Pritjet më 16 shtator
Për rastin e pengimit të drejtësisë avokatët shpjegojnë se cilët mund të jenë hapat e mëtejmë në rast të një vendimi lirues, derisa nga OVL-UÇK besojnë në pafajësinë e Thaçit, duke shtuar se nuk ka prova dhe fakte për një vendim dënues.
E mërkura e javës së ardhshme pritet të sjellë vendimin përfundimtar të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas avokatit Arbër Jashari, në rast se Thaçi lirohet në procesin kryesor, lirimi i tij nga burgimi nuk do të ishte domosdoshmërish i menjëhershëm, për shkak të procesit tjetër që zhvillohet ndaj tij për pengim të drejtësisë.
“Proceduralisht dhe teknikisht, kjo mund të ndodhë, sepse janë dy procese të ndara. Fakti që ai atje mund të lirohet nga akuzat dhe t’i ndërpritet paraburgimi, nuk është pengesë që, në procesin tjetër, i cili ka derivuar nga procesi i parë, gjykata të caktojë një masë për sigurimin e të pandehurit në procedurë, qoftë edhe atë më të rëndën, me paraburgim. Por, logjikisht, mendoj se nuk ka arsye që ta bëjë një gjë të tillë”, tha ai.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, thotë se beson se ndaj Thaçit nuk ka prova dhe fakte për një vendim dënues.
“Mendojmë që z. Thaçi, edhe kur ka folur me bashkëluftëtarët e tij, u ka sugjeruar që të mos bëjnë ndonjë gabim për t’ia rënduar edhe më shumë barrën, por asesi dhe asnjëherë të mos provojnë ta shtrembërojnë të drejtën. Andaj, po besojmë që drejtësia ndërkombëtare, në këtë rast, është një test që duhet ta kalojë, sepse nuk ka prova dhe fakte për të nxjerrë një vendim dënues”, theksoi Syla.
Ndërkaq, avokati Arbër Jashari tha se paraburgimi gjashtëvjeçar ndaj katër të akuzuarve është në kundërshtim me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila sipas tij, përcakton që paraburgimi duhet të zgjasë sa më shkurt që të jetë e mundur.

Average Rating