Recencë nga dr. Rovena Vata-Mikeli (Mjeshtër i Madh)

Read Time:5 Minute, 1 Second

Historiani dhe studiuesi i mërgatës shqiptare në Gjermani Nue Oroshi prezantohet para lexuesit shqiptar me librin e titulluar: “Pergamena e djegur dhe palimpsesti i paprekur”.

Një libër lexohet përnjëherë, pasi prek disa tema, të cilat edhe sot e gjithë ditën vazhdojnë të jenë të “nxehta” dhe tepër delikate.

Politika dhe qeverisja e Serbisë, jo më shumë se para dy ditësh u shprehen se Kosova është zemra e saj, çka do të thotë se kur Kosova (Dardania) trazohet çdo shqiptar pavarësisht se në cilin cep të botës ndodhet rebelohet dhe REAGON…

Autori m’i dërgoi në dorëshkrim shkrimet e këtij libri, shkrime të cilave, iu jam kthyer disa herë për t’i lexuar dhe rilexuar. Përgjatë rreshtave që lexoja mu kujtua si një film i shkurtër, hera e parë që vizitova Kosovën fill pas luftës, një fëmijë jo më shumë se 13 vjeçe.

Kujtesa më ndihmon të përmend ato flakë dhe prushi i gjallë i mbetur pas lufte, ku i gjithë vendit i vinte shkrumb e hi. Një ngjarje kjo e memorizuar në mendjen time edhe pse shumë gjëra nuk i kuptoja, përse duhej bërë gjithë ai zullum në atë vend, që flitej njëlloj shqip si andej dhe këtej kufirit të Qafës së Prushit?!!!

Studiuesi Oroshi e ndan këtë libër në tri syresh, ku flet në pjesën e parë për historinë, në pjesën e dytë për publicistikën dhe në pjesën e tretë përfshin debate e fjalime.

Në aspektin historik Oroshi ndalet në kohë, ngjarje dhe personazhe, të cilat kanë bërë histori dhe kanë ndryshuar edhe fatin e vendit të tyre.

Kujtojmë këtu se studiuesi Oroshi përmend Kosovën si një shtet tashmë të mirëkrijuar, ku herë pas here përndiqet nga politikat e shtrëmbura si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, duke dhënë një databazë të detajuar të dhënash me emër dhe mbiemër për të faktuar masakrën e Rogovës apo masakrimi i 28 martirëve shqiptar në mars të vitit 1913 në Nashec të Prizrenit nga ushtria serbe, duke u bazuar më së shumti në kujtesën kolektive dhe arkivën personale të familjarëve të tyre. Themi kujtesa kolektive dhe arkivat personale familjare, pasi siç shprehet autori ka mungesë të theksuar të sinqeritetit të institucioneve përkatëse.

Autori nuk ndalet me kaq, por jep edhe të dhëna për masakrat e kryera ndaj popullit të Kosovës, jep të dhëna për genocidin, për frikën dhe tmerrin që mbidhnin deri në palcë, për rezistencën kombëtare. Një tjetër shkrim që duhet të përmendet është dhe roli i Mirditës në ruajtjen e shqiptarizimit dhe në krijimin e shtetformimit shqiptar.

Autori Oroshi ndër të tjera shprehët se Masakrat serbe në trojet shqiptare ishin të planifikuara nga politika serbe dhe të nxitura e të përkrahura nga politika ruse.

Jepen të dhëna historike në lidhje me rezistencën kombëtare të Tomë Domgjonit dhe grupit të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare në fshatrat e komunës së Gjakovës, duke cilësuar edhe programin kombëtar të kësaj lëvizje mbi bazën e së cilës lëvizja vepronte.

Një shkrim tepër i ndjerë është ai kushtuar figurës legjendare të Adem Jasharit,ku dolën në pah cilësitë e tij, si: atdhetar, luftëtar dhe sesi personalitete të tilla, cilat jo vetëm luftuan, por edhe mësuan të tjerët ta duan vendin e tyre, duke dhënë atë që nuk të përsëritet dy herë, Jetën.

Shkrime të tjera i janë kushtuar Besim Ndrecajt, Ibrahim Rugovës, Kolë Berishës, Xhafer Devës apo Zef Prekë Kaqinarit etj.

Vlen për tu përmendur edhe letërkëmbimet mes Mustafa Merlika Krujës dhe Kapidanëve të Mirditës Gjon Marka Gjoni dhe djemve Mark e Ndue Gjon Marku, ku përmes tyre shprehej një nivel i lartë kulturor dhe një ndjenjë e paçmuar atdhedashurie, ku binte në sy në këto letërkëmbime intelegjenca, mençuria dhe urtësia, tri vlera që i kanë dalluar shqiptarët e arsimuar dhe atdhedashës.

Përmendja e Monsinjor Zef Oroshit pa dyshim është një vlerë e shtuar e këtij libri, aty thuhet sesa pro kombit dhe pro të vërtetës ishte dr.Zef Oroshi në sinkroni me At Gjergj Fishtën dhe At Shtjefën Gjeçovin, ku ky i fundit u vra pabesisht në krye të detyrës në Zym të Hasit.

Në aspektin publicistik autori demaskon pa mëshirë të gjithë sharlatanët të cilët punojnë kundër çështjes dhe kombit shqiptar, ai përmes sarkazmës therëse prek deri në palcë çdo antishqiptar që pasurohet në kurriz të Shqipërisë, kundër atyre antishqiptarëve të cilët të vrasin natën dhe të qajnë ditën, që flasin për Perëndimin, por punojnë për Lindjen, do të shprehet autori.

Autori përmes figurës së kontrastit lidh shtjellimin e shtojzovalleve me britmat e kukuvajkave, të cilat këto të fundit me klithmen e tyre të përjetshme kuku…kuku..kuku, hanë kokat e njëra-tjetrës.

Autori nuk ka lënë pa përmendur edhe periudhën e gjatë të komunizmit, kohë të cilën e perifrazon si hija e ndjekjes që të çonte në hije të vdekjes, duke përmendur raste reale dhe histori njerëzore, si rasti i Rukie Ramës, apo Sabiha Kasimatit apo historia e Havzi Nelës etj.

Kurse në pjesën e tretë zë vend gjendja aktuale e politikëbërjes si në Kosovë edhe në Shqipëri, përfshirë këtu edhe debate apo fjalime që një ditë historia e shtetit do i shqyrtojë, mirë apo keq, kjo mbetet për tu parë në vitet që do vijnë.

Këtë libër të sjellë nga autori Nue Oroshi e shoh:

Së pari si një apel-thirrje mbarëkombëtare për ruajtjen e së vërtetës historike.

Së dyti si një kërkesë drejtuar historianëve dhe institucioneve për të riparë me qartë dhe me sytë e së vërtetës tradhëtitë që u bënë në kurriz të popullit shqiptar.

Dhe së treti si një lutje për çdo shqiptar që të mësojë të vërtetën historike autentike që e përfaqëson atë, duke filluar që nga periudha ilire-arbërore-shqiptare, kryesisht duke analizuar me kujdes ngjarjet dhe zhvillimet politike të viteve të fundit.

Si përfundim mund të themi se gjetja e këtij metaforizimi letrar që në titull, për të treguar të vërtetën e pazbardhur dhe për të vendosur kufijtë e historisë së pashkruar, duhet të promovohet në çdo vatër shqipfolëse.(Tiranë, 25.11.2022)

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Në Ängelholm mbahet Akademi shkencore kushtuar 500 vjetorit të pavarësisë së Mbretërisë suedeze
Next post MIQËSIA E VËRTETË DHE E PËRHERSHME ME AMERIKËN