Prof. Eshref Ymeri: Shqiptarët përballë politikës rusomadhe

Read Time:10 Minute, 54 Second

Akademik Prof.dr.Beqir Meta

Një libër që hedh dritë mbi rrezikun rus

Libri i fundit i Profesorit dhe intelektualit të mirënjohur e të përkushtuar atdhetar Eshref Ymeri, është një dritare e re dijeje për lexuesin shqiptar, madje e një dijeje që inteligjencies dhe kombit tonë i duhet aq sa dhe drita e diellit.

Profesori i nderuar, në një sërë artikujsh historiko-politologjikë, ka analizuar politikën rusomadhe kundrejt Çështjes dhe Kombit Shqiptar, duke i nisur analizat e tij qysh nga periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe duke i vijuar deri në ditët tona. Në këtë botim shumëdimensional, autori nuk vjen rastësisht, por ai është vijim i një pune të madhe, të zhvilluar prej tij përmes hulumtimeve në literaturën ruse e perëndimore, por jo vetëm, dhe në hulumtimet e dokumenteve historike që vijnë nga arkivat ruse, një pjesë të të cilave ai ka meritën se i ka sjellë në shqip për lexuesin shqiptar, së bashku me Dr. Islam Laukën.Kjo përmbledhje me artikuj, të shkruar në kohë të ndryshme, shquhet për analizën konsistente dhe të qartë të politikës ruse kundrejt shqiptarëve, duke zbuluar me mprehtësi konstanten e saj antishqiptare, qysh nga mesi i shek. XIX deri në ditët tona.

Prof. Ymeri provon me argumente shkencore se kjo politikë lidhet me ambiciet e pandryshuara ruse për të sunduar kontinentin evropian. Prandaj, një meritë e veçantë e këtij botimi është pikërisht zbulimi se politika antishqiptare e Kremlinit është degëzim i politikës imperialiste ruse kundrejt Evropës.

Në këtë kontekst, ai na ka sjellë në një trajtë shkencore, por po kaq edhe letrare, thelbin e kësaj politike, të cilën e pagëzon si politika e pabesë e Rusisë kundrejt Evropës. Ai provon përmes postulateve të Carëve rusë, Leninit, Stalinit dhe së fundmi veprimeve tëPutinit dhe taborit të tij, se boshti politik dhe gjeopolitik agresiv i Rusisë nuk ka ndryshuar prej disa qindra vjetësh.

Ky është një përfundim që Prof. Ymeri e kishte arritur para luftës kriminale të Putinit kundër Ukrainës, çka i jep vlerë të spikatur mendimit të tij shkencor. Kjo del në pah aq më tepër kur qeveri, burra shteti dhe politologë evropianë perëndimorë, pas viteve 1990, për shumë kohë u gabuan e u mashtruan nga loja, pabesia e dinakëria ruse, duke shpallur përfundimin e Luftës së Ftohtë, pa e kuptuar se ajo vetëm kishte ndryshuar mantelin ideologjik-propagandistik, dhe jo vetëm që nuk kishte përfunduar, por kishte premisat të përshkallëzohej në një luftë të nxehtë, ashtu siç e shohim sot me dhimbje e ankth, kur bombat ruse godasin një popull liridashës, fqinj dhe evropian – ukrainasit heroikë.

Autori sjell fakte dhe analiza të shumta për qëndrimin e Rusisë kundër të drejtave legjitime shqiptare qysh gjatë Kongresit të Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, Luftës I Botërore, Luftës së Ftohtë dhe veçanërisht për qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës, duke u vënë me forcë në mbrojtje të dhunës, shtypjes dhe krimeve të shovinizmit dhe shtetit serb kundër shqiptarëve. Ai nënvizon se “ajo që ka rënë  më shumë në sy në qëndrimin e Kremlinit, është histeria mbarëruse kundër mbarë kombit shqiptar edhe pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Të gjitha mjetet e informimit masiv u vunë tërësisht në shërbim të ndezjes së urrejtjes kundër gjithë shqiptarëve, në mbarë trojet e tyre etnike”. Dhe se traditën shoviniste të shtypit  të kohës së Rusisë cariste në shtrembërimin e së vërtetës për krimet serbo-bullgare, përkatësisht kundër etnisë shqiptare dhe turke në vitet 1912-1913, po e vazhdojnë sot me të njëjtin zell shtypi dhe mjetet e informimit pamor të Rusisë neocariste, e cila, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, nuk ka lëvizur as edhe një grimë nga piketat e shovinizmit rusomadh.

Eshref Ymeri, duke shfrytëzuar burime të shumta në gjuhën ruse, me të cilën fatkeqësisht sot punojnë pak dijetarë shqiptarë, sjell edhe një histori reale, interesante, ndonëse të trishtë, të raporteve të shtetit rus me popujt fqinj, të cilat dominohen  nga dhuna ndaj tyre, nga komplotet, frikësimi, lufta përçarëse dhe nënshtrimi. Një vend të posaçëm ai u kushton raporteve ruso-ukrainase, ku evidenton rrënjët e konfliktit prej qindra vitesh më parë, dhe shpjegon se si Rusia e tradhtoi paktin e parë të miqësisë midis dy popujve. Por njëkohësisht ai ka analizuar edhe karakterin liridashës qindravjeçar të popullit ukrainas, si dhe pasojat e rënda që kishte sjellë degradimi i institucioneve demokratike para revolucionit në sheshin Majdan, degradim i nxitur edhe nga Rusia. Ai pohon se “kur  oligarkia ukrainase pasurohej në një mënyrë marramendëse, dikush tjetër do të varfërohej në një mënyrë po kaq marramendëse”. Dhe ata që varfëroheshin ishin njerëzit e thjeshtë. Ky korrupsion, i nxitur nga Kremlini me veglat e tij, ishte parapërgatitje e pushtimit. Gjithashtu, ai jep shembuj të shumtë, si Kaukazi, Çeçenia, Gjeorgjia, vendet Baltike, Polonia, Moldavia, etj., të cilat kanë qenë viktima të shovinizmit rusomadh dhe mbeten ende nën kërcënimin e tij, duke na hapur sytë për trajektoren e pandryshueshme historike qindravjeçare të imperializmit rus dhe të rrezikut që përfaqëson ai për Evropën dhe mbarë paqen botërore. Nga ana tjetër, në këtë botim analizohet dhe argumentohet se luftën kundër popullit paqësor ukrainas,Putini po e përdor edhe si një mjet gjenocidi kundër pakicave kombëtare të shtetit rus. Ai nënvizon se “ajo që ka rënë shumë në sy pas sulmit të 24 shkurtit, janë skenat e mobilizimit të njerëzve nga radhët e pakicave kombëtare, për t’i dërguar në “thertoret” e Ukrainës”.

Duke i bërë një analizë koherente politikës ruse, bazuar në të drejtat dhe interesat legjitime shqiptare, prof. Ymeri, njëkohësisht, ka bërë dhe një analizë koherente, bazuar në parimet, vlerat dhe interesat evropiane dhe perëndimore. Kjo është një vlerë tjetër themelore e botimit, i cili ka theks sa shqiptar, aq edhe properëndimor e demokratik. Prandaj nga ky libër na vijnë mesazhe e mësime të shumëfishta, polivalente, që janë një vlerë e shtuar për letërsinë historiko-politike shqiptare. Ёshtë me shumë vlerë përfundimi i tij se “politika ruse, me një traditë të kahershme pabesie në strukturimin e vet, idenë e përçarjes që kërkon të mbjellë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka shndërruar në një ide fikse”. Se politika ruse e pabesisë, e programuar dhe e ushqyer disa shekuj nga diktatorët që Rusia ka pasur në krye, e ka bërë punën e vet dhe “me kalimin e kohës, kjo lloj politike vjen e infekton mbarë popullin, duke u shndërruar në pjesë përbërëse të formimit të tij botëkuptimor”.

Dhe bash në qendër të këtij kërcënimi ogurzi, Prof. Ymeri, provon se është kombi shqiptar, i cili ka qenë vlerësuar, vlerësohet dhe do të vijojë të vlerësohet nga politika cariste e neocariste ruse, si pengesë për shtrirjen e tentakulave dhe dominimit në Mesdhe, mu në zemër të Evropës, si ndërprerje e linjave të kontinuitetit të popujve sllavë dhe ortodoksë, të cilët Kremlini i llogarit ende si ushtarë të aspiratave imperialiste ruse. Ai vërteton se si në të kaluarën, ashtu edhe në ngjarjet e fundit, Rusia përbën një armik të rrezikshëm të kombit shqiptar, të aspiratave të tij legjitime për prosperitet, liri, demokraci, bashkim kombëtar dhe bashkim me familjen evropiane. Kjo analizë dhe faktet që sjell ai në këtë botim të thukët, me frymë sa realiste e objektive, po aq kombëtare dhe evropiane, na bëjnë të mendohemi thellë, për këtë rrezik potent dhe konsistent.

Faktet dhe argumentet që sjell autori, sugjerojnë medoemos rishqyrtimin dhe analizën kritike të politikës ruse, veçanërisht të ngjyrave mashtruese që ajo ka marrë në periudha të ndryshme, duke ruajtur gjithnjë thelbin e saj antishqiptar dhe antievropian. Profesori ka argumentuar se pikërisht në dy periudha – atë komuniste dhe periudhën e tranzicionit postkomunist, forma mashtruese e kësaj politike gaboi rëndë jo vetëm politikanët xhahilë komunistë shqiptarë, por edhe dijetarë të atëhershëm e të sotëm shqiptarë dhe evropianë, të cilët sot fërkojnë sytë nga tmerret që kanë shkaktuar në Ukrainë bombat ruse, duke ngjallur makthet e luftërave të mëparshme botërore, që shkrumbuan qytetërimin evropian dhe atë botëror.

       Përmes fakteve e analizave, ky libër i bën thirrje ndërgjegjes së çdo shqiptari  të vërtetë: kujdes, vigjilencë, një milion herë vigjilencë, rreziku rus është atje, i egër, gjakatar, mbytës, kriminal, si një qen i gatshëm të na kafshojë! Kush është shqiptar i vërtetë e me ndërgjegje të formuar, e përjeton thellë këtë kushtrim. Kush nuk e ka ende të plotë këtë bindje e ndërgjegje (dhe, fatkeqësisht, ka ende shumë të tillë, për një mijë arsye), lipset ta lexojë me vëmendje, por edhe me zemër këtë libër, që një ditë të mos pendohet për pasojat e miopisë së tij.

Ky libër na hap sytë se Rusia, për interesat e saj fashiste e shoviniste, ka shtrirë tentakulat në Ballkan, por edhe në Shqipëri, duke sponsorizuar e nxitur fenomene negative të shoqërisë, faktorë destruktivë e shpërbërës të kombit e të shtetit shqiptar si: korrupsioni, veçanërisht në nivelet e larta shtetërore, korruptimin e qarqeve të caktuara politike, ku ajo ka pasur e do të ketë mundësi, ka nxitur tendencat e rrymat antidemokratike, tendencat antiamerikane e antiperëndimore në Shqipëri, etj. Prej veprimtarisë së saj të hapur dhe të nëndheshme, ose asaj që sot quhet luftë hibride, rrezikohet edhe vetë qenia e shtetit kombëtar shqiptar dhe pavarësia kombëtare, Kosova dhe gjithë  shqiptarët në trojet e tyre etnike.

Nga ana tjetër, në këtë botim analizohet edhe dobësia e këtij shteti agresor dhe autori pohon se “Ukraina e ndihmoi Aleancën e Atlantikut të Veriut të çlirohet një herë e mirë nga iluzioni për “fuqinë e madhe ushtarake” të Rusisë”.

Prof. Ymeri ka analizuar me mprehtësi edhe zhvillimet e brendshme në Rusi, shkallën e zhvillimit të popullit rus, profilin e tij mental, strukturën e tij social-kulturore dhe ndërgjegjen e tij politike në shekuj dhe në ditët tona. Larg çdolloj tendence populiste, propagandistike e ideologjike, ai e pohon troç dhe saktë: ky popull, i indoktrinuar me ndjenjën imperialiste rusomadhe, me shkallën e zhvillimit politiko-shpirtëror e social që ka, është bazament i regjimeve autoritariste e totalitariste dhe njëkohësisht edhe mbështetës i politikanëve dhe politikave imperialiste, agresive, luftërave dhe një rrezik për Evropën, që ajo të përjetojë fatkeqësi të reja. Veçanërisht ai ka nxjerrë në pah, përmes fakteve relevante, orientimin dhe frymën dominuese antiperëndimore (anti SHBA, anti BE dhe anti NATO) të opinionit rus, duke vënë në spikamë rrezikun e madh që i kanoset Evropës nga ky shtet në ditët e sotme, por edhe për shumë kohë në të ardhmen. Ai shkruan me saktësi se “Duke pasur parasysh këndvështrimin mitik të popullit rus ndaj pushtetit, vjen e krijohet një situatë e tillë, në të cilën etatizmi merr sipërinë, domethënë interesat e shtetit janë gjithmonë mbizotëruese në raport me interesat e individit. Por një gjë e tillë është e pamundur të arrihet pa shfaqje të qëndrimeve të egra ndaj individit. Sepse pushteti gjithmonë është autoritar”.

Ai vë në dukje se ky profil antropologjik, i bashkuar me urrejtjen dhe armiqësinë konstante disashekullore kundër Perëndimit, me ndjenjat pushtuese perandorake ndaj popujve të tjerë, me të cilat është ushqyer ky popull, përbëjnë një bazë solide kryesore për politikën imperialiste agresive ruse, si në të kaluarën, ashtu edhe sot.           

Për shkak të jetës së gjatë nën regjimet autoritariste e totalitariste, për shkak të mbizotërimit të kultit të individit, në shoqërinë ruse është gjallëruar kultura e qëndrimit nihilist ndaj mendimit ndryshe, dhemendësia perandorake përbën karakterin specifik të raportit të rusëve me bazueshmërinë (themeltësinë) e pushtetit. Gjatë shekujve, rusët janë vetëdijësuar për natyrën parësore të bashkësisë (komunitetit) dhe natyrën dytësore të individit.

Një vlerë të veçantë kanë analizat për natyrën shovene të disa prej shkrimtarëve rusë, duke përfshirë edhe shkrimtarët e mëdhenj, siPushkini, Dostojevski dhe Sollzhenjicini, madje duke na zbuluar në mënyrë befasuese me argumente se ky i fundit ka mbajtur një qëndrim të spikatur antishqiptar edhe kundër popullit të Kosovës dhe lirisë së tij, por edhe kundër demokracisë, duke përkrahur regjime kriminale, si ai i Pinoçetit në Kili. Me pak fjalë, Profesor Ymeri na zbulon botën e brendshme ruse, me politikanët, shkrimtarët, sociologët, politologët, historianët dhe, në përgjithësi, intelektualët e saj, duke nënvizuar se pjesa më e madhe dhe më me ndikim e tyre, është zhytur në llumin e shovinizmit  rusomadh dhe i shërben atij pa ndërgjegje, pra, është një inteligjencie e vdekur moralisht, mendërisht dhe shpirtërisht. Profesor Ymeri zbulon edhe shkakun e kësaj anomalie me pasoja të rënda politike për Rusinë dhe botën. Duke ju referuar studiuesit të shquar amerikan DavidSatter, ai nënvizon se “pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, në horizontin e jetës ruse nuk u shfaq ndonjë elitë e re. Shumica dërrmuese e elitës së vjetër, pa pasur pothuajse asnjë pasojë, erdhi e u sistemua në një tjetër rend shoqëror, madje me më shumë privilegje se në periudhën e sistemit komunist sovjetik…. Nga ky këndvështrim, problemi shtrohej jo për faktin nëse Rusinë e priste ose jo degradimi, por për faktin se cilat do të ishin shfaqjet e atij degradimi”.

      Në përfundim dua të theksoj se vlerat dhe mesazhet e këtij botimi janë të shumta. Unë thjesht u përpoqa të veçoj disa prej tyre. Prandaj përgëzoj dhe falënderoj nga zemra Profesor Eshref Ymerin për këtë kontribut me shumë vlerë për lexuesin shqiptar.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Edi Rama: Një hap e më parë, KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës
Next post Qeveria fton Serbinë t’i tërheq trupat ushtarake nga vija kufitare