Vjosa Osmani, Hovenierit: Serbia bëri shkelje serioze të të drejtave të njeriut

Read Time:3 Minute, 16 Second

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e rregullt ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, ka theksuar shkeljen serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë, përmes ndalimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonat kufitare dhe trajtimit të papranueshëm të tyre, si dhe arrestimet e paligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Osmani e Hovenier flasin për veprimet e fundit të Serbisë me qytetarët e Kosovës

“Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për përgatitjet që po bëhen për mbarëvajtjen e procesit të votimit që do të mbahet këtë fundjavë në veri të vendit”, njofton Presidenca.

Sipas njoftimit, temë e diskutimit ishin edhe përgatitjet që po bëhen si dhe koordinimi me aleatët në prag të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Osmani.

Me këtë rast, Hovenier e ka përgëzuar Presidenten Osmani për një edicion të suksesshëm të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vlerësuar përkushtimin e saj dhe të Kosovës për ta avancuar këtë agjendë në vend, si dhe në rrafshin ndërkombëtar.

Pas takimit gjatë ditës ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier ka thënë se janë të shqetësuar me veprimet e fundit të Serbisë dhe faktin që zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq mbetet i ndaluar nga autoritetet e Serbisë.

“Jam në mënyrë të veçantë i shqetësuar për këtë  çështje si dikë për të cilën ne e njohëm për vite të tëra dhe që kemi ndihmuar në integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës pavarësisht etnisë dhe rolit të tyre të cilin e kanë luajtur dhe vazhdojnë ta luajnë në Policisë së Kosovës, përfshirë edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ka theksuar ambasadori amerikan për media pas takimit të rregullt javor që pati me presidenten Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se në këtë takim përveç  çështjes së ndalimit të zyrtarëve policorë të Kosovës dhe qytetarëve kosovarë në kufijtë e Serbisë, me presidenten kanë biseduar edhe për shumë  çështje tjera, përfshirë forumin për gratë, të cilin e ka vlerësuar si ‘shumë të suksesshëm’, si dhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne kemi diskutuar me presidenten se si Kosova të ketë sa më tepër sukses në këto çështje”, ka shtuar Hovenier.

Ai tutje ka thënë se Serbia shkeli marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me veprimet e djeshme. “Ne vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evropian dhe jemi të përfshirë në procesin e dialogut dhe dëshirojmë që këto të zbatohen dhe deklarata e BE-së është e qartë dhe ne nuk është që nuk dakordohemi me atë deklaratë të BE-së dhe ne kërkojmë që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog të zbatohen dhe ne vazhdojmë të punojmë së bashku”, ka nënvizuar Hovenier.

I pyetur për takimin e sotëm në Bruksel të kryenegociatorëve rreth zgjidhjes së çështjes së dinarit serb, ai ka thënë se ‘e ka të vështirë të flasë se çfarë mund të ndodhë me këtë takim”.

“Unë mund të them që ne shpresojmë të shohim që kjo çështje do të zgjidhet dhe ne nuk e vëmë në dyshim autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar. Edhe ne e kuptojmë rëndësinë dhe nevojën për të luftuar ose ngushtuar hapësirën e manovrimit për pastrimin e parave dhe çështje të tjera kriminale por duhet pasur parasysh edhe ndikimin e këtij vendimi për qytetarët në mënyrë të veçantë ata serbë”, ka theksuar Hovenier.

Ai ka thënë se e vlerësojnë angazhimin për të gjetur zgjidhje në lidhje me këtë çështje në dialog dhe se shpresojnë që kjo çështje do të zgjidhet nga të dyja palët dhe personat e ndjeshëm që preken nga këto vendime do t’i marrin benifitetet e tyre financiare.

“Fokusi ynë duhet të jetë zbatimi në mënyrë të plotë i Marrëveshjes së Ohrit”, ka shtuar Hovenier.

https://www.facebook.com/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Njohësit e sigurisë: Vuçiqi synon destabilizimin <strong>të situatës</strong>
Next post Salih Çekaj luftëtar i orëve të para të Lirisë së Kosovës