Nesër seanca e Kuvendit, në rend dite edhe Ligji për Dhomat e Specializuara

Read Time:3 Minute, 30 Second

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të hënën, më 5 tetor 2026, seancë të jashtëzakonshme plenare, duke filluar nga ora 09:00. Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se në rendin e ditës janë 22 pika, ndër to ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, marrëveshje financiare, zgjedhje në borde dhe institucione, si dhe projektligje nga fusha e drejtësisë, energjisë, inovacionit dhe buxhetit.

Pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në seancë do të shqyrtohet edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se do të shqyrtohen edhe ndryshimet e marrëveshjeve financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.

Në rendin e ditës janë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhja e kryesuesit të këtij bordi, zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjin për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në rend dite janë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.

Po ashtu, do të shqyrtohen projektligjet për Energjinë, Energjinë Elektrike, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore.

Para seancës plenare, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet në orën 08:00 për të shqyrtuar projektligjin. Këtë e ka konfirmuar kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli.

Bedri Hamza: Mbetet e mundshme një marrëveshje PDK-LVV për presidentin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se mbetet e mundshme arritja e një marrëveshjeje mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e presidentit, ndërsa është shprehur optimist se nesër në Kuvend do të votohet projektligji për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

Pas mbledhjes së përbashkët të Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së PDK-së, Hamza ka thënë se negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës deri më tani nuk kanë rezultuar me sukses.

“Po tema kryesore është aprovimi i këtij ligji, tema e rëndësishme, dhe normalisht për shkak se me datën 6 është afati i fundit, dita kur duhet të zgjidhet presidenti. E dimë që ka pasur negociata mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deri më tani të paktën nuk kanë rezultuar me sukses dhe mbetet si opsionale e mundshme me pasur një marrëveshje mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për një president me marrëveshje”, tha Hamza.

Besnik Tahiri për Ligjin për Specialen: Nesër nuk duhet të bëhet lojë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës, në seancën e nesërme, ta miratojë Ligjin për Specialen në të dyja leximet, duke theksuar se procesi nuk duhet të shndërrohet në betejë politike.

Tahiri, përmes një postimi, ka thënë se gjatë shqyrtimit në leximin e dytë duhet të verifikohet me kujdes nëse ka mbetur diçka pa u përfshirë nga Komisioni për Legjislacion dhe, nëse është e nevojshme, të bëhen amendamentet që e përmirësojnë ligjin.

“Nesër nuk duhet të bëhet lojë me asnjërin lexim”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka bërë thirrje që çështja të trajtohet me përgjegjësi dhe të mos shndërrohet në garë politike se kush paraqitet më mirë apo më i zëshëm.

Sipas Tahirit, miratimi i ligjit duhet të jetë vetëm pika e nisjes së një angazhimi më të gjerë institucional të Kosovës në mbrojtje të historisë dhe luftës çlirimtare.

“Nesër duhet të jetë një nisje e re”, ka theksuar ai.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Prishtinë: Protestuesit do të qëndrojnë gjithë natën në shesh, nesër protestë në orën 08:00
Next post E shkuar e pakryer