Aleksandër Vuçiq: Zgjidhja me Kosovën nuk mund të mbështetet në mite
Në raport me Kosovën duhet të ofrohet një zgjidhje realiste dhe politika reale nuk mund të mbështetet në mite. Kështu ka deklaruar sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke prezantuar në Kuvendin e Serbisë raportin për negociatat Kosovë-Serbi. Siç tha ai, mundësitë për Serbinë në këtë proces janë shumë të pakta.
“Një politikë e përgjegjshme dhe realiste nuk mund të mbështetet në fantazma dhe mite. Edhe pse ato janë të rëndësishme për popullin serb, ne duhet t’i përshtatim mitet tona për të shmangur rreziqet që nuk mund t’i shmangnim në të kaluarën. Dëshirat e njerëzve janë maksimaliste dhe mundësitë janë të pakta”, ka theksuar Vuçiq.
Ai tha se perëndimi është në kërkim të një zgjidhjeje në formë të njohjes joformale, por ai në asnjë mënyrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Vuçiq tha se nuk e di se si do të përfundojë procesi, por se ai do të mbështesë propozime kompromisi për të ruajtur paqen.
Deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, ka ftuar Vuçiqin ta pranojë realitetin në Kosovë.
“Presidenti i Serbisë nuk jep asgjë konkret, cilat janë idetë, cilat janë rrugët që duhet të arrihet një marrëveshje, e cila është shumë e qartë se është ajo që kërkohet me ngulm nga Perëndimi. E thashë edhe në seancë dhe që është shumë e dukshme për opinionin se ka një koordinim të jashtëzakonshëm kësaj radhe ndërmjet SHBA-së dhe BE-së si dhe ka një presion mbi palët që marrëveshja përfundimtare të arrihet. Vuçiq me një rast e tha, por ai zakonisht shmanget nga temat, fillon me një temë të nxehtë mandej shmanget. Serbia duhet shumë qartë ta pranojë realitetin, i cili është krijuar në Kosovë. Ambiciet e Serbisë për rikthim në Kosovë, për rikthim spektakular kanë vdekur”, ka theksuar Kamberi për RTK-në.
Seanca e Kuvendit të Serbisë u ndoq edhe nga anëtarë të Listës Serbe. Debati parlamentar lidhur me negociatat me Kosovën është duke zhvilluar edhe gjatë mbrëmjes, ndërsa do të vazhdojë edhe nesër.
Average Rating