Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Situata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është kritike
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i është drejtuar kryetarëve të Komisionit Amerikan të Helsinkit, me një letër në të cilën vlerësojnë se situata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është kritike.
“Dëshiroj ta filloj këtë letër duke ju cituar me respekt se: “Mbrojtja që u bëhet demokracive, të cilat jetojnë sipas shtetit të së drejtës përballë regjimeve autoritare, që jetojnë nën sundimin e armës ilustron qëllimin e Komisionit të Helsinkit dhe punën që po bëhet për të mbështetur këtë objektiv në nivel global. Komisioni ka bashkuar gjithmonë republikanët dhe demokratët në një mënyrë të pashembullt pasi ka mbrojtur disa nga çështjet më të rëndësishme globale duke nisur që nga Lufta e Ftohtë dhe më gjerë””, thuhet letrën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH).
Sipas KASH-it, një spastrim etnik modern me të drejtë quhet pasivizimi i adresave, i cili realizohet me ligj dhe që u mundëson autoriteteve shtetërore serbe të çregjistrojnë nga regjistri civil banorët e Luginës, të cilët në një kohë të caktuar nuk gjenden në shtëpitë e tyre.
“Procesi i verifikimit është i njëanshëm dhe diskriminues, ndërsa vetë zbatimi i ligjit është jashtëzakonisht diskriminues i kryer vetëm në dëm të pakicës shqiptare në Serbi. Pasivizimi i adresave ka pasoja direkte negative për përditshmërinë e shqiptarëve. Më tej, ai sjell shpopullimin e Luginës nga shqiptarët dhe heqjen e të drejtës së votës. Janë mijëra shqiptarë të Luginës, të cilëve tashmë e drejta e votës dhe e qëndrimit iu janë hequr nga regjistrat shtetërorë civilë të Serbisë”, thuhet në letër.
Sipas KASH-it, të gjitha sa më sipër kanë çuar në një spastrim etnik modern, diskriminim etnik dhe dhunë, veçanërisht ndaj minoritetit shqiptar që jeton në trojet e veta, të paprecedentë edhe për vetë Serbinë, siç dëshmohet nga raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe në raportet dhe studimet e Komitetit të Helsinkit të Serbisë.
“Qëllimi është largimi i popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike në këtë zonë. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të përgatisë dhe dërgojë letra, bazuar në gjetjet e tij nga vizita në terren, edhe organizatave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare, me qëllim ushtrimin e presionit për të siguruar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi”, thuhet në letrën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), kryetar i së cilit është Besnik Mustafaj, njëherit ish-ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë.
Average Rating