Mjeshtri i shpifografisë, Profesor Pirro Prifti 

Read Time:29 Minute, 21 Second

Nga Prof. Eshref Ymeri

Gjatë shtegtimit nëpër faqet e internetit, për herë të parë hasa fare rastësisht në Portalin “Zemër Shqiptare” të datës 21 shtator 2022, ku lexova reagimin e Profesor Pirro Priftit, me titull “Një kujtesë për ateistin komunist Eshref Ymeri”, ndaj artikullit tim “Shakaja serioze e Pirro Priftit”, të botuar po në këtë Portal më 16 shtator 2022. 

Reagimi i Profesor Pirro Priftit përbën një arsenal të tërë shpifjesh në adresën time, të cilat nuk e nderojnë si intelektual, si mjek e aq më tepër edhe me titullin profesor. Nuk e di nëse këtë arsenal shpifjesh ia ka bërë të ditur ose jo bashkëshortes së nderuar dhe fëmijëve të tij të dashur, ashtu sikurse nuk jam i sigurt nëse do t’ua japë për të lexuar edhe këtë Esenë time antishpifografike apo jo. Nuk e besoj se do t’ua japë. Sepse Profesori Pirro Prifti nuk është burrë me rr të fortë, ai është thjesht bur. Për arsye se ata që janë burra me rr të fortë nuk e njohin absolutisht zejen e shpifografisë.

Ai shkruan:

I. “Eshrefi ka harruar se nga ka ardhur”.

Jo, ore Profesor i shpifografisë, nuk kam harruar absolutisht se nga kam ardhur. E kam shumë për nder që, siç ia kam bërë të ditur edhe n\ëntë vjet më parë, prejardhjen e kam nga Smokthina e Vlorës, nga fshati Mesaplik, një zonë me tradita atdhetarie. Jam i biri i Hasan Ymerit (1890-1970), veteran i Luftës së Vlorës, i dekoruar në vitin 1965 me Medaljen “Për veprimtari patriotike”. Gjyshja e tij, Kale Hodja, ka qenë e bija e Hodo Ali Nivicës, bashkëluftëtar i Zenel Gjolekës dhe i Tafil Buzit në kryengritjen antiosmane të mesit të shek. XIX. Stërgjyshërit e Babait tim, vëllezërit Lulo dhe Mukë Bajrami, kanë qenë bashkëluftëtar të Bilbilenjve të famshëm të Progonatit të Kurveleshit dhe, bashkë me ta, me urdhër të valiut të Janinës, janë varur në Rrapin e Janinës. Rapsodi smokthinjot, Xhevit Zeneli, ka botuar një libër, kushtuar trimave smokthinjotë. Në atë libër janë edhe vargjet:

Lulua me Mukë Bajramë

Gji në gji e dhanë xhanë.

Unë vij, gjithashtu, edhe nga koha e diktaturës së egër komuniste, që vendosi në vendin tonë kryekrimineli Enver Hoxha, njeriu askush, pa kulturë universitare. Pikërisht një nofkë të tillë i pati vënë Mustafa Kaçaçi në Konferencën e Labinotit të marsit 1943, ku i qe drejtuar publikisht me shprehjen: 

“Ti Enver ke qenë askushi”. 

Kurse Mustafa Gjinishi, po në atë konferencë, duke iu drejtuar me gishtin tregues, i tha:

“Ti Enver je një tradhtar”.

Duke qenë askushi, kryetradhtari i vendit tonë Enver Hoxha, si kryeargat i serbosllavizmit, pasi hodhi në dorë të gjitha pushtetet me patericën e Beogradit pas 28 nëntorit të vitit 1944, për shkak të kompleksit të tmerrshëm të inferioritetit, shfarosi tërë elitën intelektuale që kishte studiuar në universitetet perëndimore. Po përmend si shembull njërin nga përfaqësuesit e asaj elite të shquar – Ibrahim Biçaku. Ai i kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë, por kryekrimineli Enver Hoxha e shndërroi në pastrues të banjave të Elbasanit. 

II. Duke m’u drejtuar mua, Profesor Pirro Prifti deklaron se unë paskam luajtur “me dy porta njëherësh, duke bërë gola në kohën e diktaturës, dhe në demokraci…”.

Kjo është një shpifje e kulluar. Të nxjerrësh nga pena kësisoj fjalësh, duhet të nisesh nga fakte konkrete. Se vetëm faktet, vetëm e vërteta janë dhe duhet të jenë yll karvani për një intelektual me dinjitet dhe me personalitet shembullor. Gjatë diktaturës unë s’kam botuar në shtyp as edhe një rresht të vetëm për t’iu servilosur diktaturës apo kryediktatorit. Me këto fjalë, Profesori Pirro Prifti mua nuk më rëndon, vetëm më revolton. 

Po ashtu, pas diktaturës, në të ashtuquajturën demokraci, së cilës, unë, i vetmi, në disa analiza të mia, i kam vënë nofkën “demoshëmti”, nuk i jam drejtuar askujt me elozhe ose lëvdata. Jam shprehur mirë për Prof.dr. Berishën, sepse është i vetmi nga politikanët që ka mbrojtur dhe vazhdon të mbrojë Kosovën dhe ka denoncuar marrëveshjen e fshehtë të Ramës me Vuçiçin në Nish për copëtimin e Kosovës. Për atë marrëveshje Profesori Pirro Prifti është patjetër në dijeni, se e ka denoncuar edhe Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko. 

III. Profesor Pirro Prifti shpif kundër meje, kur më përfshin në atë listën prej 120 mijë bashkëpunëtorësh të sigurimit, të larguar “nga sytë këmbët nga Shqipëria, që të mos i zërë mallkimi i popullit për zullumet që kishin bërë”. Ky Profesori Pirro Prifti pse nuk flet me fakte konkrete se kur “qenkam larguar nga sytë këmbët për të mos më zënë mallkimi i popullit”, pse nuk shprehet hapur, po me fakte konkrete, se çfarë “zullumesh i paskam bërë” popullit tim, cili popull “më paskej mallkuar” dhe për cilat “zullume”?. 

Unë nuk kam bërë kurrfarë zullumesh kundër popullit tim, sepse jam bir, nip dhe stërnip patriotësh, siç e përmenda më lart. Po ashtu, daja im, Selim Tahiri, dhe xhaxhai im, Baxhul Ymeri, janë dëshmorë të luftës dhe eshtrat e tyre prehen në varrezën e dëshmorëve në Vlorë. Unë nuk jam larguar nga atdheu im nga sytë këmbët, siç shpif Profesor Pirro Prifti. Në fillim të viteve ’90, kur u pa që “veprat” e përkthyera të kryediktatorit, si edhe ato që qenë botuar në gjuhën shqipe në 71 vëllime, do të përfundonin në karton apo në pirgun e mbeturinave, Rektori i Universitetit të Tiranës, Akademik Prof.dr. Et’hem Lika, më 01 janar 1992, më riktheu në detyrën e pedagogut në fakultet, për çka i kam qenë dhe i jam shumë mirënjohës sa të jem gjallë. Aty vazhdova punën, derisa dola në pension më 01 shtator 2003. Edhe pas daljes në pension, nuk u largova nga atdheu “nga sytë këmbët”, siç shpif Profesor Pirro Prifti. Këtu në Amerikë kam ardhur te fëmijët pasi dola në pension, pra, në vitin 2003. Që asokohe kam ardhur disa herë këtu në Amerikë dhe përsëri jam kthyer në atdhe. Herën e fundit kam qenë në Tiranë në periudhën maj-qershor 2021.

IV. Profesor Pirro Prifti përsëri shpif kur shkruan;

“… edhe z. Eshref e ktheu shpejt timonin dhe me ndihmën po të atyre njerzve, doli si bukinist i madh, përkthyes i madh nga rusishtja, dhe filloi të shajë Rusinë (Serbinë e gjithë lindjen) pikërisht aty ku dhe studjoi në Rusi”.

Unë nuk kam kthyer kurrfarë timoni. Se nuk e kam pasur kurrë në edukatën prindërore dhe në karakterin tim ta kthej gunën nga fryn era. Profesori Pirro Prifti shpif pa iu skuqur faqja se nuk i vjen aspak turp nga vetja për gënjeshtrat me bisht që hedh në qarkullim. Sigurisht që shpif, sepse fakte konkrete nuk ka për të përmendur ata njerëzit që “më paskan ndihmuar” të bëhem “bukinist i madh, përkthyes i madh nga rusishtja…”.

Unë rrugën e jetës e kam çarë vetëm me aftësitë e mia, se prindërit e mi nuk kanë pasur kurrë ndonjë mik me pozitë të lartë. Dhe po të kishin pasur, ata kurrë nuk do t’ia lejonin vetes të ndërhynin, se më patën edukuar që rrugët e jetës t’i çajë vetëm me shpatullat dhe me aftësitë e mia.

Timonin e ka kther vetë Profesori Pirro Prifti, i cili, si ortodoks, bashkë me grigjën e tij ortodokse, braktisi Kishën e Nderuar Ortodokse Shqiptare Fanoliane dhe përqafoi filialin e kishës ortodokse greke, me në krye Janullatosin. Pra, Profesor Pirro Prifti ka shkelur mbi Amanetin e Nolit të Madh për mbrojtjen e Kishës Sonë Ordodokse nga kisha greke, tradicionalisht armiqësore ndaj kombit shqiptar, nga kisha e djall Kozmait, i cili, me fermanin e sulltanit të errësirës otomane në xhep, bridhte nëpër trojet tona etnike, duke mallkuar gjuhën tonë, Shqipen tonë Hyjnore. Profesor Pirro Prifti ka fyer rëndë veprën e pasardhësve të Nolit, si Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi, ka shkelur mbi gjakun e martirëve të Ortodoksisë Sonë, si Atë Stath Melani, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi dhe të tjerë.

Ky Profesor Pirro Prifti a e di kuptimin e fjalës bukinist, të cilën e ka futur këtu fare kuturu? Meqenëse ai nuk i paska dijet e duhura në kulturën gjuhësore, po e sqaroj se ç’do të thotë kjo fjalë.

Kjo fjalë ka dy kuptime. Në kuptimin e parë përdoret si term historik dhe do të thotë: tregtar që merret me blerjen dhe me shitjen e librave të përdorur, të rrallë dhe të vjetër.

Në kuptimin e dytë përdoret si term në tregti dhe do të thotë: shitës librash.

Atëherë ç’lidhje ka kjo fjalë me mua, sipas mendjes së Profesor Pirro Priftit?

Profesorit Pirro Prifti i dhembka shpirti që unë kam demaskuar politikën shoviniste të Rusisë dhe të Serbisë kundër kombit tonë.

Pra, ja ku fleka lepuri: Profesor Pirro Prifti qenka simpatizant i Rusisë dhe i Serbisë dhe prandaj shprehet me kaq qejfmbetje ndaj meje. Këtu lindin dy pyetje:

E para: Profesor Pirro Prifti nuk e paska ditur dhe nuk e ditka ende që Rusia dhe Serbia kanë qenë dhe mbeten armiq tradicionalë të kombit shqiptar? Kam parasysh politikën e këtyre dy shteteve në raport me kombin shqiptar.

E dyta: Ku e paska burimin dhe si shpjegohet kjo simpatia e tij për Rusinë dhe për Serbinë? Se simpatia për Rusinë dhe për Serbinë s’është gjë tjetër, veçse tradhti. E kam ditur me kohë që Profesor Pirro Prifti ka rënë në batakun e servilizmit dhe të shpifografisë, por tani, me simpatinë e tij për Rusinë dhe për Serbinë, e vërtetuaka vetë që qenka rrokullisur edhe në batakun e tradhtisë.

Prandaj Profesori Pirro Prifti s’ka reaguar kurrë ndonjëherë ndaj thirrjeve fashiste të tifozëve të tërbuar serbë nëpër shkallët e stadiumeve: “Vrite, digje, there shqiptarin, shqiptari i mirë është shqiptar i vdekur”! 

Profesori Pirro Prifti nuk pati reaguar absolutisht edhe ndaj thirrjve të ushtarëve fashistë grekë në paradën festive të Greqisë, të cilët ulërinin me zë të lartë: 

“Me zorrët e shqiptarëve do të bëjmë lidhëse këpucësh!”.

Asokohe patën reaguar intelektualë me vetëdije të lartë kombëtare, midis tyre edhe unë. Reagoi asokohe edhe i ndjeri poet i talentuar Arben Duka, me poemën Grek o grek…!”, nga e cila më janë ngulitu në kujtesë vargjet:

“… dhe i donin zorrët tona / për oshkure per nallona / pse kështu, o cipeplasur, / shume urrejtje paski pasur”. 

Unë kam dërguar për botim një libër me më shumë se 400 faqe, me titull “Shqiptarët përballë politikës rusomadhe”. Atje kam përfshirë analiza, në të cilat, mbështetur në fakte konkrete, kam nxjerrë në pah politikën e hershme të Rusisë kundër kombit shqiptar, që prej Kongresit të Berlinit (1878) deri në ditët tona. Një pjesë të analizave ua kam kushtuar edhe ngjarjeve pas sulmit të ushtrisë fashiste ruse kundër Ukrainës. 

Për Serbinë kam botuar disa analiza për politikën e saj antishqiptare. Por Profesorit Pirro Prifti nuk i paska lënë kurrfarë mbresash fakti që historiani i njohur, Profesor Hakif Bajrami, citon priftin serb Nikollaj Velmiroviç, i cili, në vitin 1942, ka deklaruar: 

“Atë që po bën sot Hitleri kundër hebrenjve, atë e ka bërë Shën Sava (1169-1236) në mesjetë kundër arbanasëve, që nuk donin të konvertohen në sllavë” (Citohet sipas: “Pse Serbia sot është në ofensivë defaktorizuese ndaj Republikës së Kosovës”. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 dhjetor 2020).

Profesorit Pirro Prifti nuk i paskan bërë kurrfarë përshtypjesh faktet tronditëse që renditen në materialin me titull “Vrasja e 500 mijë shqiptarëve nga serbët, si u gjet libri i austriakut, botuar më 1913”. Faqja e internetit “alpeneës”. 19 mars 2018.

Profesorit Pirro Prifti nuk i ka ngjallur asnjë emocion masakra e Tivarit, ashtu si nuk i paskan bërë përshtypje fare krimet e bishës fashiste serbe gjatë viteve 1990-1999.

Pra, me simpatinë e vet të ndezuar për Rusinë dhe për Serbinë, Profesor Pirro Prifti ndjek traditën e majtizmit shqiptar, të përfaqësuar nga partia komuniste, e cila, si puna e asaj femrës së përdalë që kalon nga njëri dashnor te tjetri, e ndërroi emrin nga komuniste, në të pu(dhu)nës dhe mandej në socialiste. Prandaj me simpatinë për Serbinë, Profesor Pirro Prifti ndjek me zell porosinë e “themeluesit” të asaj partie, kryeargatit të Beogradit Enver Hoxha, i cili ka deklaruar: 

“…Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshalit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia. Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tone.., do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë.” (Citohet sipas: “Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV të rinisë popullore”. Gazeta “Bashkimi”, 22 gusht 1947).

Enver Hoxhës, të verbuar nga tradhtia, si kryeargat dhe kryeservil i Beogradit, nuk i ngjallnin kurrfarë emocionesh tronditëse krimet barbare të serbosllavëve në mesjetë dhe në vitet 1912-1913. Ai anashkalonte paturpësisht masakrën e Tivarit, sepse vetë, si kryekriminel i lindur, ka bashkëpunuar me serbosllavizmin e Titos për kryerjen e asaj masakre të përbindshme

V. Profesor Pirro Prifti thotë se kam shkruar tre libra. Pra. sipas këtij Profesori të shpifografisë, unë “vetëm këto tre libra paskam” në iventarin e punës sime mbi 50-vjeçare!!!

VI. Profesori Pirro Prifti, duke vazhduar serinë, e shpifografisë, shkruan:

“…ajo që e dëmtoi më shumë pensionistin Eshref ishte ndrrimi i sistemeve, sepse i u çorientua busulla që i tregonte drejtësinë e fjalës së partisë dhe të shokut Enver që e deshte dhe aq shumë…”.

Me këto fjalë shpifëse, intelektuali Profesor Pirro Prifti a është vallë i vetëdijshëm që ka zbritur në nivelin e bërllokut, e vulgut të shoqërisë? Me çfarë e vërteton ai “dashurinë” time për krykriminelin Enver Hoxha dhe për partinë e tij kriminale, e cila e përçau dhe e varfëroi rëndë popullin tonë përmes përbindëshit të luftës së klasave?

Për dijeninë e lexuesve të nderuar me vetëdije të lartë kombëtare, urrejtjen në heshtje kundër partisë dhe kryekriminelit të saj Enver Hoxha, mua ma pati futur në gjak Babai im i nderuar që në vitin 1948, kur isha 10 vjeç. Ja se si:

Vëllai im i madh, Sefua, atë vit kishte mbushur 21 vjeç dhe, ashtu si të rinj të tjerë, iu përgjigj thirrjes për të shkuar vullnetar për gjashtë muaj në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë dhe Peqin-Elbasan. Kur u kthye pas gjashtë muajsh, prindërit u gëzuan shumë dhe nëna na shtroi një darkë të mirë. Kur ishim duke ngrënë, Babai dhe Selfua pinë edhe nga një gotë raki. Kur Babai ngriti gotën për t’i uruar mirëseardhjen, Selfua i tha:

“Baba! Në hekurudhë unë hyra në parti”.

Babai uli gotën, nënqeshi me ironi dhe, paksa fytyrëvrenjtur, iu drejtua vëllait:

“Po ç’t’u desh, more bir, që paske hedhur një litar në fyt?”.

Që gjatë viteve të luftës, Babai, në heshje, kish filluar t’i urrente komunistët në Smokthinë, sepse kishte krijuar bindjen që ata ishin kriminelë, se vrisnin njerëz të pafajshëm, siç kishin vrarë babain e shokut tim Agron Deliaj, me të cilin kemi qenë shok në një klasë gjatë viteve të gjimnazit (1955-1959). Komunistët kishin vrarë baxhanakun e Babait tim, Murat Hasimin, i cili nuk kishte shkelur as mizën me këmbë. E vranë nga smira, nga zilia, se Murati kishte një dyqan fare të vogël në Vlorë, ku kishte punësuar një varfanjak. Meqenëse Murati vishej me kostum dhe këmishën e mbante me kravatë, meqenëse kishte sjellë nga Vlora një gramafon dhe në familjen e tij ushtonte muzika, një komunist që banote në një kodër, përballë shtëpisë së Muratit, sa herë dëgjonte tingujt e muzikës, shpërthente nga inati: në shtëpinë e Muratit filloi kuja. Një ditë të bukur, njësiti gueril e arrestoi, e çoi diku lart, në rrëzë të malit të Çipinit, dhe e pushkatoi, kur ai të shoqen, tezen time, e kishte shtatzanë, ishte fëmija i parë. E shkreta teze, e tronditur rëndë nga vrasja e të shoqit, lindi vajzë para kohe, por ndërroi jetë në lindje e sipër. Vajzën jetime ia rritën prindërit dhe dajat

Në vitin 1956 kishte filluar fushata për kolektivizimin e Bujqësisë. Një ditë, në verë, kur po hanim drekë, Babai tha:

“Këta komunistët qenkan të bijtë e djallit, duan të na marrin tokat dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit”.

Pra, Eshrefi nuk është nga ata, të cilit, siç shpif Profesori Pirro Prifti, “iu çorientua busulla që i tregonte drejtësinë e fjalës së partisë dhe të shokut Enver që e deshte dhe aq shumë…”.

Ata që kishin për busull “drejtësinë e fjalës së partisë dhe të shokut Enver, që e deshën aq shumë”, Profesori Pirro Prifti të mos i kërkojë tek unë, se s’ka ç’gjen, por le t’i kërkojë mes atyre që i kanë bërë hosana publike kryekriminelit Enver Hoxha, si Ismail Kadare, sipas të cilit, “kur flet Enveri, retë shmangen me nderim”, ose si i ndjeri Dritëro, që shkroi vargjet “Nexhmije Hoxha, dibrania guximtare, / Erdhi si Shqiponjë në Konferencën e Partisë, / Do të luftonte tërë jetën krenare, / Përkrah “Shpatit”, viganit të Shqipërisë!”, apo poemën”Elegji për Enver Hoxhën”, ndërkohë që populli i varfër i qyteteve tona dergjej në radhë para shitoreve të bulmetit që në orën 12:00 të natës për një pako gjalpë apo për një shishe qumësht. 

VII. Profesor Pirro Prifti lëshon kundër meje shpifjen më monstruoze, nga ato më të përbindshmet që mund të shpikë mendja e një të lajthituri, çka nuk duhej ta shpikte mendja e një intelektuali me titullin Profesor. 

“… pensionisti Eshref ishte një anëtar i denjë i PPSH”.

Po unë s’kam qenë ndonjëherë komunist! Këtë shpifje të ulët, Profesori Pirro Prifti e pati bërë publike edhe 11 vjet më parë, në Portalin “Tribuna Shqiptare” të datës 12 gusht 2012, ku më quante “komunist”. 

Më 08 gusht 2012, në Portalin “Tribuna Shqiptare” të moderatorit të nderuar, zotërisë Ajet Nuro, ishte botuar analiza ime me titull “Historiani grek Nikolas Stavros:“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX””. Këtë deklaratë e ka bërë në librin e vet, me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj”.

Katër ditë më vonë, më 12 gusht, vjen reagimi i profesorit të shpifografisë Pirro Prifti, i cili më sulmonte egërsisht dhe më vinte nofkën “komunist”. Dhe unë ia dhashë përgjigjen që meritonte, duke demaskuar shpifjen e tij. 

Pra, ndërkohë që historiani grek Nikolas Stavros ka deklaruar publikisht se kisha ortodokse shqiptare ka kaluar në pronësi të shtetit grek, Profesori Pirro Prifti, në shpifografinë e vet kundër meje, e mbështeste historianin grek dhe më sulej mua me fjalët: Eshrefi “derdh lot krokodili për KOASH-in tonë”, duke u tallur edhe me lexuesit, kur dihej që kisha ortodokse nuk mund të quhej më KOASH, se ajo tashmë ishte në pronësi të shtetit grek dhe të kryekomisares së tij, kishës ortodokse greke. Me deklaratën e vet, historiani grek nënvizonte një fakt konkret, që buronte jo nga mendja e tij, por nga qeveria greke dhe kisha greke. Aq më tepër që shqiptaro-amerikani, Gary Kokalari, shumë vite më parë, pati deklaruar: “Janullatosi është kolonel i shërbimit sekret grek (Gazeta “Shekulli”, 06 qershor 2006). Dhe nënkuptohet që një kolonel grek, i fshehur pas veladonit të priftit, nuk mund të jetë kurrësesi kryepeshkop i kishës ortodokse fanoliane. 

Pas sulmit që Profesori Pirro Prifti kishte ndërmarrë kundër meje asokohe, unë pata menduar gabimisht se ai qenkej thjesht një simpatizant i Janullatosit. Por në njërën prej faqeve të internetit, të cilën nuk e kisha pikasur më parë, lexova informacionin në vijim, të botuar nëntë vjet më parë. Aty thuhej:

“Kam përcjellë qe disa vite shkrimet e Pirro Priftit dhe kam arritë me kuptue se ky njeri asht sherbëtorë i qarqeve antishqiptare të politikave greke…” (Citohet sipas: Selim Nëngurra. “Pirro Prifti, krahu i djathtë i Janullatosit të Greqisë”. Faqja e internetit “Zemra Shqiptare”. 31 tetor 2014).

Pra, Profesor Pirro Prifti nuk qenka thjesht simpatizant i Janullatosit, ai qenka kryekomisar i tij, domethënë, atij duhet t’i jetë ngarkuar një detyrë me rëndësi në rrjetin agjenturor grek, kundër interesave kombëtare të vendit tonë. E falënderoj zotin Selim që më zbuloi të vërtetën. 

Kështu, është e dyta herë që Profesori i shpifografisë Pirro Prifti më prezanton publikisht sikur kam qenë komunist. 

Dikur m’u bë presion të bëhesha komunist, por nuk pranova dhe e pagova shtrenjtë me një vit e gjysmë pa punë. 

Kur mbarova Fakultetin në vitin 1966, si studenti më i mirë në mësime, shefja e katedrës, e ndjera Vitore Ballvora, docente, Profesoresha ime shumë e nderuar, meqenëse ushqente respekt për mua, i kërkoi dekanatit të fakultetit dhe rektoratit të universitetit që të më emëronin pedagog. Ata pranuan. Fillova punë më 01 shtator 1966. Në katedër kisha kolege një komuniste, e cila vëllain e kishte me pozitë në parti. Gjatë një viti të tërë, ajo më kërkoi të bëja dokumentet për të hyrë në parti. Kërkesa e saj nuk kishte të bënte me simpatinë për mua, ajo thjesht donte të më kishte në organizatën e partisë në anën e klanit të saj, se ajo biçim organizate ishte e ndarë në klane. Unë nuk pranova, për arsyet që shpjegova më lart. Kërkesa e saj e vazhdueshme erdhi e u kthye në presion. U vura në pozitë të vështirë dhe, duke iu druajtur ndonjë pasoje të paparashikuar, vendosa të plotësoja anketën e pranimit, e cila kishte përmasat e katër faqeve të gazetës “Zëri i popullit”. Pasi e plotësova, ia dorëzova sekretarit të organizatës. Ai e futi në kasafortë. Sipas rregullit të brendshëm të asaj partie, anketa nuk mund të më jepej më. Pas dy ditësh, u pendova, se kujtova fjalët e Babait. Shkova te sekretari i organizatës dhe iu luta të ma kthente se doja t’ia jepja edhe motrës për ta pasur si model për plotësimin e anketës së saj (sigurisht që e mashtrova). Ai u zu shumë ngushtë, megjithatë ma dha. E mora dhe kur shkova në shtëpi, e dogja në sobë. Kolegia komuniste u bë bishë. Një mbrëmje ajo shkon tek i vëllai dhe i thotë:

“Në universitet kemi pedagogë që nuk duan të hyjnë në parti”.

Ishte shtatori i vitit 1976. Kishte filluar fushata për zgjedhjet në organizatat dhe komitetet e partisë. I vëllai i koleges vjen i deleguar në komitetin e partisë të universitetit. Pas përfundimit të zgjedhjeve, ai merr fjalën dhe, ndër të tjera, thotë:

“Kemi të dhëna se në universitet paska pedagogë që s’duan të hyjnë në parti. A e meritojnë këta pedagogë të punojnë si edukatorë në universitet?”.

Gjatë vitit akademik 1976-1977, u përgatit në heshtje hakmarrja kundër meje.

Në një mbledhje kolektivi, pasi u fol për probleme të ndryshme të fakultetit, më sulmuan egërsisht. Në mbledhje kishin ftuar dhe një studentin tim, i cili shpifi, sikur sillesha shumë ashpër me studentët dhe i ngarkoja me shumë detyra. Sigurisht që e kishin yshtur paraprakisht kundër meje. Në diskutimin tim thashë:

“Nuk është e vërtetë që me studentët sillem ashpër, e vërteta është se me studentët jam i rreptë dhe u jap mjaft detyra mësimore, sepse dua që ata t’i ngre në nivelin tim. Se po të jem i butë, liberal, atëherë do të zbres unë në nivelin e tyre”.

Madje më sulmoi edhe një tjetër kolege e katedrës, e yshtur edhe ajo, me të cilën nuk kisha pasur kurrë fërkime. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi se kolegia komuniste, në bashkëpunim me dekanatin, organizatën e partisë dhe zëvendësrektoren e universitetit, e kishin kopsitur mirë hakmarrjen ndaj meje.

Më 20 gusht të vitit 1977, më thërret shefja e kuadrit të universitetit, e cila më dorëzoi vendimin, sipas të cilit isha transferuar në Kukës, me “justifikimin” se isha emëruar pedagog direkt nga bankat e fakultetit, pa punuar fillimisht në bazë. Unë shkova në Kukës, takova zëvendëskryetarin e komitetit ekzekutiv, zotërinë Jorgo Çollaku, i cili mbulonte sektorin e arsimit. Ai më priti shumë mirë, me mjaft edukatë intelektuale, prandaj e kujtoj me shumë respekt. I thashë se erdha për korrektesë, por në Kukës nuk mund të punoj se dimri është shumë i ftohtë, prandaj i theksova se do të kthehem në Tiranë për të ndërhyrë në institucionin përkatës për të më ritransferuar në ndonjë rreth në jug të vendit. Dhe u ktheva në Tiranë. Kërkova takim me sekretarin e parë të komitetit të partisë të Tiranës, Simon Stefanin. Më priti shumë vetullngrysur, pa lëvizur absolutisht nga kolltuku. Ndoshta e kishte zor të çohej, sepse tryeza i vinte deri në nivelin e mjekrës. Ai as që ia vuri veshin fare shqetësimit tim. U largova shumë i dëshpëruar, dhe, si kokëfortë që isha për qëndrimin e padrejtë që ishte mbajtur ndaj meje, vendosa të rri pa punë. 

Një vit më vonë, në shtator të vitit 1978, në Redaksinë e përkthimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 Nëntori” filloi puna intensive për përkthimin e disa “veprave” të Enver Hoxhës. Në sektorin e rusishtes të asaj Redaksie nuk mjaftonin përkthyesit. Përkthyesi dhe redaktori i atij sektori, i ndjeri Myfit Mushi, dikur përkthyes gojor mjaft i talentuar i Enver Hoxhës në Konferencën e partive komuniste në nëntor të vitit 1960 në Moskë, nguli këmbë deri te SevoTarifa në Institutin e Nexhmijes në komitetin qendror, që të më emëronin mua përkthyes në atë sektor. U kërkua dosja ime nga Kukësi. Por ngeci puna. Sepse hakmarrësit e fakultetit dhe të universitetit, në dosjen time paskeshin vënë një shënim, në të cilin qe shkruar që dosja të mos lëvizte kurrë nga Kukësi. U desh ndërhyrja e instruktorit të kuadrit në komitetin qendror, zotërisë Xhevdet Pata, për dërgimin e dosjes, e cila erdhi në zyrën e kuadrit të shtëpisë botuese. Por hakmarrësit ndaj meje në fakultet dhe në universitet s’lanë gur pa lëvizur. Ata nxitën dikë që drejtoria e shtëpisë botuese të mos më pranonte në punë. Megjithatë, edhe kjo hallkë hakmarrjeje u kapërcye me ndërhyrjen e Sevo Tarifës dhe unë fillova punë si përkthyes më 26 mars 1979, pas një viti e gjysmë pa punë.

VIII. Kur më bëri “komunist”, Profesori Pirro Prifti e përsosi edhe më tej mjeshtërinë e shpifografisë, duke thënë, se unë, si “komunist” i shpikur prej tij, “detyrat që më kishte vënë” partia, i paskam zbatuar “deri në një sidomos prishjen e kishave dhe xhamive në 1967”. Mirë do të ishte që Profesori Pirro Prifti të citonte ndonjë “thirrje” apo “ndonjë shkrim timin” për ato prishje, të përmendte ndonjë kishë apo ndonjë xhami, në themelet e të cilave unë “paskam vënë kazmën për t’i shkatërruar”. Sepse me “fakte konkrete” do ta pasuronte së tepërmi arsenalin e shpifografisë, në mënyrë që për lexuesin të bëhej “shumë më tepër i besueshëm”.

IX. Në vazhdim të epopesë’ së shpifografisë, Profesori Pirro Prifti del atje ku i dhemb më shumë:

“… z. Eshref nga ateist i përbetuar, filloi të besojë tek Zoti dhe për këtë goditjen e parë ja dha KOASH-it”.

Unë nuk kam qenë kurrë ateist, se prindërit i kam pasur mjaft besimtarë, të cilët, sa herë që uleshin të hanin, të shkonin të flinin apo sa herë që çoheshin nga gjumi, gjithmonë i faleshin Zotit. Të njëjtin ritual kam ndjekur dhe vazhdoj ta ndjek edhe unë.

Unë e kam theksuar me kohë, siç e përmenda edhe më lart, se ajo kishë, të cilën Profesori Pirro Prifti e quan KOASH (kisha ortodokse autoqefale shqiptare), nuk është kishë shqiptare, ajo kishë është FKOG (filial i kishës ortodokse greke), sepse kishë e pavarur shqiptare nuk ekziston më, përderisa në krye të saj është një kryepeshkop grek. Kishë shqiptare quhet vetëm KOPSHF (kisha ortodokse e pavarur shqiptare fanoliane). Por kjo kishë, po e përsëris,, nuk ekziston. I vetmi Nikoll Marku Elbasani dhe disa ortodoksë të tjerë të nderuar, mbrojnë kishën ortodokse fanoliane, mes të cilëve dallohet miku im, Petro Luarasi, i biri i Profesorit të Madh dhe Nacionalistit të Shquar Skënder Luarasi, nip i njërit nga Kryeheronjtë e Ortdoksisë Shqiptare, Petro Nini Lauarasi, të cilin, ashtu si Papa Kristo Negovanin dhe të tjerë Korifenj të Ortodoksisë Sonë të Nderuar, na e vranë paraardhësit e Janullatosit. Por Atë Nikoll Marku dhe përkrahësit e tij janë të braktisur krejtësisht nga shteti, i cili nuk e gëzon konkretisht statusin e shtetit të pavarur lidhur me kishën ortodokse, sepse ligjin e bën Janullatosi, guvernatori faktik grek në Shqipëri, prandaj edhe kryeministrin Rama, për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, e kemi të dekoruar me medaljen e lartë të kalorësit të helenizmit.

X. Profesori Pirro Prifti, deklaron:

“Ky Prof. Eshrefi… gjeti armikun që ka penguar Shqipërinë dhe në çdo rast sa herë që sheh shkrimet e mia nuk përton ti shajë (jo ti kritikojë, se kështu e kanë andej nga fshati)”.

Së pari, shkrimet e Profesorit Pirro prifti unë nuk i kam sharë, vetëm i kam demaskuar, sepse andej nga fshati dinë vetëm ta demaskojnë atë që gënjen, mashtron dhe shpif. Sigurisht, sepse andej nga fshati nuk ia kanë haberin mjeshtërisë së shpifografisë së atyre intelektualëve nga qyteti, të cilët i përkasin kallëpit të Profesorit shpifograf Pirro Prifti.

Së dyti, Profesori Pirro Prifti e ka fjalën për kryeagain e tij Rama, servilin e Vuçiçit, kriminelin e Kosovës, sepse Ramën e vlerëson lart, si kalorësin e helenizmit.

Unë për Ramën kam folur vetëm me gjuhën e fakteve, prandaj e kam quajtur kryetradhtar të kombit shqiptar, për çka mjafton vetëm takimi i tij i fshehtë me Vuçiçin në Nish për copëtimin e Kosovës.

Interesante! Po si është e mundur që këtij Profesorit Pirro Prifti nuk i paskan ngjallur asnjë shqetësim seritë e analizave të shkëlqyera të Profesorit mjaft të mirënjohur Enver Bytyçi, i cili i ka qarë ato “rezonancat magnetike” që i ka bërë Ramës? S’i kanë bërë përshtypje, sigurisht, se, për servilin, kryeagai i tij “nuk ka asnjë të metë, është qelibar”. Prandaj edhe ka shpalosur tërë arsenalin e shpifografisë kundër meje, se servilizmin e tij ndaj kryegait të tij Rama ia kam shprehur publikisht. Duke iu servilosur Ramës, kryetradhtarit të Kosovës, Profesori Pirro Prifti bën kauzë me të në tradhti.

Profesori Pirro Prifti është plotësisht solidar me Ramën, i cili ka hyrë në vitin e dhjetë që po i bën gjëmën shumicës dërrmuese të popullit tonë nëpërmjet diktaturës së varfërisë, mjeti më i përshtatshëm për shpopullimin e vendit, që është në përputhje të plotë me strategjinë serbogreke të vitit 1844. Dhe Rama, si argat i serbogrekëve, jo më kot është duke e vënë në zbatim këtë strategji të gjëmshme. Prandaj Profesorit Pirro Prifti i vjen shumë në osh strategjia e shpopullimit që po zbaton kryetradhtari Rama dhe domosdo që nuk mund t’i bëjnë kurrfarë përshtypjeje të vërtetat tragjike që shpalosen në analizën e Profesorit të nderuar Lush Susaj, i cili shkruan:

“Në Shqipëri, sistemi i korruptuar është ndërtuar dhe ushqyer për vite me radhë me anë të dhunës dhe imoralitetit shtetëror e politik. Tashmë grabitja është shfaqur në trajtën e korrupsionit elektoral, legjislativ dhe ekonomik, ku pjesa më e madhe e shoqërisë varfërohet, degradohet dhe dëbohet nga Shqipëria” (Citohet sipas: “Dëbora që ‘ngriu’ fasadën e rrugëve dhe përmbytjeve nga korrupsioni”. Faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 23 janar 2023).

Profesor Pirro Prifti nuk e njeh këtë realitet tragjik në vendin tone.. Sigurisht që s’mund ta njohë, se e ka verbuar servilizmi që ushqen ndaj kryeagait të tij Rama. 

Në bindjen e patundur të çdo qytetari, varfërimi i shumicës dërrmuese të popullit, është akti më i lartë i tradhtisë që kreu i qeverisë kryen ndaj tij.

XI. Në shpifografinë e vet, Profesori Pirro Prifti, jo pa nota ironie, përmend pleqërinë time. Unë dëshiroj që Profesor Pirro Prifti të mos ketë kurrë pleqëri, të rrojë sa Mathusaili i legjendës biblike, që ka jetuar deri në moshën 969 vjeç, në mënyrë që të jetë përherë, ashtu si deri tani, i fortë, plot shëndet, energjik, me aftësi krijuese shpifografike. Sepse shpifografia përbën një gjini të veçantë në letërsinë politike. Kjo lloj letërsie zë fill që nga kryekrimineli Enver Hoxha, i cili hodhi themelet e saj pas nëntorit të vitit 1944 dhe, në vazhdën e krimeve kundër elitave intelektuale, erdhi duke e pasuruar gjithnjë e më shumë gjatë një periudhe gjysmëshekullore, duke ia lënë në trashëgimi partisë së Ramës, për të cilin Profesori Pirro Prifti përgjërohet aq shumë.

Dëshiroj që Profesori Pirro Prifti të mos pësojë gjë në jetë, pas shpifografisë që ka bërë publike kundër meje. Por ka diçka që e vlen të theksohet: Hynia, me sa dihet nga përvoja jetësore, sikur i ndëshkon ata që bëjnë mëkate, sidomos ata që gënjejnë, mashtrojnë dhe shpifin. Ja, fjala vjen, ata katër veta që përmenda më lart, të cilët gjatë një viti menduan se si të më bënin gjëmën, Hyjnia i dënoi rëndë: dikush e mbylli jetën me një këmbë të prerë nga diabeti, një tjetër u largua për në atë botë me dy këmbë të prera nga diabeti, personi i tretë, një ditë të bukur, pati rrëshqitur në trotuar dhe qe rrëzuar në asfalt. Aty kaloi një veturë me shpejtësi dhe i shtypi pëllëmbën e dorës së djathtë, e cila i mbeti e paralizuar dhe nuk shkruante dot. Atij pesonit të katërt ia shkurtoi jetën kanceri. Dikë tjetër, jashtë fakultetit, që deshi të më groposte, Hyjnia e ndëshkoi shumë rëndë, çka nuk do t’ia dëshiroja as armikut më të rrezikshëm.

Profesori Pirro Prifti, si mjek me karrierë të gjatë, si njëri nga anëtarët me peshë të kopesë së servilëve, të cilët jargosen për Ramën nëpër studiot televizive, të ketë kujdes për kryeagain e tij, se mos i shpifet ndonjë shqetësim shëndetësor pas atij Skandalit McGonigal. Të ketë parasysh një gjë: Syrit të Hyjnisë nuk i shpëton asgjë, sepse Ajo e ka ndjekur me shumë vëmendje epopenë e bëmave të fshehta të Ramës për shpalljen “i padëshirueshën” në Amerikë të Prof.dr. Sali Berishës. Prandaj në Shqipen tonë Hyjnore, që së lashti, përdoret ajo fjala e urtë me kuptim të thellë filozofik: “Nuk mbetet hak pa larë!”.

Paskëtaj, në analizat e mia, Profesorit Pirro Prifti, sa herë të shpifë dhe të mashtrojë për shkak të servilizmit të tij ndaj kujtdo që mendon dhe punon kundër vendit tonë, si puna e kryetradhtarit Rama, do t’i drejtohem vetëm me shprehjen “Profesori i shpifografisë, Pirro Prifti”.

Mendoj se është grumbulluar mjaft material për veprimtarinë e Profesorit Pirro Prifti, si krahu i djathtë i Janullatosit, material që do të ishte mirë të përmblidhej në një libër për botim, me titullin “Profesori i shpifografisë”, sepse, sipas të gjitha gjasave, shpifografinë ai e ka në gjak. Si një intelektual me paha të madhe dhe me kulturë të gjerë në shumë fusha të dijes, Profesori Pirro Prifti, me sa duket, që kryeherazi, e paska bërë të vetën shprehjen e famshme “Shpif, shpif, se diçka do të mbetet”. Domosdo, se kur shpifjet vazhdojnë për një kohë të gjatë, diçka do të arrijë të lërë gjurmë, të merret si e vërtetë. Këtë shprehje, Profesori Pirro Prifti e ka skeduar nga latinishtja “calumniare fortiter, aliquid adhaerebit”. Aq më tepër, ajo i është ngulitur edhe mirë në kokë kur ka lexuar monologun e don Bazilios në komedinë “Le Barbier de Séville” (Berberi i Seviljes) (1775) të dramaturgut francez Bomarshe (Pierre-Augustin Caron de Beaumarchais – 1732 – 1799): “calomniez, calomniez, il en restera toujours quelque chose!”.

Pikërisht kjo shprehje do të ishte mirë ta përshkojë si një fill i kuq përmbajtjen e librit të lartpërmendur, kushtuar Profesorit të shpifografisë Pirro Prifti.

Kaliforni, 01 shkurt 2023

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post <strong>Xhafer Deva, Simbol i Nacionalizmit Shqiptar</strong>
Next post Xhudistja Distria Krasniqi i sjellë medaljen e artë Kosovës