Opozita shqiptare kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti
Thirrjet për t’u mos dorëzuar dhe për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti kanë qenë kryefjala e fjalimeve të kreut të PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Duke e konsideruar kreun e qeverisë si “tradhtar”, Meta tha se ai po grabit Shqipërinë dhe se nuk ka mbajtur asnjë premtim, por ka bërë të kundërtën e tyre.
“Në himnin tonë nuk ekziston fjala ‘dorzim’, por fjala ‘tradhëtor’, ‘nga lufta veç ai largohet që është lindur tradhëtor’. Sot tradhëtori e ndjek këtë triumf të Shqipërisë nga charteri dhe shumë shpejt do jetë para drejtësisë sipas ligjeve të tij. Jeni ju që e mbani këtë vend në këmbë, me mundin e sakrificat tuaja dhe jeni ju që duhet t’i kërkoni llogari, keni të drejtën ta shporrni qeverinë kur drejtuesit e saj e grabisin dhe shesin atdheun, siç bëri Edi Rama. Në 10 vite, ‘Rilindja’ ka bërë vetëm të kundërtën e asaj që premtoi. Tirana është kryeqyteti i parë në botë për numrin e gjobave që i vihen qytetarëve. Premtoi luftë kundër varfërisë, por sot mbi 67% e popullsisë jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë. Drejtësia e Rilindjes dënon me burg qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë, arreston nënë 82-vjeçare për një kotec pa leje por krijon amnisti për kate pa leje në Tiranë. Rilindja premtoi luftë kundër drogës, por sot bananet e drogës janë importet më të larta. Futi Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave dhe sot kërkon të bëjë amnistinë fiskale. Premtoi të rilindte trashëgiminë kulturore, por shembi në pabesi në mes të natës Teatrin Kombëtar. Po i shkatërron të gjitha pasuritë e trashëgimisë kulturore. Sot ai është armiku më i madh i fjalës së lirë dhe mediave në botë”, tha Meta.
Berisha e krahasoi protestën e sotme me ngritjen për rrëzimin e komunizmit, teksa theksoi se ashtu sikurse 30 vite më parë shqiptarët brohoritën “vdekje komunizmit”, sot duhet të brohorasin “vdekje monizmit”.
“Miting i jashtëzakonshëm, cunam i lirisë së shqiptarëve. Ne mblidhemi sot këtu në një kohë kur njësoj si 32 vite më parë, bota na sheh si njerëzit e gomoneve. Ndaj dhe të ndalemi për një moment, pse ne sot pas 31 vitesh, përsëri u bëmë njerëzit e gomoneve. Mos vallë e ka fajin Shqipëria? Kurrë! Nuk ka vend më të bekuar se kjo tokë, por shqiptarët sot janë populli i gomoneve sepse dikush dhe ky dikush është Edi Rama, ju ka grabitur votën, ju ka plaçkitur votën, ka shndërruar lirinë e tyre në iluzion, ka shndërruar votën e tyre në votë fiktive vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet. Ky armik i lirisë sonë, ky armik i votës suaj, nuk njeh ligj, nuk njeh moral, nuk njeh asgjë dhe është vërsulur me të gjithë makinerinë e narkoshtetit të tij t’u rrëmbejë shqiptarëve votën, dinjitetin, shpresën, besimin. Pas Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i egër i lirive tona. Ai që të merr shpresën të ka marrë dritën hyjnore drejt të ardhmes, besimin. Ka kthyer sot monizmin dhe ndaj ju ftoj të brohorisim si 30 vite më parë “vdekje komunizmit”, të brohorasim “vdekje monizmit”. Edi Rama, monizmin tënd do ta arkivojmë në shtëpinë e turpit”, tha Berisha.
Average Rating