Raketat e Ushtrisë së Kosovës do të godasin tanke deri në 4 mijë metra larg
Falë teknologjisë, ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë dhe të përgatiten për hedhjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë.
Ajo rrallë e huq objektivin. Vepron në një distancë nga 65 deri në 4 mijë metra. Një raketë “Javelin” kushton rreth 180 mijë dollarë
Raketat amerikane antitank “Javelin” së shpejti pritet të jenë pjesë e armatimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK).
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e këtyre raketave, e cila, sipas procedurës, do të përcillet në Kongresin amerikan për miratim.
Raketa “Javelin” është sistem antitank i prodhuar për ushtrinë amerikane. Prodhimi ka nisur në vitin 1996, ndërsa për herë të parë në fushën e betejës është përdorur në Irak e Afganistan më 2003.
Për publikun e gjerë ky lloj armatimi u bë i njohur pas agresionit rus në Ukrainë. Ushtria ukrainase i ka përdorur këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse, që hynë në territorin e saj.
Falë teknologjisë, ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë dhe të përgatiten për hedhjen e radhës.
Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë. Ajo rrallë e huq objektivin. Vepron në një distancë nga 65 metra deri në 4 mijë metra.
Një raketë “Javelin” kushton rreth 180 mijë dollarë.
Deri tash janë prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla. Rreth 20-25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme, pjesa tjetër për testime e stërvitje.
Në vitin 2022 edhe Qeveria e Shqipërisë konfirmoi blerjen e raketave “Javelin”.
Me buxhetin e Kosovës për vitin 2024 janë paraparë 153 milionë euro për FSK-në apo 30 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak. E, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, konfirmoi se 3 vjetët e fundit janë prokuruar pajisje ushtarake në vlerë të 239 milionë eurove.
Vitin e kaluar FSK-ja ka blerë edhe dronë “Bajraktar TB2” nga Turqia. Në korrik, gjashtë sish i janë shtuar arsenalit luftarak të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar të dielën në Facebook fotografi të dronëve, që sipas burimeve të KOHËS kanë mbërritur në Kosovë gjatë muajit maj.
Edhe këta dronë i sollën jo pak dëme ushtrisë ruse, gjatë pushtimit të Ukrainës. Ata janë efektivë për të survejuar dhe kanë shkallë të lartë preciziteti për të sulmuar objektiva, qofshin ato tanke apo mjete të tjera luftarake.
“Bayraktarët” u kthyen në sensacion në 2020-n, kur u përdorën në luftën në Nagorno-Karbakh mes Azerbaixhanit dhe Armenisë. Forcat azere të pajisur me këta dronë nga aleati i tyre Turqia i shkaktuan dëme të shumta ushtrisë armene. Sulmet xhiroheshin nga kjo fluturake dhe më pas postoheshin në rrjete sociale, siç po ndodh edhe në Ukrainë.
Droni “Bayraktar” është vetëm 6.5 metra i gjatë, me një hapje krahësh prej 12 metrash dhe ka një motor me 100 kuaj fuqi. Shpejtësia maksimale e tij është 220 kilometra në orë dhe është në gjendje të mbajë një sërë armësh vdekjeprurëse nga arsenali turk. Bayraktar fluturon kryesisht në një lartësi prej 5 mijë metrash. Mund të qëndrojë në ajër deri në 24 orë.
Llogaritet që vlera e një droni të tillë është 5 milionë euro, gjashtëfish më e lirë se e atyre amerikanë “Reaper”.
Average Rating