Përfaqësuesin Special, Miroslav Lajçak. Shprehën shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Normalizimi është një proces, është një rrugë, dhe është zbatim”, tha ai.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazike në Bruksel dhe më vonë për Aneksin e zbatimit të saj, në Ohër.

Por raundi i fundit i dialogut në Bruksel, i zhvilluar më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Pas këtij takimi, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara ndërsa ky i fundit tha se kishte paraqitur një plan për zbatimin e marrëveshjes por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.

Kurti gjithashtu akuzoi emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, për pozicionim kundër Kosovës.

BE-ja i quan “pretendime të pabaza” akuzat e Kurtit për Lajçakun

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka quajtur pretendime të pabaza deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ishte në sinkron me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në takimin e 14 shtatorit në Bruksel.

“Nuk mund t’i komentojmë komentet e kryeministrit Kurti, sidomos kur janë pretendime të pabaza”, ka thënë ai.

Ai në një konferencë për media ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian ua kanë bërë të qartë Kosovës dhe Serbisë se duhet të vazhdojnë t’i përmbushin obligimet e marra nga dialogu, sa më shpejt që është e mundshme dhe pa parakushte.

Stano ka thënë se shtetet e BE-së e kanë përsëritur shumë qartë se e mbështesin emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi.

“Ata e mbështesin që ai ta ndihmojë Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kjo deklaratë është e mbështetur nga 27 vende të Bashkimit Evropian. 27 vendet e BE-së kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që t’i përmbushin obligimet e tyre pa asnjë vonesë. Gjithashtu ua kujtojnë palëve për principin e konfidencialitetit në dialog. Kjo është shprehur shumë qartë për të dyja vendet”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që puna për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të nisë pa ndonjë shtyrje të mëtejmë apo parakushte.

Nëpërmjet një komunikate për media të publikuar të martën në mëngjes, Bashkimi Evropian përmes përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, ka thënë se është e shqetësuar për mungesën e zbatimit të zotimeve të arritura në Marrëveshjen për normalizim dhe Aneksin e Zbatimit, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më herët sivjet. BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Vuçiqi -“Jetojmë në shumë shtete, por jemi serbë”, Kamberi-Vuçiqit: Edhe ne jetojmë në 5 shtete, por jemi shqiptarë
Next post Mbretëria e Bashkuar i bashkohet thirrjes së BE-së: Të fillojë pa vonesë puna për Asociacionin